Reuters i ka kushtuar një artikull stërvitjes më të madhe ushtarake të NATO-s “Defender-Europe 21” që do të kryhet në Shqipëri.
“Porti i Durrësit ka pritur gjatë këtyre ditëve një numër të madh mjetesh, teknologji ushtarake dhe staf amerikan, i cili nuk ishte parë që prej Luftës së Dytë Botërore. Kanë qenë rreth 700 mjete dhe pajisje të tjera ushtarake nga Brigada e 53 e Floridas që u shkarkuan në Durrës nga anija USHNS Bob Hope gjatë ditëve të fundit. Kjo stërvitje ka në fokus parandalimin e agresionit dhe ndërtimin e gatishmërisë operacionale me NATO-n dhe një numër më të madh të aleatëve dhe partnerëve”, raporton Reuters.
“Shqipëria është një partner i vlerësuar. Ushtarakët tanë përfitojnë duke u stërvitur së bashku, duke rritur ndërveprimin, duke ndërtuar gatishmërinë e operacionit dhe duke forcuar marrëdhëniet. Të gjitha këto mundësojnë aftësinë tonë për t’iu përgjigjur çdo krize, në çdo kohë, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë”, tha Tammy Muckenfuss, i Ushtrisë Amerikane për Evropën dhe Afrikën, me qendër në Gjermani.
Defender-Europe këtë vit përfshin rreth 28,000 forca amerikane, aleate dhe partnere nga 27 kombe, për të kryer operacione të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi, në 12 shtete nga Balltiku dhe Afrika në Detin e Zi, por edhe Ballkani.
Përveç ofrimit të gjashtë bazave detare, tokësore dhe ajrore, Shqipëria, një anëtare e NATO-s që nga viti 2009, do të angazhojë 1000 trupa në atë që ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi e quajti “një ngjarje historike sepse është stërvitja më e madhe në Shqipëri dhe rajon”.
Rusët shqetësohen
Zbarkimi i numrit të lartë të forcave dhe pajisjeve ushtarake amerikane në Portin e Durrësit, më i larti pas Luftës së Dytë Botërore, për stërvitjen ‘Defender Europe 2021‘ ka shqetësuar Rusinë.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shojgu deklaroi se Rusia po monitoron nga afër dërgimin dhe hapjen e forcave të NATO-s në Evropë gjatë stërvitjes “Defender Europe”.
“Po vëzhgojmë dërgimin e brigadës së 53-të të këmbësorisë të divizionit të 29-të të Gardës Kombëtare të SHBA, e cila mbërriti në portin shqiptar të Durrësit. Së bashku me ta 750 njësi të pajisjeve ushtarake”, u shpreh Sergei Shojgu, raporton RIA Novosti.