Kroacia demanton raportimet, nuk ka ofruar garanci për lirimin e Thaçit

“Nuk kam asnjë informacion zyrtar apo konfirmim se Kroacia do të ofronte garanci për lirimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Unë s’kam thënë kurrë se autoritetet kroate po punonin për këtë, por se s’kishte asnjë informacion zyrtar për këtë. Mediat serbe qëllimisht apo pa qëllim më kanë keqinterpretuar”, ka thënë për “Jutarnji”, deputetja shqiptare e Kuvendit të Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj.

Reagimi i saj vjen pasi mediat në Serbi u alarmuan pas një deklarate të Përlaskajt se kinse Kroacia ka ofruar garanci për lirimin e Thaçit. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysen Berisha, shkoi një hap më tej duke shtuar se pas Sllovenisë e Austrisë, edhe Kroacia ofron garanci për të gjykuarit e Hagës, duke theksuar se presidenti kroat Zoran Milanoviq ka ofruar që të jetë garantues te Gjykata Speciale për lirimin e presidentit Thaçi dhe të tjerëve që të mbrohen në liri.

“Nuk e di nga e ka marrë Berisha këtë informacion. Hashim Thaçi s’është shtetas i Kroacisë dhe si juriste, s’jam e familjarizuar me modelin ligjor në bazë të të cilit Kroacia do të mund të ishte garantuese për një person që s’është shtetas i saj”, ka thënë tutje Përlaskaj.

Edhe Zyra e Presidentit s’ka informata për një gjë të tillë, dhe nuk mund të gjendet asnjë informatë zyrtare se Sllovenia e Austria kanë dhënë garanci për lirim e Thaçit, raporton mediumi i njohur kroat.

Informatat për kinse iniciativën kroate vjen dy ditë para se ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërliq-Radman, të vizitojë Prishtinën. Ministria e Punëve të Jashtme të Kroacisë ka thënë se s’ka asnjë informatë për këtë çështje që ka qenë temë së fundmi. Bisedimet me kryeministrin kosovar, presidenten, ministren e Jashtme dhe kryeparlamentarin do të jenë për përkrahjen e Kosovës në rrugën evropiane, pozicionin e minoritetit kroat në Kosovë, pjesëmarrjen e Kroacisë në KFOR, stabilitetin në rajon dhe dialogun me Serbinë.

Siç dihet para dy ditësh Gjykata Speciale u ka refuzuar kërkesën për lirim me kusht Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, por Specialja nuk përjashtoi që kjo të ndodhë në rast se një shtet i tretë garanton.

Sipas gjyqtarit Kai Ambos, nëse të akuzuarit marrin pëlqimin e një shteti të tretë dhe garantojnë se të akuzuarit do të mbrohen në liri, atëherë ka mundësi që Thaçit dhe të tjerëve t’u pranohet kërkesa për lirim të përkohshëm dhe të mbrohen në liri.

E menjëherë pas këtij vendimi, ish Komandanti i UÇK-së, gjeneral Hisen Berisha deklaroi se Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç është ofruar për të qenë “garanci” para Gjykatës Speciale për mbrojtjen e në liri të Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

”Një mik i imi në Kroaci më thotë, se Presidenti kroat është ofruar të jetë garant, i mbrojtjes në liri të këtyre personaliteteve. Dhe jo vetëm njërit nga ta që mund ta ketë më mik – në këtë rast po flas për z. Veseli- por për të gjithë ata që janë atje”, deklaroi Berisha.

Por, përmes një postimi në facebook, Feim Tahirsylaj, këshilltar për media i kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ka treguar se cila është e vërteta për “garancinë” e ofruar nga Kroacia.

“Lajm i rremë! Eksponenti i PDK-së, Hisen Berisha, ka tentuar sot të dezinformojë opinionin përmes një gënjeshtre publike apo, më mirë të themi, një thashethemnaje çajtoresh në stilin “m’tha njoni”. Nuk ka asnjë informacion të konfirmuar nga ana e presidentit të Kroacisë se kinse ai “është ofruar të jetë garant në Gjykatën Speciale për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerët për mbrojtje në liri”, siç trillon Berisha. Duket sheshazi se prapavija e kësaj gënjeshtre, mbase të qëllimshme, ishte shigjetimi publik i krerëve të shtetit, përkatësisht Presidentes, Kryekuvendarit dhe Kryeministrit. Mund të jetë i kuptueshëm deridiku sikleti dhe mllefi i një opozitarizmi pa kauza, por kauzat nuk ndërtohen me muhabete çajtoresh – jo!”, ka shkruar Feim Tahirsylaj në faqen e tij në facebook.

Kujtojmë se  Hisen Berisha ka deklaruar gjithashtu se  pas Kroacisë, edhe Austria dhe Sllovenia janë ofruar si garant të lirimit me kusht të të arrestuarve në Hagë.

Mirëpo deri më tani asgjë nuk ka të vërtetë nga këto spekulime.

Leave a Comment

Your email address will not be published.