Ministri i Jashtëm kroat Gordan Gërliq Radman ka njoftuar se Kroacia ka ndarë për Kosovën 10,000 vaksina kundër koronavirusit.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar të enjten në Prishtinë me ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla.
“Me kënaqësi të madhe e kam njoftuar ministren Gërvalla për ndarjen e 10 mijë dozave të vaksinave për Republikën e Kosovës. Republika e Kroacisë e ka marrë vendimin për ngritjen e kontingjentit ushtarak të KFOR-it. Kroacia e përkrahë dialogun Kosovë-Serbi në dialogun bilateral, nën administrimin e ShBA-ve, për një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Kroacia gjithashtu është kundër shkëmbimit të territoreve dhe do të punojmë që ato vende që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë. Kosova është shtet i pavarur dhe për vendet që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, nëse duan qetësi në botë, atëherë duhet të pranohet pavarësia. Për këtë edhe Serbia duhet të marr vendimin e duhur dhe shpresoj që në të ardhmen do të lehtësojnë marrëdhëniet dhe do të sigurohet siguria në Evropën Juglindore”, tha ai
Më 4 maj, Kosova ka rinisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, pas pranimit të 4,680 vaksinave të kompanisë Pfizer/BioNTech.
Kjo është pjesa e parë e 95,000 dozave që Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kurse gjate ditës së djeshme komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi po qëndron në Kosovë, ka treguar se BE-ja është duke sjellë në tërë Ballkanin Perëndimor rreth 600.010 mijë vaksina.
“Ka qenë një detyrë e rëndë për ti marrë vaksinat por ja ku janë. Jemi duke sjellë rreth 600.010 mijë vaksina për Ballkanin Perëndimor, ku Kosova do të pranoj gati 100 mijë vaksina nga Pfizer/Biontech. Mendoj se ky është kontributi më i rëndësishëm që bëjmë për Kosovën, pasi pandemia do të përfundoj vetëm pasi që të vaksinohen të gjithë”, tha Varhelyi.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka njoftuar të martën se këto doza do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit, për arsye shëndetësore.
Kosova ka nisur procesin e vaksinimit në fund të muajit mars, me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që ende nuk ka mundur të nënshkruajë ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër COVID-19 dhe çdo vaksinë e siguruar deri tash, është donacion nga Bashkimi Evropian ose nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 105,864, i viktimave në 2,195 dhe i të shëruarve në 96,322.