Kur Nexhat Agolli akuzohej se po lironte “bandat” shqiptare

Dokumenti me titull “Analizë për pakicën shqiptare në RPM-ë”, hartuar më 29 shkurt 1952 nga grupi punues i Byrosë Politike të PKM-së, me Kërste Cërvenkovskin në krye, e në të cilin grup merrte pjesë edhe Reis Shaqiri, akuzonte Nexhat Agollin, për lirimin e disa veprimtarëve të NDSh-së nga Struga dhe Kërçova, që sipas hartuesve të analizës, tërë ajo paska lënë “pasoja të thella” në Strugë dhe rrethinë

Nga Qerim LITA

Pa dyshim se takimi i O. Camit me A. Maranën, nuk ishte i rastësishëm, aq më tepër kur kemi parasysh peshën e veçantë që paraqiste ekzistimi i komitetit të NDSH-së në Struga, sepse për nga pikëpamja dhe vetëdia kombëtare shqiptare, luante rol të rëndësishëm në trevat lindore shqiptare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga këtu dolën në skenë shumë intelektual dhe nacionalistë të dalluar shqiptar si: Murat Labënishti, Mentor Çoku, Esat Doko, Faik Dobovjani, Nazmi Tateshi, Remzi Beu etj, të cilët, bashkërisht me krerët tjerë të dijes dhe të pushkës në mbarë hapësirat shqiptare luftuan për çlirimin dhe bashkimin gjithëkombëtar. Pushteti “popullor” maqedonas, i vetëdijshëm për ndërgjegjësimin e popullsisë shqiptare në këtë krahinë, vazhdimisht e vëzhgonte situatën si nga partiakët vendorë ashtu edhe nga emisarët special të dërguar nga Shkupi, të cilët informonin për lëvizjet që bënin shqiptarët. Informacionet që dërgonin misionarët si Vera Aceva, Qemal Sejfulla, i bënin me dije Shkupit se shqiptarët e Strugës ishin të pakënaqur me regjimin komunist dhe se ka elementë “reaksionarë” të cilët propagandojnë për ndryshimin e shpejtë të regjimit dhe se Struga me rrethinë shpejt do t’i bashkohet Shqipërisë. Një analizë tjetër politike nga Struga, e solli edhe Këshilli i rrethit të frontit popullor në Ohër, i cili në mënyrë analitike e përshkruante gjendjen atje dhe theks i veçantë i vihej popullit shqiptar:

“…Popullata shqiptare në territorin e atij rrethi, është gjithmonë kundërshtare e Luftës Nacionalçlirimtare… të mbështetur nga shqiptaromëdhenjtë, si dhe nga simboli i tyre kombëtar ‘Besa’, mundësoi bashkimin e asaj popullate, jo vetëm stihikisht, por se reaksioni shqiptaro-madh me shkathtësi të madhe e shfrytëzoi atë situatë duke i dhënë fizionomi politike, në përputhje me tendencat e veta që atje të krijojë unitetin shqiptar dhe, si shumicë në atë territor, të bashkohen me Shqipërinë …”.

Ndërkohë, dokumenti me titull “Analizë për pakicën shqiptare në RPM-ë”, hartuar më 29 shkurt 1952 nga grupi punues i Byrosë Politike të PKM-së, me Kërste Cërvenkovskin në krye, e në të cilin grup merrte pjesë edhe Reis Shaqiri, akuzonte Nexhat Agollin, për lirimin e disa veprimtarëve të NDSh-së nga Struga dhe Kërçova, që sipas hartuesve të analizës, tërë ajo paska lënë “pasoja të thella” në Strugë dhe rrethinë:

“Çlirimi i vendit tonë i gjeti masat e përgjithshme shqiptare në një sasi të konsiderueshme nën ndikimin e propagandës së shovinizmit shqiptaromadh, e cila manifestohej nëpërmjet aksioneve të armatosura, kundër ushtrisë sonë dhe mbështetjen e bandave të Xhemës, Mefailit, Sulës dhe bajraktarëve tjerë. Për shkak të gjithë kësaj, nga ana e organeve tona u ndërmorën masa ndëshkuese dhe një spastrim të konsiderueshëm të bashkëpunëtorëve dhe pjesëmarrësve të kësaj lëvizje. Ky pastrim i reaksionarëve dhe bandave gjakpirëse të ndryshme nga ana e grupit intelektual, nga grupi Agolljanë etj, u komentuan jo si revolucionare, por si masa të drejtuara drejt eliminimit të pakicës shqiptare. Është i njohur në këtë drejtim edhe aksioni i Agolljanëve për lirimin e disa gjakpirësve në Strugë dhe Kërçovë, gjë që veçanërisht ka lënë pasoja të thella në rrethin e Strugës, ku nuk është pastruar asnjë udhëheqës i këtyre bandave, që në një sasi të konsiderueshme po hakmerret në politikën tonë për vëllazërim dhe barazinë. (Sot në rrethin e Strugës ish banditë që janë kthyer nga burgu, paraqesin strofull nga e cila tubohet i tërë reaksioni politik dhe fetar, ka edhe raste që disa me javë të tëra të lëvizin nëpër popull, me qëllim të propagandës së tyre. Kjo bën që në mënyrë të veçantë këto propaganda të bajraktarëve të hasin në mbështetje në Veleshtë)…”.

Është me interes të vihet në dukje fakti se UDB-ja jugosllave, përkatësisht ajo maqedonase, përkundër dhunës psikike e fizike të kryer gjatë procesit të hetuesisë kundër O. Camit dhe Q. Zllatkut, nuk arriti të merr informata të hollësishme për komitetin e Strugës. Nuk dhanë rezultate as edhe angazhimi i rrjetit të bashkëpunëtorëve nga radhët e të burgosurve. Bashkëpunëtori me pseudonimin “AKTIV”, më 7 dhjetor 1946, njoftonte UDB-në për një takim të tij me Qemal Skënderin, i cili gjoja i paska thënë se, Osmani e paska informuar për “organizimin e komitetit në Strugë dhe Kërçovë, mirëpo tërë atë e mohon Osmani…”. I njëjti burim, më 17 dhjetor 1946, njoftonte UDB-ë për një takim të tij me Qeram Zllatkun, dhe nga ajo bisedë është bindur se Zllatku, vërtetë nuk  “din se cilët persona e përbëjnë Komitetin e Strugës”, për arsye se siç pohon: “Osmani krye në veti ka shkuar në Strugë dhe atje e ka organizuar komitetin, mirëpo i njëjti këtë nuk e ka thënë para organe të hetuesisë. Sipas të gjitha gjasave, ky organizim është kryer përmes ndonjë çete strugane…”. Në vazhdim, burimi njoftonte UDB-ë, se Zllatku, gjoja i paska deklaruar, se sa u përket “çetave të armatosura”, më së shumti njohuri paskan pasur O. Cami dhe M. Tërshana, për të cilët i paska thënë se “janë kryengritës” dhe si të tillë ata “këtë çështje” i paskan ditur ma së miri.

Kjo e dhënë, dëshmohet edhe nga intervista që Shpëtim Pollozhani, më 15 janar 2019 e zhvilloi me veprimtarin e shquar shqiptar Sejdi Lloga, i cili në mënyrë të prerë thekson se udhëheqës të komitetit të NDSh-së për rrethin e Strugës kanë qenë: Murat Labënishti, Ejup Polisi, Faik Polisi-Dobovjani dhe Kamber Rizvani, ndërsa lidhja me Osman Camin ka qenë Kamber Rizvani. Po sipas Llogës, si veprimtar të NDSh-së, në Strugë janë dënuar edhe këta veprimtarë: Kalosh Sela me 6 vjet burg, Metali Sela dhe Sabit Shehu me nga 2 vjet burg.

Nga sa u tha më sipër, mund të konstatojmë se Komiteti Qarkor i NDSH-së në Dibër, në kuadër të të cilit ishte edhe ai i rrethit të Strugës, luajti rol të rëndësishëm në organizimin e shqiptarëve, dhe se ekzistimi i tij paraqiste rrezik potencial për të dy shtetet komuniste – Shqipërinë dhe Jugosllavinë, të cilët, së shpejti ndërmorën një aksion të përbashkët, për zbulimin e kësaj organizate, përfshi këtu edhe krahun e saj të armatosur.

Leave a Comment

Your email address will not be published.