SHKARKOHET ILIR META, NUK ËSHTË MË PRESIDENT

Maxhoranca parlamentare ka votuar pro shkarkimit të Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës. Në votim kanë marrë pjesë 114 deputetë, pasi nga 122 deputetë kanë munguar shtatë prej tyre. Nga këta 104 deputetë votuan pro, 7 deputetë kundër dhe 3 abstenim. Por si lindën tensionet mes mazhorancës dhe Metës dhe përse u arrit deri në shkarkimin e tij? Euronews Albania sjell një kronikë të përmbledhur me momente dhe veprime politike, të cilat janë përdorur si argumente sulmuese mes palëve.

Fjalën e fundit për shkarkimin e Presidentit Ilir Metën do ta thotë Gjykata Kushtetuese. Kujtojmë se deputetët që nuk ishin të pranishëm në sallë për të votuar ishin: Ambra Borova, Rudina Hajdari, Enada Koçiraj, Korab Lita, Jetmira Rraboshta, Olta Xhaçka dhe Fidel Ylli.

Pak më herët me 104 vota pro, 7 kundër, 2 abstenim dhe 1 fletë votimi që ishte e pavlefshme, Parlamenti miratoi raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor.

Plot 16 shkelje kushtetute i gjeti komisioni hetimor presidentit Ilir Meta, duke i propozuar parlamentit shkarkimin.

Nga ky hetim komisioni hetimor thekson se presidenti Ilir Meta u kthye në frymëzues të dhunës duke shkelur nenin 88 të kushtetutës si dhe atë 98 duke u përfshirë në fusharë elektorale. Pjesë e provave të renditura në raport është edhe konkluzioni paraprak i monitorimit të zgjedhjeve të 25 Prillit nga OSBE-ODIHR, për të faktuar përfshirjen e kreut të shtetit në fushatë elektorale.

Komisioni mbërriti edhe në përfundimin se presidenti përmes disa shkresave ndërhyri në punën e institucioneve të pavarura.

Shkeljet e kushtetutës nga presidenti komisioni hetimor në raportin final thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në Facebook dhe shkresave dërguar institucioneve.

“BalkanWeb” mëson se deputetët që kanë votuar kundër shkarkimit të Metës janë Lefter Maliqi, Adriatik Alimadhi, Artur Roshi, Elda Hoti, Fatjona Dhimitri, Suzana Topi dhe Gjetan Gjetani.

Ndërkohë, kanë qenë 104 deputetë, të cilët kanë votuar pro shkarkimit të Presidentit. Tashmë pritet Gjykata Kushtetuese për të marrë vendimin final mbi fatin e Presidentit të Republikës.

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për vendimin e Kuvendit për ta shkarkuar nga posti i kreut të shtetit me një thënie të deputetit Selami Jenishehri.

“Të dashur miq, ju uroj një pasdite të qetë, relaksuese dhe të qeshur duke ju përshëndetur të gjithëve me këtë thënie frymëzuese!”, shkruan Meta.

Për këtë i referohet fjalimit të Jenishehrit gjatë ditës së sotme në seancën plenare ku u votua për shkarkimin e Metës.

“Koalicion ynë, i drejtuar nga deputeti Kujtim Gjuzi, i është drejtuar Komisionit të Zgjedhjeve për mos të pasur pasoja të tilla për vjedhjet dhe është anashkaluar. Nuk është dhënë përgjigje. Ne do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese. Do iu dalim zot, nipërve dhe mbesave tona pensionist, të cilët iu është mohuar e drejta e votimit. Emigrantët nuk mund t’i blihet votat”, tha Jenishehri.

Por si lindën tensionet mes mazhorancës dhe Metës dhe përse u arrit deri në shkarkimin e tij?

Euronews Albania sjell një kronikë të përmbledhur me momente dhe veprime politike, të cilat janë përdorur si argumente sulmuese mes palëve.

Në 28 prill 2017, në raundin e parafundit të zgjedhjes së presidentit, Ilir Meta mori 87 vota pro dhe 2 kundër si kreu i ri i shtetit shqiptar.

Ishin ditët e fundit të bashkëpunimit si aleat me socialistët që nën zë e akuzonin si mbështetës të çadrës së opozitës para kryeministrisë.

Meta që për katër vite kishte mbajtur postin e kryetarit të Kuvendit, tha se do të bënte fushatë për LSI-në, deri në korrik kur bëri betimin. Gjatë fushatës, partia e tij që kishte kaluar në drejtimin e Petrit Vasilit, ishte në qendër të akuzave si të Ramës ashtu dhe të Bashës.

Qeverinë, presidenti e dekretoi në 10 shtator 2017 dhe për disa kohë tonet mes tij dhe kryeministrit nuk patën ngritje.

Por, në 22 nëntor 2017 presidenti i kthen për rishqyrtim mazhorancës ligjin për tarifat gjyqësore.

Ai do të ishte i pari nga një seri e gjatë ligjesh të kthyera si antikushteuese, mbi 60 të tilla që nga 2017.

Shumë më tepër se katët presidentë e tjerë para tij, që të marrë së bashku kishin kundërshtuar mazhorancën në 42 nisma ligjore.

Me përjashtime të vogla, pothuajse të gjithë dekretet e tij u rrezuan dhe ligjet hynë në fuqi të pandryshuara. Nga ana tjetër, parlamenti rrëzoi tre kandidatura të presidentit për postin e kryetarit të Këshillit të Lartë Shtetëror (KLSH).

Një përplasje që acaroi dukshëm tonet me mazhorancën ishte mosdekretimi i Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm. Edi Ramës iu desh të dërgonte dy herë emrin në presidencë dhe vetëm pasi ish-gjenerali i brigadës pranoi të lirohej nga grada ushtarake, mori firmën e Ilir Metës në 16 nëntor 2018.

Një situatë e ngjashme u përsërit në janar të 2019 kur ndër një seri emrash që u dekretuan si ministra të rinj, Ilir Meta refuzoi të dekretonte atë të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm. Në 18 janar në këtë detyrë u dekretua kryeministri Rama.

Tonet tashmë ishin ashpërsuar dhe çështja nëse presidenti mund të refuzonte apo jo dekretimin e ministrave, kaloi në Gjykatë Kushtetuese.

Konflikti më i madh me mazhorancën, që çoi dhe në nisjen e procedurave për shkarkimin e tij, ishte ai i 8 qershorit. Me opozitën që kishte djegur mandatet dhe ishte në protesta prej muajsh, presidenti nxori një dekret ku anulonte atë të mëparshmin që caktonte datën e zgjedhjeve në 30 qershor 2019.

Zgjedhjet u zhvilluan dhe në 8 korrik mazhoranca ngriti komisionin hetimor për shkarkimin e tij.

Në nëntor një tjetër përplasje me mazhorancën dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi u bë pjesë e hetimit të këtij komisioni, si motiv i mundshëm për ta shkarkuar presidentin.

Arta Vorpsi e renditur e para ne listën e KED, u konsiderua e zgjedhur nga mazhoranca si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për aq kohë sa presidenti nuk u shpreh brenda 30 ditëve.

Ajo bëri betimin te noteri dhe jo te presidenti siç parashikon Kushtetuta. Meta përzgjodhi për të njëjtin post Marsida Xhaferllarin, e cila e mbajti atë pas një interpretimi të vetë Gjykatës Kushtetuese.

Pas një viti hetimesh, nëntë mbledhjesh dhe pasi ishte drejtuar dy herë Komisionit të Venecias, Komisioni Hetimor Parlamentar vendosi të mos shkarkonte presidentin, por të sugjeronte ndryshime kushteuese dhe ligjore.

Një ligj i posaçëm u hartua nga një grup deputetësh të mazhorancës por që nuk u depozitua kurrë kuvend. Tetë muaj më pas i njëjti parlament përfundoi procedurat dhe shkarkoi të njëjtin president.

Pavarësisht vendimit të Kuvendit të Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese është institucioni suprem që ka tagrin të shprehet për aktin final mbi shkarkimin ose jo të Metës nga posti i presidentit.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.