Kryeministri Albin Kurti, ka raportuar para deputetëve të Kosovës lidhur me dialogun Kosovë -Serbi. Kurti ka thënë se tashmë dihet qasja e Qeverisë së tij për dialogun, por se ai aty po flet për parime, ndër të cilat ka përmendur pranimin e realitetit nga ana e Serbisë se Kosova është shtet i pavarur dhe kërkimflajen për mizoritë e kryera.
“Qeveria dhe unë si kryeministër jemi duke raportuar në Kuvend e Komisione ende pa filluar dialogu. Qasjen tonë ndaj dialogut e dini sepse atë e kam përsëritur disa herë. Unë po flas për parimet.
Pranimi i realitetit se Kosova është shtet i pavarur dhe pranimi i mizorive që Serbia ka kryer në Kosovë, janë parimet tona. Nuk i kemi borxh, askujt por na kanë borxh shumëçka” , ka thënë Kurti para deputetëve.
KURTI-OPOZITËS: MOS MË RRËZONI EDHE NJË HERË
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e së premtes në Kuvend, ku është ftuar të raportojë për dialogun, i ka bërë thirrje partive opozitare që të mos bashkohen për ta rrëzuar sërish nga posti, njofton Insajderi.
Në fund të fjalimit, shefi i qeverisë iu drejtua deputetëve duke iu thënë se e ka një lutje.
“E kam veç një lutje në fund. Më keni rrëzu me parullat për antiamerikanizëm. Mos më rrëzoni edhe një herë se mandej…Faleminderit!”, ka thënë Kurti, duke shkaktuar të qeshura në sallë.
E i menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Mjaft me ankesa, je kryeministër që i ki krejt, bëjë çka ta merr mendja, veç dramë mos bëjë kryeministër, dramë e viktimizim mos bëjë, nuk është duke të rrëzuar askush, edhe në qoftë se duhesh me u rrëzu, do ta rrëzosh veten”, ka thënë Abdixhiku.
ABDIXHIKU-KURTIT: KENI THËNË SE DIALOGU S’ËSHTË PRIORITET, TË MARTËN KËMBË E DUAR JENI NË BRUKSEL
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke i thënë se i ka ndryshuar shpejt parimet dhe qëndrimet pasi është ulur në karrigen e shefit të qeverisë, njofton Insajderi.
Ai në seancën e së premtes në Kuvendit, ku kryeministri është ftuar të raportojë rreth procesit të dialogut me Serbinë, ka thënë se “askush nuk të gjykon Albin që po merr pjesë në dialog, por si i ndryshuat aq shpejt parimet”.
Abdixhiku ka pyetur kryeministrin se “Cka ka ndodhur me kushtet që kishe ndaj Serbisë, para së të nisë dialogu?”.
Ai ka thënë se Kurti të martën shkon në dialog ndonëse kishte thënë se ky proces nuk është prioritet për të.
“Nuk je më opozitë Albin, je njeriu që i ke krejt, trego çfarë do të bësh. Nga 25 minuta fjalim, 24 minuta i pate për të shkuarën, vetëm një se çfarë do të bësh”, ka thënë i pari i LDK-së.
“Të martën udhëtoni pa asnjë kusht. Nuk ju gjykoj pse merrni pjesë në dialog. Është proces natyral që secili politikan duhet ta bëjë. Ne petkun e ri prej pushtetari e ke kuptuar se obligimeve si këto nuk mund dhe nuk duhet t’u ikësh. Të martën me këmbë e duar je në dialog”
HARADINAJ – KURTIT: A PO FSHEHESH PREJ SERBISË A PREJ AMERIKËS?
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi tha se kryeministri, Albin Kurti ka zgjedhur rrugën e fshehjes dhe të ikjes, shkruan Insajderi.
Haradinaj deklaroi se nuk po e din nga kush po fshehët Kurti.
Ai me tej , pyeti kryeministrin se mos po fshehët nga Serbia, apo edhe nga aleatët.
Haradinaj me ironi tha se, a ka mundësi që kryeministri po i ikë Amerikës?“.
“Ikje dhe fshehje. Sot nuk kemi kryeministër. Nuk po e di prej kujt po ikë, a prej LVV-së?- LVV nuk e di a e kupton më liderin e vet, nuk besoj që e kuptojnë. Kam bindjen se po fshehet edhe nga opozita, që e ka cilësuar tradhtare e të dëmshme. Për pak u kthye në zëdhënës të qeverive të kaluara. Prej kujt tjetër po fshehet. A mos po fshehet prej Serbisë? Mos Serbia për ndonjë arsye të caktume ka ndonjë fuqi ndaj kryeministrit tonë?. A po fshehet prej aleatëve. A ka mundësi që kryeministri po i ikë Amerikës?“, pyeti Haradinaj në Kuvend