Nën ndërmjetësimin e BE-së, ka filluar takimi i nivelit të lartë në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Komisioni Evropian ka publikuar në uebfaqen e saj disa fotografi të takimit, ku pjesëmarrës janë edhe kryediplomati Josep Borell dhe Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell ka folur në një konferencë për media para takimit që do të mbahet me ndërmjetësimin e BE-së në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Borrell ka thënë se gëzohet që takimi po zhvillohet në kohën e njëjtë kur Bashkimi Evropian takohet me presidentin amerikan Joe Biden.
“Kemi një momentum të ri dhe na duhet ta shfrytëzojmë atë”, ka thënë ai, duke thënë se kjo mundësi vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Borrell ka thënë se është e qartë se rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi shtrojnë rrugën për të ardhmen evropiane për të dyja palët.
Zyrtari i BE-së ka thënë mes tjerash se blloku evropian dhe vetë ai presin përparim të shpejtë në procesin e dialogut, për ta lënë të kaluarën mbrapa dhe të arritur marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i nivelit të lartë në dialog do të lehtësohet nga Borrell, i cili do të mbështetet nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Takimi i së martës është i pari ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.
Kurtin në takim po e shoqëron zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërkaq Vuçiqin, ministri i jashtëm, Nikola Selakoviç.