SHBA ka prpozuar që Liqeni i Ujmanit të rregullohet sipas traktatit të lumit Kolumbia. Studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit nga SHBA-ja ishte pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.
Në njoftimin e Ambasadës amerikane në Kosovë thuhet se raporti i Departamentit Amerikan të Energjisë, propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që gjendet në pjesën veriore të Kosovës që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Liqeni i Ujmanit është një liqe artificial i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës. “Ne propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve duke modeluar nevojat institucionale për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në dokument.
Lidhur me këtë propozim, ekspertët kanë shprehur opinionet e tyre
Avdi Gjonbalaj, ekspert i Ujërave, ka thënë se toka ku është Ujmani është tokë e Kosovës pasi është e paguar nga Kosova.
Ai ka thënë se Serbia nuk ka të drejtë fare në Ujman.
“Toka është e Kosovës sepse toka është paguar, parallogaria ka qenë 1,300,000 dollarë, janë paguar 14,800,000 dollarë. Toka është e regjistruar në ndërmarrjen “Ibër Lepenc” në emër të tyre në kadastër. Prandaj është tokë e paguar, kufiri mbetet aty ku është dhe Serbia nuk ka të drejtë fare këtu. Është punë e përfunduar, është e ratifikuar kontrata ku Serbia është e dakorduar prej 72-tës”, ka thënë Gjonbalaj.
Afrim Lajçi, ekspert i ujërave ka thënë se raporti i Shteteve të Bashkuara me katër pika rekomanduese për Ujmanin është i balancuar dhe nuk është në disfavor të Kosovës.
Sipas tij, pika e tretë e raportit e cila parasheh krijimin e një Komisioni lumor për Ujmanin, duhet shikuar në kontekstin kosovar dhe si i tillë duhet analizuar.
“Raporti është i balancuar, dy pikat e para janë inxhinierike-teknike, rehabilitimi i sistemit, krijimi i një komisioni të përbashkët ujor që nuk është i dëmshëm pasi bëhet fjalë për një ujë-rrjedhë ndër-shtetërore prandaj imponohet për të krijuar një Komision për t’i diskutuar këto çështje. Në parim këto pika nuk janë që imponojnë ndonjë disfavor për Kosovën, këtë modelin e këtij Komisioni që është propozuar duhet të trajtohet dhe shikohet në kontekstin kosovar dhe natyrisht edhe raportin si të tillë duhet analizuar”, ka thënë Lajçi në “DESKU ” të KTV-së.