Në Kosovë ka arritur edhe kontingjenti i dytë i vaksinave të Pfizerit, që janë nga kontrata e lidhur mes Kosovës dhe kompanisë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se kanë arritur sot 106.470 doza të vaksinës së Pfizerit, ndërsa të hënën arritën 81.900. Në Kosovë vaksinimi masiv ka nisur më 15 qershor.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se kanë arritur edhe 106.470 doza të reja të vaksinave Pfizer. Ai ka thënë se gjatë ditëve në vijim do të arrijnë edhe dozat tjera të porositura ndërkohë që 81.900 doza kanë mbërritur mbrëmë.
“Të nderuara qytetare e qytetarë, sot mbërriti edhe kontigjenti i dytë i vaksinave nga kontrata me Pfizer. 106.470 doza mbërritën sot. Ditët e javët në vazhdim priten akoma. Vaksina mbetet zgjidhja më e mirë në përballjen e suksesshme me pandeminë”, ka shkruar ai.
Qeveria Kurti ka premtuar se deri në fund të vitit do të vaksinohen 60% e popullsisë. Fillimisht ky premtim ishte vetëm deri në shtator, por më vonë duket se zyrtarët qeveritar ndërruan mendje.
Më 28 qershor, Kosova ka pranuar kontigjentin e parë të vaksinave të blera kundër koronavirusit.
Të dyja kontingjentet janë rezultat i marrëveshjes së arritur mes kompanisë amerikane Pfizer dhe Ministrisë së Shëndetësisë, në muajin maj, për më shumë se 1 milion doza.
Kosova tashmë ka nisur fushata e vaksinimit masiv kundër koronavirusit.
Kosova ka zhvilluar fushatën e vaksinimit përmes donacioneve të siguruara nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që shpërndan vaksina për vendet e varfra, apo nga Bashkimi Evropian.
Qeveria e Kosovës ka thënë se ka prioritet, që deri në fund të këtij viti, të vaksinojë 60 për qind të popullsisë kundër koronavirusit.
Deri më tani në Kosovë me dozën e parë janë vaksinuar 170.098 qytetarë. Ndërsa, 37.057 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës.
Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,749 pacientë me këtë virus.
Prej tyre 2,258 kanë vdekur.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se 2 persona kanë rezultuar pozitiv me variantin Delta të COVID-19 në Kosovë.
Sipas MSH-së, nga 22 mostrat pozitive të dërguara në Berlin për testim, 2 kanë rezultuar pozitive me variantin Delta të COVID-19.
Varianti Delta po shihet si shumë më i transmetueshëm se sa variantet tjera të virusit. Shumë vende në Evropë kanë kthyer disa nga masat për të ndaluar përhapjen e e shpejtë të virusit.