Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga senatorja e Iowas në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Joni Ernst, ndihmën e SHBA-së për anëtarësim të Kosovës në NATO.
Të shtunën ajo ka qëndruar në Kosovë për takime me krerë të shtetit. Sipas njoftimit nga Zyra e Presidencës, Ernsti e Osmani kanë biseduar për raportet e shkëlqyera të Kosovës me SHBA-në dhe bashkëpunimin që Kosova e ka me shtetin e Iowas.
“Përkrahja që shteti i Iowas, Garda Nacionale e këtij shteti i ka dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës është e jashtëzakonshme”, ka thënë presidentja Osmani. “Falë mbështetjes suaj, FSK-ja sot po shndërrohet në forcë të armatosur, të përgatitur profesionalisht, e gatshme për t’i shërbyer ruajtjes së paqes”.
Sipas saj, “se partneriteti të cilin dy vendet tona e kanë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta dhe përkushtimin e përbashkët për demokraci po thellohet vazhdimisht dhe ne presim që ai të zgjerohet në shumë fusha”.
“22 vjet më parë ushtarët tuaj i shpëtuan jetët tona. 22 vjet më pas ne shohim mundësi të reja për ta thelluar edhe më tej partneritetin ndërmjet vendeve tona, duke investuar në bujqësi, arsim, ekonomi e në fusha të tjera”, është shprehur Osmani që ka kërkuar ndihmën e SHBA-së për anëtarësim të Kosovës në NATO, “ngaqë ky është synim yni strategjik”.
Ernsti, në anën tjetër, sipas Presidencës, u shpreh e lumtur që po rikthehej në Kosovë dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ajo theksoi po ashtu se ndihet tejet e lumtur me zhvillimin profesional të FSK-së dhe transformimin e saj në forcë të aftë për t’i shërbyer paqes në rajon dhe në botë.
Në takim me Joni Ernst, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova vlerëson partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, duke qenë e përkushtuar për forcimin e këtij partneriteti.
Kurti dhe Ernst biseduan për rritjen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe shtetit të Ioëa-s, përtej partneritetit ushtarakë, si fushat e bujqësisë, arsimit dhe tregtisë.
“Misioni i përbashkët i Forcës së Sigurisë së Kosovës me Gardën Kombëtare të Ioëa-s, në zbarkimin e përbashkët në Kuvajt, u vlerësua për kontributin në paqen dhe sigurinë globale, por edhe për promovimin e Kosovës si aktor të përkushtuar për stabilitet afatgjatë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.