Serbia po përgatitet për një operacion ndëshkimor në Luginën e Preshevës

Mediat e Beogradit dhe Moskës, kanë raportuar lajme se është përdhosur një pus në fshatin Shuçelicë të Bujanovcit, i cili ndodhet në oborrin e një kishe serbe. E pas kësaj ngjarjeje, policia lokale që natyrisht drejtohet nga serbë, ka nisur të mbledhë “dëshmi” për “dhunimin” dhe ka gjasa që shumë shpejt në Preshevë të shkojnë forcat speciale të xhandërmarisë.

“Sputnik”, portali i Kremlinit, shkruan se në Bujanovc është dhunuar flamuri serb, kryqi edhe pusi i kishës.

“Pusi i kishës në fshatin Shuçelica afër Bujanovcit u përdhos. Kryqi që është atje u dëmtua, flamuri serb u shqye”, shkruan “Sputnik” pa dhënë asnjë referencë apo citim mbi ngjarjen.

Vetë “Sputnik”, thekson se banorët e fshatit kanë deklaruar në polici se nuk ka ndodhur asnjë ngjarje e këtij lloji, e megjithatë mediat serbe po e sajojnë këtë lajm të rremë për të justifikuar një ndërhyrje policore.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç,  para pak ditëve ka deklaruar në Parlament se Lugina është jugu i Serbisë dhe ka shtuar se investimi i Beogradit do të rritet në zonë. Ndërkaq, Vuçiç menjëherë bëri të ditur se komuna e Medvegjës nuk është më shqiptare.

“Ne dëgjojmë rregullisht se si Lugina e Preshevës përfshin Medvegjën, dhe pyetja është se ku janë kaq shumë shqiptarë në Medvegjë. Kur citoni numrat, a e shikoni se nuk ka aq shumë shqiptarë në Medvegjë, të cilët ne i respektojmë, por janë 30 herë më pak se serbët. Ndërkaq Serbët në Bujanovc  nuk kanë përfaqësi politike pasi pushtetin e kanë vetëm shqiptarët”, tha Presidenti i Serbisë, në fjalën e mbajtur përpara Parlamentit.

Vuçiç, duke folur për largimin e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, i ka dhënë një dimension ku ka parashikuar të ardhmen pa shqiptarë në Luginë.

“Unë hapa tre fabrika në qarkun e Vranjës, si dhe në Leskoc. Kam frikë se do të ketë probleme me disa investitorë për shkak të Covid-19“, tha Vuçiç.

Leave a Comment

Your email address will not be published.