Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se rreth 90 për qind të rasteve të infektimit me koronavirus në Kosovë, janë të lidhura me variantin Delta. Sipas tyre, ky variant, sikur edhe në shumë vende të botës, është dominues edhe në Kosovë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se përfundimi i pandemisë së koronavirusit është i largët, dhe se varianti Delta po përhapet me shpejtësi.
“Pandemia është larg përfundimit dhe duhet ta kuptojmë se hezitimet për t’u vaksinuar do ta përkeqësojnë situatën” është shprehur Vitia derisa ka folur për rritjen e rasteve të Covid 19 gjatë ditëve të fundit në Kosovë.
“Pas një periudhe të konsiderueshme të qetë në vendin tonë dhe për fat të mirë pa raste të vdekjeve të dhënat nga IKSHPK na tregojnë se kemi rritje të rasteve krahas rritjes së numrit të testimeve. Ky numër do te reflektojë në rastet aktive me COVID 19 dhe me këtë edhe që të kemi rritje të rasteve. Ne duhet të veprojmë dhe të përdorim ato mundësi dhe instrumente qe kemi në dispozicion për të parandaluar shpërndarjen e virusit. Sot kur vendi ynë ka vaksina kundër Covid 19 sot kur qytetarët kanë mundësi të zgjedhin vaksinën… nuk ka asnjë arsye për tu mos vaksinuar” ka thënë Vitia.
Ndërsa shefi i mikrobiologjisë në IKSHPK Xhevat Jakupi, ka thënë se “Varianti Delta përhapet shumë më shpejt dhe nënkupton që do të preken më shumë njerëz… Është e domosdoshme që të gjithë njerëzit që nuk janë vaksinuar të vaksinohen sa më parë veçanërisht nuk duhet me pas asnjë 50 vjeçar që nuk është vaksinuar qoftë me një dozë e më së miri me të dy dozat” është shprehur Jakupi.
Jakupi ka thënë se IKSHPK-ja ka mbledhur 100 mostra për variantin Delta për t’i dërguar jashtë vendit por nuk kanër arritur ende t’i dërgojnë.
“Ne kemi planifikuar që nga kjo e hënë afër 100 mostra jashtë vendit përmes një projekti të përbashkët por kompani përgjegjësie nga Kosova nuk ka kapacitetet njohuri profesion për me e kry këtë proces jemi në proces të dërgimit të tyre të mostrave përmes një kompanie tjetër” ka thënë ai.
Ministria Vitia më tutje ka bërë të ditur se ato vaksina që u skadon afati deri më 31 korrik tashmë janë dhënë të gjitha.
“Një pjesë e madhe e vaksinave është dhënë nuk e kam informatën e saktë se sa kanë mbetur atyre që iu skadon afati me 31 korrik janë dhënë të gjitha e atyre që iu skadon më 31 gusht janë duke e dhënë shpresojmë që të përfundojnë. Ne do përcjellim trendin ashtu siç do bëjnë edhe vendet e tjera në momentin që kemi situata të qeta do të lehtësohen masat ashtu siç do të ndërmerren masat nëse keqësohet situata” është shprehur Vitia.
Ai më tutje ka thënë se Prishtina ka numrin të më madh të të interesuarve për t’u vaksinuar, gjersa në komunat të vogla ka një hezitim të shtuar të qytetarëve për t’u vaksinuar.
“Në Prishtinë janë shtuar dhe do vazhdojnë të shtohen kapacitetet. Në anën tjetër kemi filluar që edhe në komunat e veçanta edhe të komunitetit të ndikojmë te qytetarët në informimin e tyre sa më korrekt për të shkuar dhe për të marrë vaksinë” ka thënë më tutje Vitia.
Më 29 korrik autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë konfirmuar 72 raste të reja me koronavirus. Ato kanë rezultuar pas testimit të 2,443 mostrave.
Në Kosovë, që nga fillimi i pandemisë pranverën e vitit të kaluar, janë konfirmuar gjithsej 108,203 raste me koronavirus.
Prej tyre, 2,265 pacientë kanë vdekur dhe 105,633 janë shëruar. Deri të enjten, në Kosovë janë dhënë 400,217 vaksina kundër koronavirusit – 12,123 vetëm në 24 orët e fundit. Mbi 130,000 qytetarë janë të vaksinuar plotësisht.