Çdo qytetar i Kosovës, nëse do që të shijojë aktivitetet shoqërore, është i obliguar të vaksinohet të paktën me dozën e parë të vaksinës. Ky vendim, që pritet të hyjë në fuqi më 11 gusht, u mor të premten.
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit bëri të ditur se çdo qytetar i Kosovës, në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqëror, qoftë në qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare, obligohet që të marrë vaksinën anti-COVID, pasi nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet.
Kështu thuhet në një postim të kësaj Ode në rrjetin social Facebook.
“Drejtori i departamentit të sallave të dasmave pranë Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Driton Hoti, ka mbajtur sot një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Takimi ishte për qëllim të diskutimit rreth ngritjes së rasteve të të infektuarve me Covid-19 dhe nga ky takim u vendos të merret një vendim.
Çdo qytetar i Kosovës, në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqërorë, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet të marrë vaksinën anti-COVID, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të jenë pjesë në asnjë aktivitet”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, sa i përket stafit punues të këtyre sektorëve obligohen që deri më datë 12 gusht të përfundojnë të paktën dozën e parë të vaksinimit. Gjithashtu sa i përket orarit të klubeve të natës u bisedua që të ketë zgjatje pra këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në orën 03:00 pas mesnate.
Këto vendime priten të hyjnë në fuqi më datë 11.08.2021. Të premten, Kosova regjistroi 271 raste të reja me koronavirus, që paraqet rritje të rasteve, krahasuar me një ditë më herët kur u regjistruan 195 raste të reja. Rastet e reja dolën pas testimit të 4.666 mostrave. Që prej 13 marsit të vitit 2020 deri më 6 gusht 2021, Kosova ka regjistruar gjithsej 109.310 raste me COVID, 2.270 viktima dhe 105.719 të shëruar.
Sa u përket testimeve, në 24 orët paraprake janë administruar 8.188 doza të vaksinës. Që prej fundit të marsit të vitit 2021, kur nisi procesi i vaksinimit, në Kosovë janë administruar 478.084 doza të vaksinës, ku 165.190 persona janë vaksinuar plotësisht me të dy dozat.
Në Kosovë, qytetarët mund të zgjedhin nëse duan të vaksinohen me vaksinën AstraZeneca apo Pfizer. Qeveria e Kosovës mëton që deri në fund të këtij viti, të imunizojë kundër koronavirusit 60 për qind të popullatës.