Një shkrim i titulluar “Rama apo Kurti? Kush është “alpha” i shqiptarëve”, është botuar në portalin serb “Alo!”, duke bërë një përmbledhje të të gjithë marrëdhënies mes tyre
Mediat serbe kanë bërë një analizë të marrëdhënies mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij nga Kosova, Albin Kurti. Një shkrim i titulluar “Rama apo Kurti? Kush është “alpha” i shqiptarëve”, është botuar për “Alo!”, duke bërë një përmbledhje të të gjithë marrëdhënies mes tyre.
Kurti goditi Ramën
Diplomati, tashmë në pension, Zoran Milivojevic kujton se rivaliteti midis Ramës dhe Kurtit daton më herët dhe se Kurti tani ka intensifikuar aktivitetet e tij sepse siç thekson ai, zgjedhjet lokale janë shumë të rëndësishme në Kosovë.
“Edhe para zgjedhjeve në Shqipëri, ato të fundit në të cilat i fitoi Rama, ishte e qartë se kishte një ndryshim në qëndrimet dhe qasjet politike midis “Vetëvendosjes” së Kurtit që mori pjesë në ato zgjedhje, dhe partisë së Ramës, por edhe mes tyre personalisht,”- tha Milivojevic.
Për serbët, Kurti u përpoq të depërtonte në zgjedhjet parlamentare të shqipërisë me idenë se nga ai pozicion do të ishte në gjendje të zinte ngadalë vendin e udhëheqësit të shqiptarëve në rajon.
Ekstremistët shqiptarë janë grupi i synuar i Kurtit
“Sidoqoftë, ata janë shumë të ndryshëm strategjikisht dhe ideologjikisht, dhe pjesëmarrja e Kurtit në ato zgjedhje nuk ishte e mirëpritur, sepse nuk doli mirë. Rama është një politikan pragmatik dhe në një farë mënyre udhëheq një politikë racionale që plotëson nevojat e rajonit dhe BE -së. Unë mendoj se kjo politikë ka edhe mbështetjen e Perëndimit, i cili është një lloj sponsori i Shqipërisë,”-shtoi Milivojevic.
Kurti, nga ana tjetër, shton diplomati, ndjek një politikë joracionale dhe luan kartën e nacionalizmit ekstrem shqiptar, veçanërisht kur bëhet fjalë për Serbinë, me shpresën se ekstremistët shqiptarë në rajon do ta mbështesin atë për të hequr Ramën nga “froni”.
Rama dërgoi një mesazh të qartë nga Shkupi
Milivojevic shpjegon faktin se Rama ka theksuar vazhdimisht se Kosova është pjesë e Shqipërisë dhe qëllimi strategjik i Kurtit është të bashkojë Kosovën me Shqipërinë. Që do të thotë se aspiratat e tyre janë të njëjta, me një ndryshim në qasjen për arritjen e këtij qëllimi, duke vënë në dukje se Rama është duke pritur hyrjen e Shqipërisë në BE, ndërsa Kurti dëshiron ta përdorë idenë për pikë politike.
Marrë dhe përshtatur nga Alo.rs