Në mars të vitit 2011, Kosova e Serbia filluan dialogun teknik me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Pas katër viteve dialog, Prishtina e Beogradi nënshkruan 38 marrëveshje për një varg gjërash. Ndonëse kanë kaluar më shumë se një dekadë ka fillimi i dialogut të lehtësuar nga BE, hulumtimet e ndryshme ndër vite kanë theksuar mungesën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura përgjatë dialogut teknik.
Marrëveshja e parë e arritur nga dy shtetet, që ende se njohin njëra-tjetrën, ishte ajo për librat e gjendjes civile, e cila u nënshkrua më 2 korrik 2011 nga Edita Tahiri, kryenegociatore e Kosovës, dhe Borko Stefanovic, udhëheqësi i delegacionit të Serbisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Marrëveshja për njohjen e diplomave e nënshkruar më 2 korrik 2011, që synonte njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, do të pranonte reciprocikisht diplomat e universiteteve kosovare, në të cilën diplomojnë studentët e Luginës së Preshevës, dhe Universitetit të Mitoricës Veriore, në të cilën diplojnë serbët e veriut.
I njëjti Universitet, që nga autoritet kosovare njihej si paralel, punonte sipas sistemit arsimor serb.
Por, kjo marrëveshje nuk është se pati shumë ndikim dhe zbatimi i saj ka çaluar në terren. Prandaj, të dy vendet ripërtërin premtimin për njohjen e diplomave kur nënshkruan Marrëveshjen e Washingtonit në shtator 2020.
Kjo marrëveshje nuk është se u zbatua në tërësi, njëkohësisht duke bërë që qytetarët kosovarë të shmangin kalimin nëpërmes territorit të Serbisë dhe anasjelltas.
Marrëveshja për regjistrat kadastral, vulat doganore e menaxhimin e integruar të kufirit janë marrëveshjet që u nënshkruan po ashtu gjatë vitit 2011, shkruan Reporteri.net.
Këto marrëveshje nuk është se u mirë zbatuan, posaçërisht ajo për regjistrat kadastral.
Ndërkaq gjatë viteve 2012 e 2013, Kosova e Serbia nënshkruar edhe disa marrëveshje përfshirë atë për policinë, doganat e fondin zhvillimor, drejtësia e shkëmbimin e zyrtarëve ndërlidhës.
Në vitin 2014, u nënshkrua marrëveshja për revitalizimin e Urës së Mitrovicës e që nënkuptonte hapjen e urës për lëvizje të lirë.
Ndoshta Marrëveshja për Urën shpërfaq dështimin më spektakular të dialogut për zbatimin e qëndruehsëm të marrëveshjeve.
Edhe pas 7 viteve e nënshkrimeve të konkluzioneve për urën dhe planeve për zbatim, ura mbi lumin Ibër vazhdon të mbetët e mbyllur. Ndërkaq, statusi i zonave Suhadoll dhe Kroi i Vitakut mbetet ende i paqartë dhe i kontestueshëm ndërmjet komunës së Mitrovicës së Jugut e Mitrovicës së Veriut.
E dialogu politik, që u udhëhoq nga ish-kryeministrat Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Avdullah Hoti, solli një mori marrëveshjesh, shkruan Reporteri.net.
Marrëveshja kryesore e dialogut politik të lehtësuar nga BE është ajo për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të nënshkruar më 19 prill 2013, që parashihte themelimin e një strukture të komunave të banuara me shumicë serbe me synimin e integrimit të serbëve.
Kjo marrëveshje u kundërshtua ashpër nga opozita në Kosovë dhe ende ka mbetur e pazbatueshme. Madje Statusi i ASK është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila konkludoi se Marrëveshja për Statusin e shkel Kushtetutën në plotë 31 vende.
Në vitin 2020, pas stagnimit për disa vite të dialogut si pasojë e taksës e problemeve tjera të shkaktuara nga Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën timonin e udhëheqjes së dialogut.
Nën udhëheqjen e Richard Grenell, përfaqësues special i ish-presidentit Trump për Kosovë e Serbi, u nënshkrua marrëveshja për normalizimin ekonomik që gjerësisht u njoh si Marrëveshja e Washingtonit.
Edhe kjo marrëveshje u kundërshtua ashpër posaçërisht nga Albin Kurti, kryeministër aktual i Kosovës.
Dje Qeveria Kurti II mori vendim për mos lejimin e udhëtimit në Kosovë me targa serbe, duke vendosur reciprocitet në vendosjen e targave provuese për veturat më targa serbe që hyjnë në vend. /Reporteri.net/.