DOKUMENTET DIPLOMATIKE JUGOSLLAVE: Kështu nisi shpërngulja e shqiptarëve drejt Turqisë!

Do të shpërngulen 40.000 familje myslimane të popullsisë fshatare nga viset e bashkuara pas luftërave të viteve 1912-1913 (që arrin rreth 200.000 persona), sipas listës të cilën do ta përpiloj komisioni jugosllav. Konventa është stilizuar në atë mënyrë saqë bëhet fjalë si për popullsinë turke, po ashtu edhe për atë shqiptare, edhe pse kjo nuk është thënë shprehimisht…

Nga Qerim LITA

Me 11 korrik të vitit 1938 në Stamboll, u parafua Konventa turko-jugosllave, me të cilën parashihej që brenda harkut kohor 1939-1944 nga Jugosllavia të shpërnguleshin 40.000 familje shqiptare myslimane, ose mbi 200.000 banorë. Sipas asaj konvente, shpërngulja duhej të fillonte nga 1 korriku i vitit 1939. Palët negociuese, këtë hapësirë kohore e kishin lënë për shkak kryerjes së të gjitha formaliteteve, si nënshkrimi, përkatësisht ratifikimi i Konventës, hartimi i listave të popullsisë që parashikohej të shpërngulej në vitin e parë, sigurimi i mjeteve etj. Vdekja e kryetarit të Turqisë, Mustafa Qemal – Ataturku (10 nëntor 1938) nga njëra anë, si dhe rënia e Qeverisë Stojadinoviq (mars 1939), nga ana tjetër, ishin shkaqet kryesore për vonesën nënshkrimit të Konventës.

Kjo çështje u aktualizua në pjesën e dytë të muajit prill 1939. Ministri i Jashtëm jugosllav, Cincar Markoviq, më 20 prill 1939 i telegrafonte të deleguarit jugosllav në Ankara, Axhemoviq, për takimin e tij në Londër me ministrin e Jashtëm turk, Rushdi Aras, i cili i paska deklaruar se “Turqia pas ngjarjeve të paradokohshme në Shqipëri (pushtimi nga trupat fashiste italiane – Q.L.), nuk do t’i ndryshoj pikëpamjet e saja të mëhershme dhe se do të pranoj ta nënshkruaj dhe ta përfundoj Konventën për shpërnguljen e myslimanëve nga Serbia Jugore (Kosova dhe trevat shqiptare në Maqedoni, Sanxhak dhe Mal të Zi – Q.L.), të cilën vitin e kaluar e parafuan delegacioni ynë dhe ai turk”. Një ditë më pas, Axhemoviq, përmes një letre të shifruar, pasi pajtohej plotësisht me C. Markoviqin, kërkonte që Konventa, të nënshkruhet dhe të ratifikohet sa më parë:

“…Siç kam propozuar shumë herë në formë të shkruar dhe gojore – shkruante Axhemoviq- nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjes së arritur me Turqinë për shpërnguljen e turqve dhe myslimanëve me kulturë turke nga Serbia Jugore, me këtë rast kam nderin që për këtë çështje t’ua bëj me dije dhe t’u lusë që arritja e marrëveshjes, për të cilën është punuar aq shumë, të nënshkruhet e të ratifikohet sa më parë. Turqit ende janë dakord që këtë ta bëjnë, pasi në këtë mënyrë do të arrinin te elementet e përshtatshme. Sidomos shqiptarët për mbulimin e brezit në kufirin kah kurdët, Irakut dhe Iranit, e në të cilin brez vitin e kaluar i dëbuan dhe i shpërndanë kurdit e tyre….”.

Rrjedhimisht, më 25 prill 1939, Ministria për Punë të Jashtme e Mbretërisë jugosllave, përmes një letre të shifruar, autorizoi të deleguarin e vet në Ankara, Axhemoviq që të bisedoj me autoritetet qeveritare turke për datën e nënshkrimit të atij dokumenti, si dhe ratifikimi i tij nga ana e dy parlamenteve. Letrës i ishte bashkangjitur edhe një dokument me titull: “Referat të përgjithshëm për shpërnguljen e popullsisë myslimane nga Serbia Jugore”, i cili ishte hartuar më 6 prill të atij viti, e të cilin në vazhdim po e paraqesim të plotë:

 

“SHPËRNGULJA E POPULLSISË MYSLIMANE NGA SERBIA JUGORE

(REFERAT I PËRGJITHSHËM)

KOLONIZIMI I VISEVE JUGORE

Numri i madh i popullsisë shqiptare e turke (490.000 shqiptarë dhe 135.000 turq) të cilët gjenden në viset tona jugore të bashkangjitura pas luftërave ballkanike, përbën problem të madh si në planin nacional po ashtu edhe në atë strategjik. Pas përfundimit të Luftës Botërore, te kjo popullsi ekzistonte një lëvizje e përgjithshme për shpërngulje në Turqi dhe Shqipëri, mirëpo kjo më vonë qe ndërprerë, për arsye se këta dy shtete e ndërprenë të japin viza hyrëse. Çështja e kolonizimit të këtyre krahinave me elementin tonë nacional nga viset e thata, e cila njëherit përbën edhe interesin ekonomik, lidhet ngushtë me shpërnguljen e popullsisë myslimane.

PUNA GJATË VITEVE 1935-1937

Në shtator të vitit 1935 janë mbajtur disa konferenca ndërministrore në Ministrinë tonë për Punë të Jashtme, në të cilat qe vendosur: nevojitet që me të gjitha mjetet të frenohet propaganda shqiptare kundër shpërnguljes, dhe pushtetet ynë i tatimeve, financave dhe i arsimit për atë qëllim në mënyrë të rreptë t’i zbatojnë të gjitha dispozitat ligjore (shkollimin e detyrueshëm etj.) dhe në atë mënyrë t’i detyrojnë për t’u shpërngulur. Në këndvështrimin e këtyre konkluzioneve në prill të vitit 1936 u urdhëruan organet vendore, mirëpo në shtator të vitit 1936 i tërë aksioni qe detyruar të ndërpritet për shkak reagimit në atë kohë nga ana e popullsisë shqiptare.

Ndërkohë Pushteti Agrarë kryente popullzimin e popullsisë nacionale (serbe e malazeze – Q.L.) në Serbinë Jugore përmes konfiskimit të të ashtuquajturës tokës së tepruar dhe blerjes së tokës në pronësi të popullsisë shqiptare e turke. Kështu p.sh., gjatë vitit 1936, qenë vendosur 5000 familje serbe. Këtë aksion e ka penguar fakti se pushteti turk dhe ai shqiptar refuzonin të jepnin viza hyrëse, përkatësisht shpërngulësh.

NEGOCIATAT E MËHERSHME ME TURQINË

Para disa viteve qenë zhvilluar negociata me Qeverinë e Turqisë për shpërnguljen e kësaj popullate. Nga ana e Turqisë në mënyrë të vazhdueshme insistohej që ato negociata të ndërpriten, me arsyetimin se u mungojnë mjetet financiare për vendosjen njëkohësisht të emigracionit nga Rumania dhe Jugosllavia. Asaj kohe nga ana e Turqisë qe theksuar se ata më me dëshirë do ta pranonin popullsinë tonë shqiptare; me siguri në ndërkohë te ta ka intervenuar Qeveria shqiptare.

SHPËRNGULJA E POPULLSISË TURKE NGA VENDET TJERA BALLKANIKE

Viteve të fundit Turqia është përpjekur në mënyrë intensive të kolonizoj vendin e vet me popullsi myslimane nga vendet ballkanike. Kjo formë e shpërnguljes filloi me Konventën greko-turke për shkëmbimin e popullsisë greke e turke nga 30 janari i vitit 1925, e cila u nënshkrua pas disfatës greke në Azi të Vogël; ajo konventë parashihte shpërnguljen e domosdoshme të grekëve nga Turqia dhe të turqve nga Greqia, në përjashtim të Stambollit dhe të Thrakisë Perëndimore, kështu që nga Turqia për në Greqi janë shpërngulur rreth 1.500.000 banorë.

Konventën me Rumaninë, për shpërnguljen e turqve nga Dobruxha, Turqia e nënshkroi më 4 shtator të vitit 1936. Kjo konventë parashikonte popullzimin gradual sipas zonave; Rumania obligohej të paguaj një shumë të konsiderueshme të dëmshpërblimit për tokën e lënë nga ana e të shpërngulurve. Midis Bullgarisë dhe Turqisë në vitin 1937 është arrit marrëveshja për shpërnguljen e një numri të vogël të popullsisë turke nga Bullgaria për në Turqi.

VENDIMI I LIDHJES SË MARRËVESHJES BALLKANIKE I MUAJIT SHKURT TË VITIT 1938

Në mbledhjen e Lidhjes së Marrëveshjes Ballkanike, të mbajtur në Ankara më 25-27 shkurt 1938, ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Rushdi Aras ngriti çështjen e shpërnguljes së turqve nga vendet ballkanike dhe propozoi të formohet një Komision të përbërë me nga dy përfaqësues rumun, jugosllav dhe turk dhe një vëzhguesi grek, i cili do ta hulumtonte atë çështje. Propozimi qe pranuar dhe u vendos që ky komision të takohet në muajin prill të vitit 1938.

PUNA E KONFERENCAVE NDËRMINISTRORE GJATË VITIT 1938

Pas vendimit të Lidhjes së Marrëveshjes Ballkanike në Ministrinë për Punë të Jashtme janë mbajtur pesë konferenca ndërministrore, të cilat kishin për qëllim të përgatisin material për konferencën e projektuar dhe të përcaktoj qëndrimin tonë (8 mars, 13 prill, 30 maj, 15 dhe 18 qershor 1938).

Në ato konferenca qe vendosur që në radhë të parë do të shpërngulej elementi fshatar, me çka do të arrihej deri te sipërfaqja e lirë e tokës bujqësore për kolonizim. Është diskutuar edhe për numrin e popullsisë, të cilët Turqia dëshironte ta pranoj. Është vendosë që Qeverisë së Turqisë t’i paguhet dëmshpërblimi prej 15.000 dinarë për një familje të shpërngulur, përkatësisht 2-3.000 dinar për person; nga ajo shumë 20% do të paguhej në deviza të lira, ndërsa 80% është lënë në llogari të Qeverisë së Turqisë në Bankën Kombëtare për furnizim me mall te ne.

NEGOCIATAT NË STAMBOLL

Pas vendimit të Këshillit të Marrëveshjes Ballkanike, Komisioni për shpërngulje më 9 qershor 1938 u mblodh në Stamboll dhe deri më 11 korrik mbajti tetë mbledhje. Kryesoi i deleguari turk Hasan Saka. Delegatët tanë ishin z. M. Ristiq, shef i Dhomës Politike pranë Ministrisë për Punë të Jashtme, dhe z. V. Magovçeviq, inspektor i Ministrisë së Bujqësisë. Morën pjesë edhe delegati rumun dhe mbikëqyrësi grek.

Negociatat midis nesh dhe turqve u zhvilluan në një Komitetet special të reduktuar, në të cilën nuk morën pjesë rumunët dhe grekët. Negociata ishin të gjata, turqit insistonin veçmas në anën financiare (dëmshpërblimin), duke u treguar të ndjeshëm edhe për të gjitha pikat tjera. Më 11 korrik përfunduan negociatat dhe u parafua teksti i Konventës.

DISPOZITAT KRYESORE TË KONVENTËS

Konventa përfshin këto dispozita kryesore:

  1. Do të shpërngulen 40.000 familje myslimane të popullsisë fshatare nga viset e bashkuara pas luftërave të viteve 1912-1913 (që arrin rreth 200.000 persona), sipas listës të cilën do ta përpiloj komisioni jugosllav;
  2. Konventa është stilizuar në atë mënyrë saqë bëhet fjalë si për popullsinë turke, po ashtu edhe për atë shqiptare, edhe pse kjo nuk është thënë shprehimisht;
  3. Shpërngulja do të filloj më 1 korrik të vitit 1939, dhe do të zgjasë gjashtë vjet, në atë mënyrë që vitin e parë do të shpërngulen 4.000 familje, vitin e dytë 6.000, vitin e tretë dhe të katërt nga 7.000, vitin e pestë e të gjashtë nga 8.000;
  4. Qeveria jugosllave, për çdo familje të shpërngulur do t’i paguaj Qeverisë së Turqisë nga 500 lira, përkatësisht gjithsej 20.000.000 lira turke; pagesa do të kryhet në gjysmëvjetorin e parë më 1 prill dhe në të dytën më 1 tetor për çdo vit, edhe 30% e shumës në deviza të lira, ndërsa 70% do të deponohen në Bankën Kombëtare në llogari të Qeverisë turke, nga e cila shumë ajo do të blej mallra nga ne;
  5. Tërë pasuria e patundshme e familjes së shpërngulur fshatare do ta pranoj shteti jugosllav, të cilën do ta shfrytëzoj për qëllime të kolonizimit;
  6. Popullsia qytetare, e cila nuk bjer nën dispozitat e kësaj Konvente, edhe më tej mund lirisht të shpërngulet (ndërkohë shpërngulja e popullsisë fshatare është obligative, nëse gjendet në listën e të shpërngulurve);
  7. Qeveria jugosllave do të kryej transport falas deri në Selanik për të shpërngulurit, duke llogaritur për çdo familja nga katër krerë kafshë shtëpiake të mëdha dhe dhjetë krerë të kafshëve të vogla.

HYRJA NË FUQI E KONVENTËS

Sipas dëshirës së delegacionit turk Konventa u desh të nënshkruhet shumë shpejt pas parafimit. Mirëpo ajo nuk u krye, dhe Konventa ende nuk është nënshkruar. Çështja e nënshkrimit sërish u aktualizua, pasi sipas dispozitave të Konventës shpërngulja duhet të filloj nga 1 korriku k.v..

Ministria për Punë të Jashtme për këtë çështje u është drejtuar ministrive të interesuara. Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Ushtrisë dhe Marinës kanë shprehur pëlqimin e tyre që të shkohet në nënshkrimin e Konventës, ndërsa Ministria e Financave i ka kryer vërejtjet e saja përkatësisht detajet e obligimeve tona financiare të dal nga Konventa. I deleguari i këtushëm turk ka deklaruar se Qeveria turke është e gatshme ta nënshkruaj, ratifikoj dhe ta realizoj Konventën. Nënshkrimi do të mund të kryhet, sipas fjalëve të tij, qoftë në Beograd qoftë në Ankara.

RATIFIKIMI I KONVENTËS

Parashtrohet edhe çështja e ratifikimit të një Konvente tash më të nënshkruar. Nuk do të ishte e përshtatshme që ligjshmëria e saj të shkohet përmes rrugës së rregullt përmes përfaqësuesve të popullit. Kjo mënyrë do të mund të shkaktonte debat të papërshtatshëm dhe Konventa të përjetoj një publicitet të padëshirueshëm. Mënyra më e përshtatshme e ratifikimit do të ishte përmes rrugës së rregulloreve të Këshillit të Ministrave (neni 113 të Ligjit financiar për vitin 1939.40), me të cilin ligjshmëria do të mund të kryhej në mënyrë plotësuese me Ligjin e ardhshëm financiar.

ORGANIZIMI I ZBATIMIT TË KONVENTËS

Organizimi i zbatimit të kësaj Konvente përbën punë të madhe, pasi duhet të shpërngulen 200.000 njerëz me një pjesë të pasurisë së tundshme dhe të kafshëve të mëdha e të vogla. Zbatimi duhet të kryhet me incidente dhe afera sa më pak që është e mundur sepse me siguri se do të vij deri te ndikimi i brendshëm dhe i jashtëm që të pengohet zbatimi.

Për shkak të gjitha këto arsye nevojitet që zbatimi i shpërnguljes të përgatitet paraprakisht dhe incidenteve t’u bëhet ballë përmes organizimit të mirë. Prandaj do të ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme të përcaktohet një plan, i cili do ta parashihte tërë organizimin dhe kompetencën e organeve të caktuara dhe të siguronte mjetet e nevojshme materiale. Një plan i tillë deri më tash nuk është hartuar, porse ka ekzistuar kryesisht si një ide.

Konventa (neni XVIII) parasheh vetën një Komision special, të emëruar nga Qeveria jugosllave, e cila listat vjetore e të shpërngulurve dhe diplomatëve turq do ua dorëzoj për verifikim.

Më 6 prill 1939”.

Leave a Comment

Your email address will not be published.