Alfabeti latin ndihmoi në lidhjet me perëndimin, përmbyllet manifestimi “Ditët e Alfabetit” në ITSHKSH

Të hënën u mbajt solemniteti qendror i manifestimit kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit”, me rastin e shënimit të 113-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe 14- vjetorit të themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Në fjalën e hapjes, drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, tha se Kongresi i Alfabetit, mbajtur nga 14 – 22 nëntor 1908 në Manastir, e oksidentalizoi kulturën e shkrimit shqip, si një mundësi e favorshme për ta shkëputur rrjedhën e historisë nga anarkia e shkronjave me alfabete të ndryshme në një alfabet unik. “Duke kujtuar Kongresin e Alfabetit të mbajtur më 14 – 22 nëntor 1908, nervi i reagimit shkencor e kulturor bëhet më i prekshëm ndaj detyrimeve tona shoqërore e institucionale për gjuhën shqipe, si instrument mjaft i rëndësishëm në rrafshin e komunikimit shoqëror. Uroj që në vitet në vijim kultura e gjuhës dhe e komunikimit në mes të njerëzve të zgjerojnë dioptrinë e vrojtimit në ato pika ku e përbashkëta shkrihet në shtratin kohor të së ardhmes”, tha veç tjerash drejtori Asani.

“Ditët e Alfabetit” si manifestim tradicional shkencor e kulturor po vjen duke e marrë fizionominë e mirëfilltë edhe në saje të mbështetjes institucionale. Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministër i Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, e përfshëndeti manifestimin, duke uruar gjithë shqiptarët për këtë festë kombëtare, dhe veçanërisht punonjësit e Institutit për ditëlindjen e këtij institucioni të rëndësishëm shkencor dhe kulturor në vend. “Tashmë 14 vite me radhë po e dëshmojmë edhe në mënyrë institucionale, përmes institucioneve tona që me përpikmëri realizojmë hulumtime shkencore, aktivitete arsimore dhe kulturore për të promovuar vlerat identitare të shqiptarëve të këtij vendi”, tha Grubi.

Duke rikujtuar shprehjen e Naim Frashërit “Për ne Dielli lind një Perëndim”, edhe ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut, Siril Bomgartner, e theksoi rëndësinë e përdorimit të alfabetit latin në gjuhën shqipe.

“Më 14 nëntor 1908 elita shqiptare e tubuar në Kongresin e Manastirit e përzgjodhi alfabetin latin. Kjo përzgjedhje përkonte me një vendim të madh me vetëdije të plotë, atë të një perspektive perëndimore dhe të një orientimi strategjik drejt perëndimit”, tha Siril Bomgartner, ambasador i Francës në RMV.

E zëvendës ambasadori amerikan në Shkup, Erik Mejer, u shpreh se është koha që historia të kthehet në element ndërtues që i bashkon njerëzit e Ballkanit.

“SHBA vlerësojnë trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore po aq sa edhe diversitetin në Maqedoninë e Veriut dhe do të vazhdojmë të promovojmë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin mes komuniteteve të ndryshme në vend”, tha Erik Mejer, zv/ambasadori i SHBA-së në RMV.

Ambasadori  italian Andrea Silvestri mori pjesë në ceremoninë e mbylljes së Ditëve të Alfabetit Shqip të organizuar në Shkup nga 14 deri më 22 nëntor. Edicioni i sivjetshëm, i organizuar nga Instituti për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, i kushtohet kulturës, gjuhës dhe traditës së komunitetit arbëresh italian, një popullsi që sot numëron rreth 100 mijë banorë dhe është vendase nga fshatrat shqiptare të Epirit, Atikës dhe Moresë, të cilët u vendosën në Italinë jugore pas pushtimit osman midis shekujve XV dhe XVIII, duke ruajtur traditat dhe gjuhën e tyre deri në ditët e sotme dhe duke ruajtur gjithmonë një lidhje të fortë me tokën dhe kulturën e prejardhjes. Ambasadori kujtoi se sipas ligjit nr. 482/1999, gjuha shqipe është ndër gjuhët e mbrojtura në Itali, ndërsa kultura dhe ritualet e popullatës arbëreshe vitin e kaluar u nominuan zyrtarisht nga Italia dhe Shqipëria që të përfshihen në listën e Trashëgimisë Botërore Jomateriale të UNESCO-s, me titullin “Moti i Madh”. Ekzistenca e këtij komuniteti – përfundoi Ambasadori – përfaqëson një shenjë të prekshme dhe të gjallë miqësie dhe afërsie mes popullsive të Italisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në manifestimin përmbyllës “Ditët e Alfabetit” në ITShKSh përmes një videolidhjejej u paraqit ambasadori i Izraeilit Dan Orian, kurse i pranishëm ishte i Shqipërisë Fatos Reka si dhe profesor Anton Nikë Berisha – në emër të Universitetit të Kalabrisë dhe Pelermos, ku ende studiohet gjuha e kultura arbëreshe. Gjatë tetë ditëve të kaluara, në kuadër të “Ditëve të Alfabetit”, u shtjellua tema si gjuha, letërsia, kultura dhe tradita arbëreshe.

Leave a Comment

Your email address will not be published.