Fanatikët e 1914’ës: S’duam Shqipëri etnike, duam ferexhe dhe fenë e Pejgamberit

Një shkrim i portalit Konica.al mbi dukurinë e bartjes së niqabit në kryeqytetin e Kosovës solli reagime të egra nga një pjesë fanatike e shoqërisë në të dyja anët e kufirit.

Pavarësisht se lajmi ishte veçse një raportim i thjeshtë për një dukuri që nga vetë prishtinasit konsiderohet e pazakontë, feedback-u i një pjesë komentuesish ishte skajshmërisht intolerant, fyes dhe akuzues.

Në zemër të ‘argumentimit’ të atyre që përligjnin bartjen e niqabit dhe burkës, që për hir të së vërtetës është i ndaluar edhe në disa vende myslimane si Egjipti dhe Çadi, ishte pretendimi për mbrojtjen e shoqërisë nga ‘degjenerimi’ që sjell zhveshja.

Sipas rezonimit të tyre, burka është antiteza e ‘shthurjes’ moderne shoqërore.

Pa hyrë në thellësitë e komenteve të ngjashme, analogjia e tyre me arsyetimin që bënin ‘dumbab’-istët në vitin 1914 është evidente.

Në vend të përgjigjjes, portali Konica.al sjell një shkëputje nga libri ‘Viti i mbrapshtë’ i Ismail Kadaresë.

Fjalët që vë në gojën e Kus Babajt janë kryekreje identitike me ato që thuhen sot e gjithë ditën në rrethe të ngushta fanatikësh.

«Qeshëm e qeshëm si rrallë ndonjëherë, gjersa Kus Babaj e shtroi prapë muhabetin, po për punë qeverie këtë herë, politike si i thonë.

Shqipërinë duan ta prishin hainët, tha, duan të rrëzojnë minarete dhe t’i varin hoxhët nga gjuha dhe grave t’u heqin ferexhetë që t’i kthejnë në lavire, se po i ferexhenë gruas, lavire do të bëhet, kështu që gjithë Shqipërinë ta kthejnë në ruspihane.

Po allahu s’do t’i lërë, tha, dhe ne kurban do të bëhemi dhe do t’i varim hainët dhe edepsëzët siç bëmë në Shënepremte dhe siç bëmë në Zall-Herr e në Dumre e në Zall-Bastar, se hainët veç plumbi dhe litari i bie në vete dhe ca ulërijnë se duan Shqipëri me tri fe, e ca me katër, e ca Shqipëri të madhe, e ca Zoti e di ç’duan, kiametin e zi, ja këtë kërkojnë, por ne e dime ç’duam: as Shqipëri me tri fe, as me katër vilajete e as Shqipëri të madhe po Shqipëri të paktë e të saktë, vetëm me një fe – fenë e Pejgamberit..

(Ismail Kadare, Viti i mbrapshtë, Onufri, 2003, f.64)

Leave a Comment

Your email address will not be published.