Qeveria e Kosovës ka deklaruar se do të mundësojë që serbët e Kosovës me dyshtetësi të votojnë në referendumin e së dielës për ndryshim të Kushtetutës së Serbisë dhe në të njëjtën kohë po respektojnë praktikat më të mira ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka folur për Telegrafin pasi shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se qytetarëve serbë në Kosovë duhet tu lejohet votimi në këtë referendum.
Kryeziu ka thënë se ata tashmë e kanë bërë të qartë qëndrimin në lidhje me këtë çështje. Zëdhënësi i Qeverisë u shpreh se duke respektuar praktikat më të mira ndërkombëtare, po u mundësohet votimit qytetarëve serbë në Kosovë, përmes postës ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.
“Ne tashmë e kemi bërë të njohur dhe të qartë qëndrimin tonë. Serbët në Kosovë që kanë dyshtetësi mund të jenë pjesëmarrës në këtë referendum nëpërmjet votimin me postë ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë”, tha Kryeziu.
Ai shtoi se po respektojnë Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi, duke u mundësuar serbëve me dyshtetësi të votojnë.
“Organizimi i një referendumi për çështje krejt të brendshme të një shteti tjetër në territorin sovran të një shteti tjetër nuk njeh ndonjë praktikë të pranuar në ndonjë vend demokratik. Në këtë mënyrë po respektojmë kushtetutën dhe ligjet tona, po mundësojmë që serbët me dyshtetësi të votojnë dhe në të njëjtën kohë po respektojmë praktikat më të mira ndërkombëtare”, theksoi Kryeziu.
Një ditë më parë, edhe kryeministri i vendit Albin Kurti, ka thënë se serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë me postë ose në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë.
Përmes Twitter-it, Borrell tha se për këtë ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, qytetarët duhet të lejohen ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Kam folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në lidhje me referendumin për Kushtetutën që organizohet të dielën në Serbi. Mbledhja e votave në të kaluarën, është bërë përmes lehtësimin të OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, shkruan Borrell.
Por Kryeministri Kurti tha se referendumi në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar nga asnjë vend demokratik.
“Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë me postë ose në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar nga asnjë vend demokratik”, shkroi Kurti në Tëitter.
Më 29 dhjetor të vitit 2021, Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është në dijeni që Serbia synon të mbajë referendum në Kosovë, porse ai nuk pajtohet për një gjë të tillë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është dakord me një synim të tillë, jo vetëm për shkak se kjo është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë, por edhe për shkak se konsiderojmë që praktikat e mëhershme që i kanë aplikuar qeveritë e mëparshme, kanë qenë po ashtu në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës sonë… Ne jemi kundër dhe natyrisht që, si Qeveri, qëndrimi jonë është edhe veprim i yni”, ka thënë Kurti.
Po atë ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar duke thënë se për moslejimin e mbajtjes së referendumit në mjediset serbe në Kosovë, do t’i drejtohet bashkësisë ndërkombëtare.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, gjatë një takimi me ambasadorët e vendeve të Quint-it më 6 janar, është shprehur e pakënaqur me vendimin e autoriteteve në Kosovë për të mos lejuar referendumin.
Referendumi i fundit në Serbi për konfirmimin e Kushtetutës së re është mbajtur në vitin 2006 dhe ka zgjatur dy ditë dhe kanë votuar pothuajse 55 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.
Preambula e Kushtetutës aktuale të Serbisë, e cila thotë se “Krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”, nuk do të jetë temë e referendumit që do të mbahet më 16 janar.
Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.
Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.
Nëse ndryshimet miratohen, sipas autoriteteve të Serbisë, politika do të përjashtohet nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Kam folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në lidhje me referendumin për Kushtetutën që organizohet të dielën në Serbi. Mbledhja e votave në të kaluarën, është bërë përmes lehtësimin të OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, shkruan Borrell.