Vuçiqi kërcënon Kosovën me pasoja për moslejimin e refendumit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vendimi i Kosovës për të mos lejuar që të hapen qendrat e votimit në Kosovë për të votuar për referendumin në Serbi do të ketë pasoja të rënda.

“Do të ketë pasoja të gjera, por ata nuk duhet të dinë gjithçka e të dëgjojnë gjithçka”, ka thënë Vuçiq raporton “N1”. “Sido që të jetë, ne jemi krah njerëzve tanë në Kosovë e M. dhe së bashku me njerëzit tanë do të marrim vendime për të ardhmen”.

Vuçiq, që ka votuar në referendum për ndryshimin e Kushtetutës, ka thënë se sjellja e Kosovës nuk është befasi, ndërsa ka thënë se Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti po i ngacmon dhe maltreton serbët.

“Serbët nëpërmjet përfaqësuesit të Listës serbe dje thanë atë që deshën, madje edhe sot treguan se vota e serbëve të Kosovës e M është ‘po’, ‘po’ për Serbinë e jo për Kurtin”, ka thënë Vuçiqi.

Ai ka shtuar se shtetet e Quintit janë në gjendje t’u bëjnë thirrje shqiptarëve të respektojnë demokracinë e lejojnë serbët të votojnë, “por nëse shqiptarët nuk lejojnë këtë atëherë nuk dëgjohet asnjë protestë e aq më pak ndonjë veprim apo sanksionim”.

Qeveria e Kosovës ka ndaluar hapjen e qendrave të votimit në Kosovë për t’u votuar për referendumin e Serbisë. Por qytetarëve serbë në Kosovë u është mundësuar votimi nëpërmjet Zyrës ndërlidhëse apo edhe me postë.

Serbët e Koaovës shkojnë në Serbi të votojnë

Me qindra qytetarë serbë të Kosovës po kalojnë kufirin për në Serbi për të marrë pjesë në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës.

Në orët e para të mëngjesit në Mitrovicën e Veriut është mbajtur një protestë e serbëve, drejtuar nga kreu i Listës Serbe, njëherësh ministër në qeverinë “Kurti”, Goran Rakiq.

Ai ka bërë të ditur se kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.

Rakiqi bëri me dije se do të vendosin reciprocitet në veri të vendit nëse Qeveria e Kosovës nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit.

Sipas tij, ky lloj reciprociteti do të bëhet vetëm në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqit dhe Zveçanit, duke shtuar se më pas do të vendoset edhe në komunat tjera.

Ndërkohë një pjesë e protestuesve që kërkonin të lejohet votimi në referendumin e Serbisë kanë improvizuar sikur janë duke votuar për këtë referendum.

Në pikën kufitare Jarinjë janë parë forcat Speciale të Policisë së Kosovës të gatshme për të ndërhyrë në rast nevoje.

Qeveria e Kosovës ka ndaluar organizimin e referendumit të Serbisë në territorin e saj. Gjatë seancës së jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës votoi me 76 vota pro rezolutën që ndalonte organizmin e referendumit në Kosovës.

Përveç Vetëvendosjes, rezoluta u përkrah nga deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kurse Partia Demokratike e Kosovës e bojkoti seancën.

Ndonëse Serbia bëri thirrje për pjesëmarrje të serbëve që jetojnë në Kosovë, autoritetet në Prishtinë thonë se nuk e njeh të drejtën e një shteti tjetër për të mbajtur referendum në territorin e një shteti tjetër sovran.

Interesimi për pjesëmarrje në këtë referendum është i ulët pasi bëhet fjalë më shumë për një çështje teknike. Serbët do të votojnë këtë të diel për disa amendamente të Kushtetutës ku përcaktohet mënyra se si zgjidhen gjykatësit dhe prokurorët me qëllim sigurimin e një sistemit të pavarur juridik, si kusht për anëtarësimin në BE, raporton Euronewsalbania

Policia e Kosovës në gjendje gatishmërie

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur në rrugën që çon për në pikën kufitare Jarinjë. Ata janë në gjendje gatishmërie në rast të ndonjë tentimi për të organizuar referendumin serb në Kosovë.

Kosova e shpalli të jashtëligjshëm mbajtjen e referendumit serb në territorin tonë.

 

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.