Një model brilant për strategjinë … kujtoni Kongresin në Lushnje

Çfarë bëri Kongresi për të zënë një vend aq të ndritur në histori? – Shumë qartë ai ndërtoi dhe realizoi një strategji kombëtare e orientuar në interesat më jetike të kombit. Pas identifikimit përcaktoi drejtimet bazë, llojet dhe burimet e mundshme, që kish në dispozicion edhe pse shumë shumë më tepër nevojiteshin, me mënyrën që ‘shteti i kongresit’ do t’i përdorte për të pasur sukses.

Nga Kristaq Xharo

Nga Për 30 vjet, në mungesë të një strategjie kombëtare, ecja jonë mund të përkufizohet me fjalët e Lizës (në Botën e Çudirave) kur shprehej se’…nëse nuk e di ku do të shkosh, nuk ka rëndësi cilën rrugë zgjedh…’ Ka dy pamje se si strategjia ‘hakmerret’ edhe me mungesën e saj : së pari duke u zhytur në ‘ferrin taktik’ si lëvizje të pa orientuar e kaotike ose siç thotë Alvin Tofler se ‘…në mungesë të strategjisë një vend, shumë shpejt, direkt apo në mënyrë spontane, qëllimshëm apo pa e kuptuar bëhet pjesë e strategjisë së dikujt tjetër..’

Kur flitet për strategji të munguar kombëtare mendojmë për një plan afatgjatë (20 e më shumë vjet) që lidh burimet e fuqisë me objektivat e interesat kombëtare. Vende të mëdhenj, sigurisht, por edhe të vegjlit e kanë një strategji të tillë, që ju jep mundësinë për një pamje/ide se ku dhe si do të jenë pas 5 a 10 apo 50 vitesh. Strategjia është një urë që lidh interesat me burimet e kufizuara të fuqisë dhe të gjithë, pavarësisht nga format dhe ngjyrat e regjimeve përgjatë historisë duhet të ecin nëpër këtë urë. Përndryshe lumi i egër i konkurrencës botërore do ti degdis në detin e kaosit.

Nën këtë ide duke gjurmuar në historinë e shtetit tonë, ndoshta ajo që mund të konsiderohet nga më brilantet dëshmohet 102 vite më parë në Kongresin e Shpëtimit Kombëtar, në Lushnje. Nuk ka një kohë të dytë, që nga Shpallja e Pavarësisë e deri në ditët tona, kur vendi të ketë qenë në një rrezik të tillë ekzistence.

Ndryshe nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, si shteti i fundit në Ballkan, që kërkoi aq shumë kohë dhe sakrifica, zhdukja e tij erdhi brenda një kohë tmerrësisht të shkurtër. Në 7 vjet (1912-1919) trojet u përfshinë në tre luftëra, nga më mizoret: dy luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Shtatë ushtri të huaja, me mbi 250 mijë trupa, e ndanë në po aq ‘republika’ minore, duke e fshirë Shqipërinë e 1912, shtetin, territorin, lidhjen midis pjesëve të saj organike duke ja ‘… hedhur si gjah për të ushqyer, çakejve të Ballkanit…’ thotë Edith Durham,

Përse Kongresi dha modelin më brilant të ‘grand strategy’ ? – Thjesht, ai ngriti urën më të shpejtë e më të suksesshme për të shkuar nga burimet minimale të fuqisë drejt plotësimit të objektivave e interesave më jetike të kombit. Kongresi pa bujë dhe zhurmë, me taktika që i shërbenin strategjisë shkëlqeu në ngjarjet që e pasojnë… aq sa viti 1920 mund të konsiderohet viti më i mbarë në histori. Nuk gjendet një moment i dytë, ku brenda një viti do të ndodhnin aq shumë ngjarje fatlume historike.

Çfarë bëri Kongresi për të zënë një vend aq të ndritur në histori? – Shumë qartë ai ndërtoi dhe realizoi një strategji kombëtare e orientuar në interesat më jetike të kombit. Pas identifikimit përcaktoi drejtimet bazë, llojet dhe burimet e mundshme, që kish në dispozicion edhe pse shumë shumë më tepër nevojiteshin, me mënyrën që ‘shteti i kongresit’ do t’i përdorte për të pasur sukses. Kongresi në Lushnjë e sfidoi kohën, dhe mbeti në histori , më së paku në katër momente të pakrahasueshme për kombin. Së pari, ‘gjeti’ partnerin strategjik ndërkombëtar, presidentin Uilson dhe SHBA si garant të mbrojtjes në tastierën botërore. Së dyti, rithemeloi shtetin që ishte tretur, së treti rivendosi sovranitetit territorial, dhe së katërti vulosi njohjen ndërkombëtare, si e vetmja mënyrë për vazhdimin e ekzistencës. Do të mjaftonte edhe vetëm njëra prej këtyre arritjeve për ta quajtur Kongresin dhe strategjinë e tij ngjarje kulmore historike, ndërsa të katërta përbëjnë një godinë për ekzistencë e mbijetesë në vazhdimësi.

Çfarë mund të bëj strategjia në mungesë të burimeve? Sfida më e madhe për strategjinë kombëtare (të Kongresit të Lushnjës) qëndronte në raportin midis objektivave emergjentë kombëtar dhe mungesës sw tmerrshme në burime fuqie. Në fjalët e një prej figurave më të rëndësishme të kohës kjo ishte si ‘ … periudha e një angazhim titanik, kur krahasohet me mjetet që dispononte kombi, qeveria dhe shteti i ri: pa organizim, pa ushtri, pa polici as xhandarmëri, pa një ovull (qindarkë) në arkë, i ndarë nga bota e qytetëruar, se udhët ishin prerë prej qeverive aspak simpatike, rrethuar prej tre fqinjëve aspak të favorshëm dhe më tepër akoma, të zvjerdhur prej çdo mbështetjeje morale, pa ndonjë ndihmë reale ose të paktën, simpati efektive diplomatike. ..’ Burimi më i madh i fuqisë që inspiroi kongresi ishte ngritja e moralit kombëtar dhe vullneti deri në sakrificë.

Asgjë brenda e jashtë vendit nuk favorizonte strategjinë. Situata e brendshme ishte katastrofike. Ndërkohë në Versajë (1919) takoheshin fituesit dhe të mundurit, duke ndarë plaçkën e luftës. Shqipëria e shkelur nga shtatë lloj uniformash, edhe fitues edhe të mundur, e ndarë në gjashtë ‘republika’, me një të shtatë që do të shfaqej pak më vonë. Të ribashkoje në një mozaik këto ‘copëra’ të thyera keq, dukej thuajse e pamundur. Edhe pse në mungesë të forcave të armatosura, Kongresi e bëri këtë… Kongresi në Lushnje, që prodhoi ‘grand strategy’ ishte tërësisht vepër tërësisht e shqiptarëve, ndoshta i pangjashëm në historinë tonë. Kongresi nuk u dominua nga figura të shquara, por nga njerëz patriot.

Në strategji, partnerët strategjikë krijojnë diferencën. Të dish të njohësh e të mundësosh partnerë strategjikë është tipari më i rëndësishëm i strategjisë, për të rritur burimet e fuqisë. Sensibilizimi i SHBA ishte dhe do të mbetej suksesi më i madh për ekzistencën dhe mbijetesën e kombit shqiptar. Që nga format më zyrtare deri në ato të përpjekjeve individuale pranë presidentit të madh Uilson mundësuan që Shqipëria jo vetëm të siguronte simpatinë, por edhe garancinë për një mbrojtës të madh. Asgjë nuk ndryshon në këtë drejtim edhe pse kanë kaluar mbi 100 vjet.

Kongresi në Lushnje prodhoi ngjarje të mëdha historike. Kronologjikisht, rimarrja e Shkodrës, nën autoritetin e shtetit shqiptar të Kongresit në 25 mars (1920), ishte sa ngjarje historike për kombin po aq edhe suksesi i parë politik drejt sovranitetit territorial, njëkohësisht inspirimi i sim¬patisë, prej Fuqive të Mëdha. Rimarrja e Gjirokastrës më 27 prill (1920), dhe i Korçës prej francezëve më I5 maj (1920) në çdo kohë dhe komb tjetër do të ishin kurora historike, sot vështirë që njihen edhe si frutat e pemës së Kongresit. Dhe këto ndodhnin brenda 5 muajve nga Janar 1920, duke ringjallur entuziazmin dhe rikthyer besimin se ky shtet ‘mund të bëhej’. Strategjia si model i fuqisë së butë i përgjigjej më së miri kushteve historike. Por, shpejt ajo do të shfaqej edhe në formë imponuese… luftës së armatosur. Lufta e Vlorës ishte pika kulmore, që tregoi se Shqipëria me ‘hir e pahir’ mund të behej. 17 Gusht 1920 shënoi datën kur territori i shtetit u riformua. Dhe kjo ndodhte brenda 8 muajsh nga Kongresi.

Nuk ka një rast të dytë, jo vetëm në historinë tonë, që një vend del në arenën ndërkombëtare brenda dy muajve. Në Lidhjen e Kombeve, kur kërkesa dorëzohej në tetor, pranimi ndodhi në 17 dhjetor 1920 duke u konsideruar marrja e vulës ndërkombëtare të sovranitetit. Strategjia nëpërmjet instrumenteve të diplomacisë funksionoi në mënyrën më brilante…

Brenda një viti, Kongresi i Lushnjës kishte plotësuar misionin historik, duke ringritur shtetin, rivendosur sovranitetin dhe arritur njohjen ndërkombëtare dhe ‘gjetur’ një partner strategjik të pazëvendësueshëm SHBA. Kujtoni sa ngjarje të mëdha historike ndodhën brenda vitit 1920. Ja përse Kongresi dhe strategjia që realizoi mbeten të shkëlqyer, të jashtëzakonshme dhe të suksesshëm e të pakrahasueshëm. A është një strategji e tillë modeli më i mirë i ‘Grand Strategy’ për kombin. Kongresi i Lushnjës ishte Kongresi i Shpëtimit Kombëtar dhe ndoshta pa vendimet e strategjinë e tij, kombi ynë sot do të ish me të njëjtin fat si mjaft kombe pa shtet…

Leave a Comment

Your email address will not be published.