Konflikti Rusi-Ukrainë nuk i ka lënë indiferentë shqiptarët që jetojnë në Ukrainë.
Këta shqiptarë –rreth 5000, nuk kanë frikë nga ndonjë sulm i mundshëm rus.
Kështu tha në emisionin Sot të EuronewsAlbania përfaqësuesi i Unionit shqiptar në Ukrainë, Aleksandër Dermenti.
Rusia ka vendosur trupa ushtarake në kufi me Ukrainën, mirëpo komuniteti shqiptar ndodhet larg kësaj zone.
Rusia mohon se po planifikon sulm ndaj Ukrainës, mirëpo Perëndimi ka paralajmëruar për hyrje të forcave ruse në Ukrainë dhe e ka furnizuar këtë të fundit me ndihma ushtarake.
Komuniteti i shqiptarëve ndodhet në Ukrainë prej shumë brezash. Ata janë shpërngulur kryesisht nga Voskopoja.
Dermenti thotë se ata nuk i harrojnë traditat, mirëpo pavarësisht kësaj përpjekje po asimilohen dita ditës.
Unioni i shqiptarëve kërkon që të ketë një shkollë të gjuhës dhe kulturës shqipe në Ukrainë.
“Shqiptarët e Ukrainës janë shumë të asimiluar. Ne duam të hapet një shkollë, të mësojmë gjuhën shqipe, të kemi një mësues nga Shqipëria”, tha Dermenti.
Gjithashtu atmosfera e luftës nuk ka lënë indiferent edhe ushatrakët nga Shqipëria që aktualisht ndodhen me mision në Ukrainë.
I ftuar në Report TV, Koloneli Ardian Lulaj tha se në rast se Rusia pushton Ukrainën, Shqipëria do të jetë gati t’i bashkohet ShBA dhe Natos kundër Rusisë. Ai thekson se ushtria shqiptare është gati për të dhënë kontributin në NATO e kudo që aleanca e kërkon. Sipas tij, ne kemi dhe detyrime ndaj aleancës, por megjithatë këto janë dhe vendime politike.
Kohët e fundit ka një lloj tensioni në Ukrainë dhe flitet se mund të ketë një evadim të Ukrainës nga Rusia. NATO dhe SHBA kanë deklaruar se do të kenë një reagim shumë të fortë. A është e gatshme Shqipëria t’i përgjigjet një sfide të tillë nëse përballet NATO. Pra, do bëhet pjesë?
Mediat e huaja flasin për një plan të Rusisë për të pushtuar Ukrainën, kjo pas dislokimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën. Rritja e tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës është në pikën më kritike dhe sipas agjencive të inteligjencës amerikane mund të ketë luftë. SHBA ka nisur interesimin dhe të martën pritet të ketë një bisedë telefonike me video ndërmjet Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA ka prova se Rusia kishte bërë plane për një sulm “në shkallë të gjerë” në Ukrainë. Por ai shtoi se ishte e paqartë nëse Putin kishte marrë një vendim përfundimtar për ta pushtuar. Rusia ka mohuar çdo qëllim të tillë dhe ka akuzuar Ukrainën se është ajo që po nxit konfliktin në rajon. Por nga ana tjetër Ukraina thotë se Rusia ka vendosur automjete të blinduara dhe 94,000 trupa përgjatë kufirit të tyre të përbashkët. Rusia këmbëngul që Uashigtoni të garantojë që Ukraina nuk do të pranohet në NATO. Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, e bëri të qartë javën e kaluar se Rusia nuk ka asnjë rol në planet e zgjerimit me vendet e tjera.