Ukshin Hoti nuk kishte pranuar të flas asnjë gjuhë tjetër në burg përveç shqipes

Motra e Ukshin Hotit, Myrvete Hoti-Kosumi, ka rrëfyer për maltretimet që i ishin bërë vëllait të saj në burg nga forcat serbe.

Ajo ka treguar se gjatë kohës sa Ukshin Hoti qëndronte në burg, atyre nuk i ishte lejuar as të flisnin në gjuhën shqipe.

Ndërsa, Hoti-Kosumi ka rrëfyer se Ukshin Hoti u kishte thënë forcave serbe se ai nuk do të flet asnjë gjuhë tjetër pos asaj shqipe.

“Atje na ndaluan me fol gjuhën shqipe. Unë shkova me djalin e tij e bashkëshortin tim. Kur doli ai e ka ngrit dorën dhe tha se asnjëherë në jetën time nuk e nënçmoj gjuhën e nënës time, nuk flas gjuhë tjetër”, ka treguar ajo.

Pas kësaj, ajo thotë se ishin kthyer në shtëpi.

Ndërsa, Ukshin Hoti i kishte kërkuar që të mos shkoj më në burg.

“Ne e ndërprejtëm vizitën. Ukshini më tha motër mos hajde më. Unë e shihja vet në çfarë gjendje ishte, shumë i dobët shumë i shqetësuar”, ka deklaruar ajo.

Hoti-Kosumi ka treguar se pas kësaj kishte dëgjuar se Hoti nuk ishte më në mesin e të gjallëve.

Por që pas vizitës që i kishte bërë, e kishte parë që ai ishte gjallë, por në gjendje shumë të rëndë.

“Jodrejtëpërdrejtë më patën thënë se Ukshin Hoti nuk është në mesin e të gjallëve. Një gazetare më pat pyet se a kam qen në burg. Unë kam dëgju se kishin dashtë gazetat me shtyp lajmin se Ukshin Hoti nuk është në mesin e të gjallëve, por kur e kanë kuptu që po shkoj në vizitë kanë prit se çfarë lajmi po jap. Unë kur kam shkuar e jam gjetur gjallë por në gjendje të rëndë për shkak të maltretimeve”, ka rrëfyer ajo.

Përndryshe, ajo ka deklaruar se nuk ka pasur përkrahje për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit.

Ukshin Hoti u zhduk në 16 maj 1999, ditën kur zyrtarisht figuron si “i liruar nga burgu i Dubravës”.

I lindur në qershor 1944 në Krushën e Madhe, Hoti ka qenë filozof dhe aktivist shqiptar, profesor i të drejtës ndërkombëtare dhe më pas i filozofisë në Universitetin e Prishtinës.

Ai u arrestua nga autoritetet jugosllave për herë të parë në nëntor 1981 pas demonstratave në Prishtinë. Prej atëherë aktiviteti politik i profesor Hotit nuk u ndal.

Në 1994 ai u arrestua sërish nga serbët dhe u dënua me 5 vite burg. U dërgua në burgun famëkeq të Dubravës ku mbaheshin të burgosurit politikë nga Kosova.

Më 16 maj 1999, kur lufta në Kosovë ishte në kulmin e saj, atij i thuhet nga drejtoria e burgut se dënimi i kishte mbaruar dhe ishte i lirë të dilte.

U shoqërua nga dy roje të burgut jashtë tij por nuk mbërriti kurrë në shtëpi. Prej asaj dite figuron i zhdukur. Shumë aktivistë të të drejtave të njeriut e konsiderojnë të vdekur.

Ukshin Hoti është i pari që shkroi për konceptin e demokracisë autentike në viset shqiptare që nga 1994. Si studjues mbahet mend për veprën Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare, botuar në 1995 në Tiranë.

– Një jetë e mbushur me përndjekje politike

Pas diplomimit në Prishtinë, Ukshini vijoi studimet në vitin 1964 në Zagreb, ku u diplomua për shkencat politike. Më pas, në vitin 1968, kreu dhe dy vite postuniversitare në Beograd, ku ndoqi fushën e tij të preferuar të marrëdhënieve ndërkombëtare në fushën e ekonomisë dhe politikës.

Nisi punë në administratën e parlamentit të Kosovës dhe më 1975 nisi të jepte të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. Më 1978/1979 vijoi specializime postlaureate për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Chicago, Harvard dhe Washington, pasi kishte fituar bursen Fulbright.

Në vitet ’70 Ukshin Hoti kishte qenë i angazhuar në disa pozita të ndryshme politike dhe arsimore në Kosovë ku kishte rënë në kundërshti me udhëheqesit jugosllavë në Kosovë dhe me sistemin e regjimit.

Me protestat studentore të 19 nëntor 1981, mbështeti hapur kërkesat e studentëve shqiptarë për shpalljen e Kosovës republikë. U arrestua dhe u dënua me 9 vite burg. Më 1984, Gjykata Supreme e Jugosllavisë ia zbriti dënimin në 3,5 vite burg.

Më 1985 lirohet nga burgu por izolohet ne fshatin e tij te lindjes me qellim izolimin e aktivitetit te tij politik duke ju marre edhe pasaporta.

Në fillim të viteve ’90 riaktivizohet në politikë si kryetar i degës së LDK-se në Rahovec. Në vitin 1992 në fshatin Brestovc Ukshin Hoti organizon një homazh për viktimat e vrara nga policia serbe dy vjet më parë në një demonstratë për Republikën e Kosovës.

Ndodh një përplasje midis qytetarëve që po merrnin pjesë në homazh dhe policisë serbe e cila kishte bllokuar rrugën. Ukshin Hoti arrestohet. Lirohet pas rreth dy muajsh nga burgu dhe në këtë kohë jep dorëheqje nga LDK-ja pas përplasjeve me kryesinë e saj.

Në një fjalim për nder të dëshmoreve të renë nëpër demostrata në vitin 1994 në Rahovec del haptazi me idenë e formimit të Forcave të Armatosura të Republikes se Kosovës.

Në prill të vitit 1994 partia Unikomb, një parti e cila kishte në program bashkimin kombetar të shqiptarëve në një shtet të vetëm, i ofron Ukshin Hotit qe te bëhet lider i saj. Kur pritej që kjo gjë të realizohej, Ukshin Hoti arrestohet në rrugë në Prishtinë më 17 maj 1994 me akuzën se po punonte per rrënimin e shtetit jugosllav.

Pas disa muajsh gjykimi, Ukshini denohet me 5 vjet burg.

– Burgimi, nisja e luftës dhe vrasja e familjarëve

Gjatë burgimit, partia UniKomb lufton për lirimin e tij, duke u përpjekur ta bëjë të njohur Ukshin Hotin dhe mendimet e tij.jashtë kufijve të Kosovës. Akti i tij i mbrojtjes, është përkthyer në disa gjuhë dhe u shpërnda duke e bërë atë të njohur.

Rasti më në fund bie në veshët e Parlamentit Evropian. Kur fillon lufta në Kosovë në mars 1998, bëhet një kërkesë tek autoritetet e Beogradit të bëjnë lirimin e parakohshëm të Ukshin Hotit. Beogradi nuk pranoi të shqyrtonte lirimin e tij.

Në tetor Parlamenti Evropian me propozimin e Partisë Radikale Transnacionale me seli në Romë, vendos ta nominojë Ukshin Hotin për çmimin Saharov.

Në shkurt të vitit 1999, gjatë konferencës së Rambujesë, përfaqësuesit e Kosovës kërkojnë lirimin e Ukshin Hotit me qëllim që të mund të marrë pjesë në bisedime, gjë të cilën Serbia e refuzon.

Gjatë burgut Ukshini komunikonte veçanërisht me motrën e tij Myrveten, e cila të gjitha letrat që merrte nga i vëllai ua shpërndante gazetave në Kosovë dhe në masën më të madhe redaksisë së “Zërit të Kosovës” në Zvicër.

Ukshin Hoti

Fshati i lindjes i Ukshin Hotit, Krusha e Madhe, bombardohet më 25 mars të vitit 1999. Më pas, forcat serbe hyjnë në fshat, ndalen në shtëpinë e Ukshin Hotit dhe atë të prindërve të tij, shkatërruan gjithçka dhe në fund i vënë flakën.

Familja e Ukshin Hotit dhe banorët marrin arratinë. Vëllai i tij Ragipi, duke dashur të gjejë gruan dhe vajzën e tij kthehet në fshat, për të mos u kthyer më. Trupi i tij i pajetë do të gjendet 53 ditë më vonë.

Prindërit e Ukshin Hotit shkojnë në një fshat të afërt, në Nagavc, ku gjendeshin dhe mijëra banorë të ardhur nga fshatrat përreth. Por edhe ky fshat bombardohet dhe Nazifi, babai i Ukshin Hotit, plagoset në krah nga një shpërthim granate. I moshuar, i pafuqishëm dhe në pamundësi për t’u shëruar, ai do të ndërrojë jetë nga plagët e marra më 18 prill të vitit 1999.

Në këtë periudhë, Ukshin Hoti vuante dënimin e tij në burgun e Nishit në Serbi. Ditët e vrasjeve të familjarëve në Krushë ai transferohet sërish në burgun e Dubravës.

Më 16 maj 1999, kur lufta në Kosovë kishte një vit që vijonte Ukshin Hoti arrin në fundin e dënimit të tij. Sipas Bajrush Xhemailit, një nga të burgosurit, ai do të shoqërohej nga dy roje drejt daljes, ditën e diel, me 16 maj, një ditë jo e zakonshme për lirimin e të burgosurve.

Që atëherë nuk dihet gjë për të. Tre ditë më vonë, me 19 maj 1999, burgu i rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, bombardohet nga NATO.

Në shenjë hakmarrje rojet dhe paramilitarët serbë radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptarë nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut. Ata zbrazën mbi të burgosurit të gjithë arsenalin: granata, mitralozë, snajperë dhe bazukë. Masakruan 176 persona dhe plagosën mbi 200 të tjerë.

Organizata mbi të drejtat e njeriut Human Right Watch shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj të vitit 1999 dhe hartoi një raport mbi masakrën. Serbët pretenduan që të burgosurit shqiptarë u vranë nga bombat e NATO-s.

– Kanë thënë për Ukshinin:

Rexhep Qosja: Ukshin Hoti është simbol i vetëdijes historike, i ndërgjegjes dhe i qëndresës së pamposhtur shqiptare. Nuk është e çuditshme pse ky është emri më i kuptimshëm, më domethënës, më frymëzues në jetën tonë politike sot. Dhe, kjo tregon se populli ynë e çmon, ashtu siç duhet, njeriun e gatshëm për sakrifica. Ai do ta mbajë si duhet domethënien gjithëkombëtare, që rrezaton sot emri i tij.

Ismail Kadare: Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burim i fatkeqësisë, që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir… Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç’partie i përket, ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë. Është fyerje për krejt atë popull. Më fort se kurrë, kombi shqiptar ka nevojë për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme…

Leave a Comment

Your email address will not be published.