Të gjithë e njohim si qytet, e të gjithë kemi pasur mundësinë të paktën një herë në jetën tonë të bëhemi pjesë e magjisë së tij.
Bëhet fjalë për Sarandën, qytetin e bukur bregdetar, i cili pavarësisht gjithçkaje i ka mbijetuar kohës dhe shkatërrimit që dora humane po i bën. Po si ka lindur Saranda e di dikush.
Po qëndrojmë shumë larg historisë sonë dhe po të pyesësh një shumësi njerëzish do të të thonë të njëjtën gjë “Saranda do të thotë 40 dhe vjen nga greqishtja e vjetër”, 40 në rregull, po 40 çfarë?
Historia e këtij emri daton në vitet 324, prej nga ku u vendos edhe vazhdueshmëria e këtij qyteti.
Onhezmi, Anhiazmi, Skela, ose Saranda siç e quajmë ne sot, çdo 9 mars feston jo vetëm nisjen e sezonit turistik, po edhe të nisjen e epokës së re që do t’i linte këtë emër përgjithmonë.
Në pjesën perëndimore të qytetit të sotëm, ngrihen rrënojat e një manastiri paleokristian me emrin Ajii Saranda (Dyzet Shenjtorët) i vendosur mbi shpatin e malin e Sarandës dhe që shërben si dëshmi e vetme për saktësimin e prejardhjes së emrit të qytetit. Specialistët e arkeologjisë deklarojnë se ky manastir është unikal, për nga stili i ndërtimit me 40 dhomat e tij.
Bazilika dhe Manastiri i 40 shenjtorëve ndodhet në majën e kodrës që i rri përballë Lëkurësit.
Ajo ndodhet vetëm 3 kilometra larg qytetit bregdetar dhe është monument i kategorisë së parë, nga të paktët të ruajtur që nga koha e Perandorisë Bizantine.
Po çfarë thotë legjenda?
Thuhet se, 40 ushtarë të legjionit XII në garnizonin e Armenisë romake (Turqia e sotme) të quajtur “Rrufeja”, duke lundruar i kap një stuhi dhe moti i keq i detyron të ankoroheshin në gjirin e Onhezmit (Saranda e sotme).
Banorët vendas, të cilët ishin me besim fetar tjetër nga ushtarët, pra ishin ortodoks, i kapin dhe pas pyetjeve të shumta i detyrojnë të ndryshojnë besimin fetar të tyre, ose në të kundërt do t’i nënshtroheshin dënimit me vdekje në vaska të mbushura me ujë të ftohtë deri sa trupat e tyre të ngrinin.
Ditët që pasuan i kaluan në izolim të plotë, deri në momentin e ekzekutimit.
Pranë vendit të martirizimit nuk mungonte dhe një banjë e ngrohtë në dispozicion të atij që do të ndërronte mendje, por ata refuzuan dhe u dënuan me torture, duke i detyruar të qëndronin lakuriq në të ftohtin e dimrit dhe të qelive të cilat përkojnë me 40 dhomat e sotme të manastirit.
Gojëdhëna e mbetur në Sarandë thotë se 30 prej tyre ishin të shenjtë dhe 10 të tjerët, demonë. Në qelitë e tyre janë zbuluar piktura murale, mes të cilave ajo e një dishepulli që vlerësohet si një nga më të vjetrat e periudhës bizantine.
Një detaj që duhet përmendur, pasi po mos të kishte ndodhur, mundet të mos e kishim emrin e sotëm të qytetit, është se para ekzekutimit njëri nga ushtarët vdes dhe mbeten 39.
Ditën që do futeshin në vaskat e ujit të ftohtë martirët, ortodoksët i mbushin mendjen pastruesit të tyre që t’i bashkohej grupit, pasi duhej të vdisnin 40 bashkë dhe jo 39 sa mbetën. Shërbëtori pranoi dhe kështu numri i tyre u plotësua në 40.
Momentin e fundit përsëri u ofrua falja e jetës në këmbim të ndryshimit të besimit fetar, asnjë nga ushtarët nuk bëri pas dhe kështu pranuan ekzekutimin e tyre në emër të lavdisë së zotit. Dhe kështu ndodhi.
U futën të 40 në vaskat e ujit të ftohtë deri sa trupat e tyre ngrinë dhe e gjithë kjo ndodhi në 9 mars të shekullit të VI.
Për këtë sakrificë heroike, vetë dënuesit, feja ortodokse, i shpalli të 40-shenjtorë dhe ju dha manastirin që mban sot të njëjtin emër, në të cilin janë të gdhendur ende emrat e secilit prej tyre.
Manastiri, ose Bazilika e madhe, është ndërtuar në nder të kësaj legjende në kodrën në lindje të këtij qyteti, me një arkitekturë dhe ndërtim romak shumë të bukur.
Kati mbitokësor i këtij Manastiri të rrallë përbëhet nga një kishë me 7 konka (opisida) të ndërtuara në anën lindore të monumentit. Salla qendrore përbëhet nga kryqëzimi i shumë harqeve, shumë dritareve dhe dy hyrjeve të mëdha (njëra nga lindja dhe tjetra nga perëndimi), të gjitha të formuara me qemerë.
Oborri i këtij monumenti del përpara derës perëndimore dhe paraqet panoramën e detit dhe qytetit të bukur të Onhezmit (Sarandës).
Ndëkohë kati i patë quhet Kriptoportik dhe është një ndërtim që formohet nga një qemer i madh i vendosur në anën perëndimore dhe nga ana tjetër më në thellësi ndodhen dy qemerë të tjerë që futen në formë tuneli, ku mund të shohim edhe sot gjurmët e pikturave dhe afreskeve me figura shenjtorësh.
Në anën perëndimore edhe sot e kësaj dite, gjenden shkallaret e vjetra, ku vizitorët e besimtarët kristianë që ndodheshin gjatë gjithë bregdetit të Adriatikut, por edhe atyre që ishin në vendet e Ballkanit, iu jepej mundësia që të kryenin pelegrinazh në ditën e 9 Marsit të çdo viti.
Ata kishin mundësinë që të futeshin edhe në dhomat e katit të nëndheshëm, ku drejtuesit e Manastirit, të besimit ortodoks, vendosnin bimë aromatike si dafina, rigon, rozmarinë, borzilok etj., duke krijuar një gjendje parajse dhe vizitorët që dilnin në lindje të bazilikës me 7 konka, që ata të ndiheshin të çliruar dhe të “pastruar” shpirtërisht nga aromat e “parajsës” së dhomëzave të nëndheshme.
Kriptoportiku përdorej edhe si varrezë, por jo për qytetarët, vetëm për shërbëtorët e manastirit, traditë që e gjejmë edhe tek besimi i sektit bektashian në ditët e sotme.
Përveç shkallareve, banorët e Onhezmit përdornin gjatë pelegrinazhit edhe rrugën përgjatë kodrës së Sarandës.
Kjo është shkatërruar nga bombardimet angleze, gjatë luftës për çlirimin e Sarandës.
Mendohet se kisha ka qenë funksionale deri në mesin e shek.19-të, falë kujdesjes së një komuniteti të vogël murgjish. Më pas bazilika u braktis.
Në kishën ‘40 Shenjtorët’ faltoret e ndryshme nëntokësore zgjaten në një korridor oval dhe mendohet se ato duhet të kenë shërbyer si zëvendësuese individuale për vendet e shenjta, të cilat ndodheshin larg, përtej detit.
Megjithatë, pavarësisht gjithë çfarë është thënë, kujtimi i dyzet emrave të shenjtorëve është ruajtur në variante të ndryshme, që kanë shumë pak diferencë nga njëri- tjetri: Acace, Aétius, Alexandre, Angias, Athanase, Candide (ou Claude), Cyrille, Dométien, Domnus, Ecdikios, Élie, Eunoïque, Eutychius, Flavius, Gaïus, Gorgonius, edhe Gorgonius tjetër, Hélien, Héraclius, Hésychius, Jean, Khoudion, (Léonce), Lysimaque, Mélèce, Méliton, Nicolas, Philoktimon, Priscus, Quirion, Sacerdon, Sévérien, Sisinius, Smaragde, Théodule, Théophile, Valens, Valère, Vivien, Xanthias, dhe roja Aglaïos.