Ndërsa 2022 e gjen turizmin shqiptar përballë sfidave si humbja e fuqisë punëtore, mungesë likuiditeti, anullime dhe rezervime të minutës së fundit, rritje e papritur e kostove dhe shpenzimeve, Blerina Ago së bashku më skuadrën e Active Albania zgjodhën të rikujtojnë se pse duhet vizituar Shqipëria.
Turizmi rrit të ardhurat e ekonomisë, krijon mijëra vende pune, zhvillon infrastrukturën e Shqipërisë dhe nxit shkëmbimin kulturor mes nesh dhe vizitorëve.
Sipas kayak.com Shqipëria është destinacioni më i kërkuar për pushimet dimërore, duke lënë pas Greqinë, Spanjën, Maltën dhe Portugalinë.
Në raportin e fundit të Adventure Travel Trade Association për trendet e 2022, turistët janë më shumë të interesuar të vizitojnë destinacione më pak të njohura dhe të mbështesin komunitetet lokale përmes udhëtimeve të tyre, ku gjysma e konsumatorëve thonë se kanë më shumë gjasa të bëjnë një udhëtim në natyrë sesa përpara pandemisë.
Blerina Ago, themeluesja e Active Albania, ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në ofrimin e përvojave unike të krijuara për të apasionuarit pas natyrës. Me Active Albania, ajo ka zhvilluar për herë të parë në Ballkanin Perëndimor eksperiencën e packrafting, ku udhëtarët kanë mundësinë të kalojnë nëpër parqe natyrore, lumenj, liqene e laguna duke kombinuar ecjen me rremimin në gomone individuale, të vogla e të lehta.
Fshatra autentikë, plazhe me ujë të kristaltë, një kulturë e lashtë dhe vendas jashtëzakonisht mikpritës është ajo që pret këdo që vendos të bëjë një udhëtim në Shqipëri. Është vendi perfekt për të pasur një përvojë unike dhe kuptimplotë pushimesh.