Restaurator i objekteve arkeologjike
Rruga “Egnatia”, e cila njihet dhe si “Via Egnatia”, ka qenë një nga rrugët më të mëdha e më të rëndësishme të botës antike. Traseja e rrugës “Egnatia” nga Durrësi e deri në Qafë-Thanë është monumenti më i njohur dhe më i rëndësishëm i antikitetit në Shqipëri.
Ky monument, për nga rëndësia dhe pesha që zë në historiografinë botërore, mund të krahasohet me qytet kryesore të Ilirisë antike, si Dyrrah-un, Lisos-in, Apolloni-në, Bylis-in, Orik-un apo Buthrot-in. Është fat që në Shqipëri ruhen ende gjurmë të kësaj rruge.
Rruga “Egnatia” është dashur prej kohësh që të kthehej në objekt të vizitueshëm, pasi kjo rrugë ruhet ende gati e paprekur përgjatë gjithë rrjedhës së sipërme të lumit të Shkumbinit, veçanërisht në trevat e malësisë së Librazhdit të sotëm, nga Miraka e deri në Qukës.
Pak histori
Rruga e Kandavisë
Para se kjo rrugë të quhej “Via Egnatia”, ajo thirrej me një emër tjetër. Nëpërmjet luginës së lumit Genesis (Shkumbinit të sotëm) kalonte një rrugë shumë më e vjetër, e cila njihej me emrin “Rruga e Kandavisë”. Kjo rrugë e kishte marrë emrin nga krahina ilire e Kandavisë, përmes së cilës kjo rrugë kalonte.
Rruga e vjetër lidhte krahinën e Kandavisë me qytetet fqinje të saj, me Pelionin (Selca e Poshtme), Skampën dhe Belshin, por edhe me dy qytetet e mëdha e të rëndësishme të Ilirisë, Dyrrahun dhe Apoloninë.
Nëpërmjet kësaj rruge siguroheshin lidhje me territoret e tjera të Ballkanit Lindor. Rruga e Kandavisë vijoi të quhej me këtë emër deri në fillim të shek. II para Kr. dhe pas kësaj kohe rruga e ndryshoi emrin e saj.
Me pushtimin e Ilirisë nga Perandoria e Romës, romakët treguan interes për Rrugën e Kandavisë. Ajo ishte vazhdim i Via Appia, e cila lidhte Romë me pjesët lindore të gadishullit Apenin që kishin dalje në detin Adriatik dhe që ndodhej pothuajse përballë me rrugën e Kandavisë.
Rruga kalonte nëpër një vend strategjik të Ilirisë antike, siç ishte lugina e lumit Genesis dhe nëpërmjet saj do të lëviznin trupat pushtuese të ushtrisë romake, të cilat do të invazionin viset e tjera të Ballkanit dhe të Lindjes.
Ajo rrugë do të bashkonte pjesët e pushtuara në lindje të Ballkanit dhe do të krijonte një lidhje të drejtpërdrejtë të Ballkanin jugor me Romën. Romakët e zgjeruan dhe e zgjatuan më tej atë.
Përmirësimi më i rëndësishëm i saj u krye në shek.I pas Kr. nga Egnatius, konsulli romak i Selanikut. Për nder të tij, rruga e re u quajt: “Via Egnatia”. Rruga ishte një lidhje me rëndësi jetike për territoret romake në lindje dhe ishte hallka kryesore e Perandorinë së Romës në Mesdheun lindor.
Via Egnatia u ndërtua në mënyrë që të lidhë një zinxhir të kolonive romake që shtrihen nga deti Adriatik e deri në Bosfor. Rruga u përdor nga romakët edhe për qëllime tregtare, për transportimin e mallrave të shumta që ishin grumbulluar në vendet e pushtuara për në Romë.
Tabela e Poitingerit
Në vitin 1508 Konrad Poitinger, i cili ishte një nëpunës i thjeshtë i qytetit të Asburgut, në Gjermaninë Jugore, gjeti në bodrumet e qytetit të tij një hartë të vjetër të bërë me dorë. Ajo ishte kopje e një harte gjigande e hartuar (punuar) në pergamenë nga romakët.
Harta përshkruante më shumë se 80 000 km rrugë, të cilat përshkonin kryq e tërthor Perandorinë Romake nga Lindja në Indi dhe deri në Perëndimin e largët, në ishujt Britanikë. Në hartë ishin të shënuar me shenja të veçanta dhe me ngjyra gati të gjitha vendet dhe rrugët kryesore të Perandorisë së Romake.
Harta ishte e mbështjellë në formën e një rrotulli dhe kishte një gjatësi prej 6,75 m dhe gjërësi rreth 33 cm. Ajo ishte e formuar prej 12 fletëve, të cilat ishin të ngjitura njëra pas tjetrës. Njëra nga fletët mungonte, ndaj sot ekzistojnë vetëm 11 fletë.
Në hartë ishin shënuar me shenja të veçanta lumenjtë, rrugët, stacionet e këtyre rrugëve, si dhe qindra emra qytetesh. Në hartë ishin vendosur largësitë ndërmjet qyteteve, stacionet dhe pikat ku mund të ndalonin udhëtarët për t’u çlodhur.
Harta u quajtTabula Peutingeriana, për nder të zbuluesit të sa (Konrat Pointingerit) dhe sot ajo ndodhet e arkivuar në Vjenë, në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë.
Stacionet romake në Kandavi
“Via Egnatia” në Iliri, e cila gjithashtu ishte e shënuar në hartën e Pointingerit, zinte fill nga qyteti antik i Dyrrahut dhe përshkonte mes për mes të gjithë gadishullin e Ballkanit, nga deti Adriatik e deri në Kostandinopojë. Në trevat e Ilirisë janë shënuar të gjitha stacionet dhe largësitë (distancat) ndërmjet tyre.
Sipas Tabelës së Poitingerit, në trevat e Kandavisë (prej Urës së Haxhi Beqarit në Mirakë dhe deri në Qafë-Thanë) rruga Egnatia kishte katër stacione. Stacioni i parë, pranë Mirakës së sotme, quhej Treiecto; stacioni i dytë, që ndodhej afërsisht pranë Babjes së sotme, quhej Ad Dianam; stacioni i tretë, që ndodhej në Qukës, kishte tre emra: In Kandavie, Mutadio in Tabernas dhe Tres Tabernas; stacioni i katërt, që ndodhej në vendin e quajtur Kostriçan (Urakë) kishte dy emra: Pons Servilis dhe Maucio Klaudanoni. Stacionet shërbenin për pushimin e udhëtarëve, për t’u siguruar shërbime të ndryshme, për ndërrimin e kuajve dhe për sigurimin (mbrojtjen) e rrugës.
Nëpër Kandavi, nëpërmjet rrugës Egnatia, kanë kaluar disa nga personalitetet më të njohura të botës antikike, si Ciceroni, Cezari, Pompeu, gjeografi i njohur Straboni etj., të cilët, duke kaluar nga Via Egnatia, përmendën viset e Kandavisë në shkrimet e tyre.
Kështu, dijetari i shquar romak, Ciceroni, do t’i shkruante mikut të tij: “…Nëqoftëse ti nxiton, sidoqoftë do të më arrish, sepse unë ose do të kem sosur në Epir, ose do të kaloj pa u ngutur nëpër Kandavi…” (Cicero: Letrat).
Strategu i shquar romak, Jul Cezari, në librin e tij autobiografik “Lufta Gale”, shkruante: “Por, duke qenë se Cezarin e pengoi Apollonia që të merrte rrugën e drejtë, Pompeu me anë të Kandavisë u drejtua për në Maqedoni”.
Dhe më tej ai shkruan: “Domitit… iu desh të largohej prej këndej për mungesë të ushqimeve dhe të shkojë në Heraklea (Sintika), që është nën vartësinë e Kandavisë dhe kështu e solli fati, që të gjendet përballë Pompeut”.
(Juli Ceasaris: Lufta Gale). Rrugën “Egnatia” e ka përshkruar edhe gjeografi i shquar i antikitetit, Straboni, i cili, në librin e tij “Geografika”, shkruante: “Buzë rrugës që shkon për në Kandavi janë liqenjt rrotull Lyhnidit që kanë vende të mjaftueshme për të kripur e për të tharë peshq…” (Strabonis: Geographica).
Në mesjetën e hershme (periudha Bizantine ) kjo rrugë u quajt me emrin “Rruga e Karvaneve”, “Rruga Mbretërore” dhe në mesjetën e vonë “Rruga e Vjetër”.
Rruga “Egnatia” në Shqipëri, si objekt studimi
Interesi për të vizituar trasenë e rrugës Egnatia në Shqipëri dhe për të bërë përshkrimin e studimin e saj ka qenë i kahershëm. Përshkrimet e para i kemi nga Dr. Von Hann, i cili 160 vjet më parë botoi një studim mbi historinë e Shqipërisë.
Dr. Johann Georg Von Hanhn ka qenë studiuesi i parë që identifikoi Malet e Kandavisë dhe krahinën e Kandavisë, që ishin përmendur në veprat e autorëtve antikë, me Malet e Polisit të sotëm në trevat e Librazhdit (Dr.Johann Georg Von Hanhn: Albanesische Studien, Jena 1854).
Në fillim të shek. të 20-të, dy arkeologë austriakë, K.Prashniker dhe A. Shober, gjatë një ekspedite informative në Shqipëri dhe Maltë Zi, kishin planifikuar të eksploronin rrugën “Egnatia” në rrjedhën e sipërme të lumit të Shkumbinit.
Për fat të keq, arkeologët austriak nuk arritën të kalonin në rrugën “Egnatia”, pasi udhëtimi i tyre “u shty aq shumë saqë autorët mundën ta linin Vjenën atëhere kur kishte kaluar preiudha vjeshtore, e favorshme për udhëtime në Shqipëri…
Kështu, me gjithë përpjekjet tona, ne nuk mundëm të realizojmë një pjesë të rëndësishme të programit. Sidomos na ther në zemër që nuk realizuam udhëtimin në Via Egnatia, nga Kavaja deri në rrjedhën e sipërme të Shkumbinit…”.
Por K. Prashniker dhe A. Shober bënë një zbulim shumë të rëndësishëm. Ata gjetën në Mal të Zi një pllakë me mbishkrimin: “Diana Augusta Candaviensis”, e cila, sipas tyre, ishte pjesë e një sanktuari që i përkiste një Tempulli të Dianës në krahinën ilire të Kandavisë.Kymbishkrim, shkruajnë dy arkeologët austriakë, “i referohet sanktuarit (tempullit) të presupozuar të Dianës…”, që, sipas tyre, ndodhej në Babje.
“Qafa me të njëjtin emër përmes së cilës kalon Via Egnatia(ndodhet)pak a shumë aty ku sot është Hani i Babës (Babje)…”.(Arcaeologische Forschungen in Albanien und Montenegro”, Vien 1919).
Në vitin 1953 ishte Jovan Adam, i pari studiues shqiptar, që kishte përshkruar pjesë të trasesë së rrugës “Egnatia” në luginën e Shkumbinit. Rezultatet e përshkrimi ai i botoi në librin “Historia e rrugëve të Shqipërisë” (Tiranë 1953).
Në vitin 1970, dy arkeologë nga Elbasani, Neritan Ceka dhe Lazër Papajani, kryen një ekspeditë informativo-arkeologjike përgjatë rrugës “Egnatia” dhe rezultatet e ekspeditës i prezantuan në një artikull të botuar në revistën “Monumentet”.
Në artikullin në fjalë ata kanë hedhur mendimin se stacioni “Grandavia” dhe Tempulli i Dianës nuk ndodhen në fshatin Babje, por në fshatin Spathar, që është fqinj me Babjen. “Stacioni më i madh në këtë pjesë, shkruajnë Ceka dhe Papajani, ka qenë në Rafjet e Spatharit, ku gjetëm gjurmë banesash të shpërndara në një sipërfaqe prej disa hektarësh.
Këtu mendojmë se duhet identifikuar stacioni Grandavia dhe jo në Babje, pasi Spathara ndodhet në mesin e distancës nga stacionet In Tabernas (Qukës) dhe Triekto (Ura e Haxhi Beqarit), siç e jep itinerary i Buldigalës (607, 7,8; 608, 1)…Largësia e stacionit Ad Dianam nga kalimet e lumit (Genesis flumen dhe In Kandabia) janë afërsisht të barabarta, si për stacionin Grandavia tek intinerari i Burdigalës… 38) N
ë të njejtin artikull, në shënimin nr. 43 të studimit në fjalë, dy arkeologët, Ceka dhe Papajani, shkruajnë se ata kishin marrë prej banorëve vendas një informacion “për një ndërtesë antike,sot të zhdukur, që konsiderohej si vend i shenjtë, dhe që mund të jetë një ruajtje e traditës së Dianës së Kandavisë” (Revista Monumentet, 1/1971).
Traseja e rrugës “Egnatia” ka qenë objekt studimi dhe hulumtimi i studiuesit të njohur të rrugëve antike, prof. dr. Valter Shtylla, i cili e ka përfshirë studimin e tij për rrugën “Egnatia” në librin: “Rrugët dhe urat e vjetra në Shqipëri” (Tiranë 1997).
Në vitet 2000-2005 rruga “Egnatia” ishte pjesë e Projektit “Via Egnatia dhe Ura e Topçiasit”, me pjesmarrjen e Maria-Grazia Amore, Lorenc Bejko, Ylli Cerova dhe Ilir Gjipali.
Projekti Via Egnatia ka qenë studimi më i plotë dhe më rezultativ i kryer deri në atë kohë në Shqipëri. Rezultatet e projektit u botuannëartikullin“Via Egnatia (Albania) Project: results of fieldëork 2002”,2005, Jurnal of Roman Archeology 18(336-360).
Projekti: “Via Egnatia një potencial i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik”
Kohët e fundit, në afërsi të qytetit të Librazhdit, u bë prezantimi i Projektit: “Via Egnatia një potencial i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik”, i hartuar nga Agjensia Kombëtare e Bregdetit.
Në takim ishin të ftuar deputeti i Librazhdit, si dhe kryetarët e Bashkive të Librazhdit, Elbasanit, Përrenjasit, Peqinit etj. Gjithashtu kishte edhe të ftuar të tjerë nga qytetet Librazhd e Elbasan.
Ajo që binte në sy ishte mungesa në takim e specialistëve të Institutit të Arkeologjisë dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, për faktin se ato janë dy nga institucionet më të specializuara për kërkime arkeologjike dhe restaurime të monumenteve të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Rruga “Egnatia”, veçanërisht segmenti i saj nga Miraka në Qukës-Skënderbej, është e shpallur “Monument Kulture” dhe miratimi për restaurimin e saj do të duhet të bëhet nga instancat më të larta të restaurimit në Shqipëri, siç është Këshilli i Lartë i Restaurimit pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Ndaj, për diskutimin e Projektit në fjalë, kërkohej një pjesmarrje më e gjërë dhe me personalitete të të fushës, që kanë një kulifikim të lartë akademik.
Duke shpresuar se me hartimin e Projektit dhe miratimin e tij, për kthimin e rrugës “Egnatia” në një objekt të vizitueshëm, do të uronim që më në fund edhe ky objekt i rëndësishëm i kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare, do të mund të kthehet sa më parë në një objet të vizitueshëm dhe një destinacion i rëndësishëm turistik, si të gjitha monumentet dhe qytetet e periudhës antike në Shqipëri.
Rruga “Egnatia” si objekt për t’u vizituar
Vizitorët që do të shtegtojnë nëpër trasenë e rrugës së vjetër “Egnatia” do të jenë kryesisht turistë kureshtarë për të parë, njohur dhe vizituar fragmentet e rrugës më të vjetë dhe më të famshme të botës antike, siç është “Via Egnatia”.
Nga kërkimet e kryera nga studiuesit shqiptarë, në segmentin Durrës-Elbasan janë zbuluar pjesë dhe trakte të plota (ose fragmentare) të kësaj rruge, të cilat, nëpërmjet specialistëve, duhet të ruhen (konservohen), të restaurohen dhe të bëhen të vizitueshme.
Në të gjithë gjatësinë e kësaj rruge nga Miraka në Urakë ndodhen një numër monumentesh të rëndësishme arkeologjike e kulturore, disa prej të cilave janë shpallur “Monument Kulture”, siç janë Ura e HaxhiBeqarit (Mirakë), Ura e Kamares (Mirakë), Kalaja e Skënderbeut (Spathar), Hanet e Porosekut (Dardhë), QytezateGurra e Zezë (Xhyrë), Kalajailire (Qukës-Skënderbej), Shpella e Skënderbeut (Qukës-Skënderbej), Ura e Gurit (Qukës-Shkumbin), QytezadheMurzet (Bërzeshtë), Shtatëgurrat e GjorgGolemit(Bërzeshtë), Gradishta në fshatin Dritaj, Ura e Golikut (Golik), Varret e Selcës(Selca e Poshtme) etj., të cilat duhet të përfshihen në guidat dhe në projektet që do të hartohen për kthimin e rrugës “Egnatia” si object të vizitueshëm.
Pjesa më e ruajtur, më interesante dhe më e rëndësishme e kësaj rruge është segmenti Mirakë-Qukës, e cilan dodhet në rrjedhën e majtë të lumit Shkumbin.
Në këtë rrugë duhet të shënohen në tabela stacionet romake të periudhës antike, por edhe hanet e periudhave të mëvonshme historike. Sipas Tabelës së Poetingerit, prej Urës së Haxhi Beqarit në Mirakë dhe deri në Qafë-Thanë, nëpër rrugën “Egnatia” ndodhen katër stacione: Stacioni i Mirakës me emrin Treiecto; stacioni i Babjes Ad Dianam; Stacioni i Qukësit me emrat: In kandavie, Mutadio in Tabernas dhe Tres Tabernas dhe në Urakë stacioni me emrat: Pons Servilis dhe Maucio Klaudanon-it. Gjatë periudhave të mëvonshme në këto treva kanë qenë ndërtuar edhe disa bujtina me emrat: Hani i Babës në Babje, Hani i Porosekut në Dardhë dhe Hani Kopaçit në Qukës-Skënderbej, etj.
Vend-pushimet që do të ndërtohen pranë ish stacioneve romake do të shërbejnë, ashtu si në antikitet, për pushimin e turistëve (vizitorëve), si dhe për t’u siguruar atyre shërbime të ndryshme. Në shërbim të udhëtarëve, duhet të krijohen karvane me kuaj, apo mjete të tjera komunikimi.