Kongresmeni amerikan i kërkon Bidenit futjen e Kosovës në NATO

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, demokrati, Ritchie Torres, ka kërkuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s.

Në një letër dërguar presidentit Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kongresisti Torres ka thënë se pas situatës së krijuar pas pushtimit rus të Ukrainës, duhet që Uashingtoni t’i ndihmojë Kosovës që të anëtarësohet në NATO.

“Duke marrë parasysh pushtimin e paprovokuar rus ndaj Ukrainës, siguria në Evropë është kritike. Është parësore për sigurinë evropiane që ne të vazhdojmë dhe të zgjerojmë partneritetin që kemi përmes NATO-s. Prandaj, si një prej aleateve më të fuqishme të SHBA-së, u bëjmë thirrje që të shtoni përpjekjet tuaja që të siguroheni që Kosova të pranohet në NATO si shtet anëtar”, thuhet në letër.

Sipas “REL”, ai ka përmendur sanksionet që Kosova ka vendosur ndaj Rusisë duke ndjekur shembullin e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian dhe ka thënë se Prishtina zyrtare nuk është imune nga agresioni rus. “Agresioni rus është po ashtu shqetësues për Kosovën dhe për shkak të raporteve veçse të tensionuara që ka me fqinjin e saj, Serbinë. Serbia vazhdon të largohet nga Perëndimi dhe të afrohet drejt idealeve ruse”, ka shkruar Torres.


Leave a Comment

Your email address will not be published.