Më 15 prill të vitit 1935, Ministria e Punëve të Jashtme jugosllave, përmes një letre, urdhëronte konsullin e përgjithshëm në Stamboll, që të bëj një hulumtim të hollësishëm rreth planeve “kolonizuese turke” për arsye se, siç thuhej në letër, “këtyre ditëve do të organizohet një konferencë ndërministrore” në të cilën do të trajtohet problemi i shpërnguljes së popullsisë shqiptare për Turqi. Për rrjedhojë, konsulli i përgjithshëm jugosllav, më 2 maj 1935, përmes një Analize, njoftonte Beogradin, për mundësitë “reale”, rreth arritjes së një marrëveshje me autoritetet turke për shpërnguljen e popullsisë shqiptare myslimane për në Turqi
Nga Qerim LITA
Të mërkurën e kaluar publikuam dokumentin me titull “Referat i përgjithshëm për shpërnguljen e popullsisë myslimane nga Serbia Jugore”, hartuar më 6 prill 1939, nga komiteti ndërministror pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë jugosllave, i cili qe themeluar menjëherë pasi në Stamboll qe parafuar Konventa jugosllav-turke, për shpërnguljen e 40.000 familjeve shqiptare-myslimane, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Sanxhaku për në Turqi. Është me rëndësi të theksohet se autoritetet e atëhershme hegjemoniste serbomadhe, me qëllim të dëbimit sa më parë të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike dhe kolonizimin e tyre me elemente sllave (serbe e malazeze), më 21 gusht të vitit 1934, bënë ndryshimin dhe plotësimin e nenit 55 të Ligjit për shtetësi jugosllave, të miratuar gjatë vitit 1928, përmbajtja e të cilit ishte si më poshtë:
“Janë bërë shtetas të Mbretërisë ata ish shtetas të Turqisë, të cilët më 25 gusht 1913 kanë qenë banor të ndonjë komune të territorit që iu bashkua ish Mbretërisë së Serbisë, si dhe ata, të cilët më 8 nëntor 1913 kanë qenë banorë të cilësdo komunë në territorin e aneksuar nga ish Mbretëria e Malit të Zi, dhe të cilët kanë ngelë si të tillë deri më 1 dhjetor të vitit 1918. Personave të cilët janë shpërngulur në Bullgari, nëse kthehen në vend në një afat prej tre viteve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, me vendim të Ministrisë për Punë të Brendshme, do t’u pranohet shtetësia e tyre. Popullsia jo sllave, e cila në kuptimin paragrafit të dytë të këtij neni është bërë shtetase e Mbretërisë, u ndërpritet kjo e drejtë, nëse në afat prej pesë viteve nga hyrja në fuqi të këtij Ligji deklarojnë para pushtetit ekzekutiv të shkallës së parë se tërhiqen nga shtetësia.
Pushteti ekzekutiv i shkallës së parë deklaratat e përmendura më lartë do ua dërgoj pushtetarëve ushtarak e komunal, të cilët kanë për obligim të njëjtit menjëherë të shlyejnë nga listat ushtarake e komunale. Këta persona do të jenë të obliguar të shpërngulen nga Mbretëria në afat prej një viti, nga dita e dhënies së deklaratës, gjatë së cilës do të mund të bartin me vete të gjitha të mirat e tyre të tundshme. Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë për Punë të Brendshme këtyre të shpërngulurve do t’u përcaktoj procedura lehtësuese për shpërngulje dhe për shitjen e pronës së tyre.”.
Me ndërhyrjen dhe plotësimit të fundit, bëhet ndryshimi dhe plotësimi i tekstit të paragrafit tre të nenit 55, ku thuhet shprehimisht: “Jo sllavët, të cilët në kuptimin e paragrafit të dytë të këtij neni, janë bërë shtetas të Mbretërisë ndërpriten të jenë të tillë nëse pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji e deri me 1 nëntor të vitit 1938 para organeve kompetente të pushtetit të shkallës së parë, ose në cilëndo përfaqësi tonën diplomatike apo konsullare në botën e jashtme, deklarojnë se tërhiqen nga shtetësia. Deklaratat të cilat u janë dorëzuar pushtetit të përmendur sikurse edhe përfaqësive diplomatike e konsullore nga ana e personave në fjalë pas 1 nëntorit të vitit 1938, e deri në hyrje në fuqi të këtij Ligji, do të konsiderohen si të dërguara me kohë”.
Ndërkohë, më 15 prill të vitit 1935, Ministria e Punëve të Jashtme jugosllave, përmes një letre, urdhëronte konsullin e përgjithshëm në Stamboll, që të bëj një hulumtim të hollësishëm rreth planeve “kolonizuese turke” për arsye se, siç thuhej në letër, “këtyre ditëve do të organizohet një konferencë ndërministrore” në të cilën do të trajtohet problemi i shpërnguljes së popullsisë shqiptare për Turqi. Për rrjedhojë, konsulli i përgjithshëm jugosllav, më 2 maj 1935, përmes një Analize, njoftonte Beogradin, për mundësitë “reale”, rreth arritjes së një marrëveshje me autoritetet turke për shpërnguljen e popullsisë shqiptare myslimane për në Turqi. Dy dokumentet në fjalë, të cilët në vazhdim po i japim të plotë, gjenden në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd, fondet 370 dhe 411, përkatësisht, Legata Jugosllave në Ankara dhe Konsulli i Përgjithshëm Jugosllav në Stamboll.
* * *
Dok. 1.
“Ministria për Punë të Jashtme
Proc. Nr. 9445 Beograd, 15 prill 1935
LËNDA: Shpërngulja e popullsisë jo-sllave nga Serbia Jugore për në Turqi
KONSULLIT TË PËRGJITHSHËM MBRETËROR, Stamboll
Ministria nga ai Konsull i Përgjithshëm ka pranuar më shumë raporte për kolonizimin që Qeveria turke është duke e kryer në brendi, e në mënyrë speciale në Thraki. Ato raporte duke i vlerësuar si interesante dhe të dobishme Konsulli i Përgjithshëm lutet që këtë çështje edhe në të ardhmen ta përcjell me vëmendje dhe Ministrinë ta njoftoj për rrjedhën e tij.
Sikurse është e njohur për Konsullin e Përgjithshëm, te një pjesë e caktuar të popullsisë jo-sllave nga Serbia Jugore (Kosova, Maqedonia, Sanxhaku dhe Mali i Zi, asaj kohe autoritetet serbomadhe i emërtonin si treva jugore serbe, përkatësisht Serbi Jugore – Q.L.) ekziston tendenca të shfrytëzohet me dispozitat e nenit 55 të Ligjit tonë për shtetësi për shkak shpërnguljes nga vendi ynë. Aspirata të një pjesë e popullsisë së Serbisë Jugore edhe atë sikurse te turqit poashtu edhe te shqiptarët.
Shpërngulja e turqve kryhet pa pengesa: ata po shpërngulen në Turqi. Ndërkohë, shpërngulja e shqiptarëve po has në vështirësi, pasi ata në radhë të parë duan të shpërngulen për në Shqipëri. Në anën tjetër këtë shpërngulje po e vështirëson Qeveria shqiptare, për arsye se konsujt shqiptarë këtu te ne refuzojnë të japin viza dhe me këtë e pamundësojnë shpërnguljen për Shqipëri. Këtë çështje ata pjesërisht e bëjnë për shkaqe financiare e pjesërisht për shkaqe politike e nacionale.
Për këtë arsye shqiptarët nga Serbia e Jugut, në pamundësi të shpërngulen në Shqipëri, bëjnë përpjekje të shpërngule në Turqi. Ata shumë lehtë marrin viza ka konsulli turk, për arsye se Turqia një emigracion të tillë është duke e favorizuar. Me t’u pajisur me viza turke ata për në Turqi kryesisht shkojnë përmes Selanikut me atë se, ose atje ngelin përgjithmonë, ose nga atje më pas kalojnë në Shqipëri.
Në kohë të fundit është vërejt se ekziston një numër i caktuar i personave të cilët para qeveritarëve tanë kanë dhënë deklaratë të paraparë me nenin 55 e të cilët nuk janë shpërngulur. Disa nga ata pohojnë se nuk mund të shpërngulen për arsye se nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet e rrugës.
Kjo Ministri ka ndërmarrë hapa të duhura deri te Ministria për Punë të Brendshme që të grumbulloj të dhëna të sakta për numrin e personave të këtillë, sikurse edhe detaje tjera për ta. Nuk është në interesin tonë që këta njerëz të pengohen nga dëshira e tyre për t’u shpërngulur, e nëse arsyeja e vetme për mos shpërnguljen e tyre është mungesa e shpenzimeve rrugore, atëherë atyre duhet t’u mundësohet shkuarja në cilëndo mënyrë qoftë. Ndoshta do të ishte e përshtatshme të grumbulloheshin dhe me shpenzimet e shtetit tonë të përcillen deri në kufirin shtetëror turk, qoftë përmes rrugës tokësore qoftë përmes Selanikut, detit. Këtyre ditëve në këtë Ministri do të mblidhet një konferencë ndërministrore e cila tërë këtë çështje do ta merr në shqyrtim. Lutet ai Konsull i Përgjithshëm, nëse ajo është në suazat e kompetencave të veta, ta lexoj e sa më parë ta dërgoj raportin si dhe sugjerimet e veta eventuale për këtë Ministri.
Në mënyrë të veçantë kërkohet mendimi i asaj konsullate për çështjet si vijojnë:
a/ përmes cilës rrugë duhet të kryhet transporti publik: rrugës tokësore ose përmes detit;
b/ cilat dhe çfarë hapash duhet të ndërmerren te Konsullata turke;
c/ të shpërngulurit çfarë nga sendet e tyre do të mund të merrnin me vete.
Përveç kësaj lutet Konsulli i Përgjithshëm për çfarëdolloj sugjerimi të dobishëm eventual në pikëpamjen e zbatimit të këtij aksioni”.
Dok. 2
“Konsulli i Përgjithshëm Mbretëror
Proc. Nr. 115 Stamboll, 3 maj 1935
Ministrisë për Punë të jashtme
Dhomës Politike
Në përgjigje të letrës së Ministrisë Proc. Nr. 9445 nga data 15 prill k.v. Konsullata e Përgjithshme Mbretërore ka nderin të Ju dërgoj si vijon.
Çështja e shpërnguljes së popullsisë jo-sllave, nga territori i Serbisë Jugore, pa dyshim se përbën, një ndër çështjet më të mëdha politike-nacionale. Qëndron fakti, se elementi shqiptar-mysliman i vendosur përgjatë tërë kufirit tonë shtetëror nga Liqeni i Shkodrës e deri te Liqeni i Ohrit, më pak apo më shumë përbën një masë kompakte. Kufiri shqiptar-jugosllav nga Bojana në det e deri te Liqeni i Prespës ka një gjatësi prej 477 kilometra. Ky element përgjatë kufirit shtetëror përbën rrezikun e përhershëm, aq më tepër se mbështetet në shtetin shqiptar, i cili me vet faktin e ekzistimit është përcaktuar të jetë kundërshtar ynë megjithëse nga oportuniteti politik në momente të caktuara mund të jetë në marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me ne. Ky problem meriton kujdesin më të madh dhe për zgjidhjen e tij nevojitet të bëhen përpjekje të mëdha dhe të shpenzohen mjete të shumta materiale. Për zgjidhjen e tij ka më shumë metoda, realizimi i së cilës lidhet për vite të tëra. Më të rëndësishmet janë kolonizimi dhe ripopullimi. Kolonizimi ka dhënë rezultate të mira edhe deri më tash dhe të njëjtën duhet vazhduar, duke pas kujdes të veçantë që elementi nacional të dërgohet sa më afër kufirit. Ndoshta do të ishte në një jopërputhshmëri të tepruar mirëpo konsideroj se duhet bërë edhe ndonjë përpjekje përmes kishës. Në të vërtetë kisha ortodokse nuk ka ide misionare dhe prandaj kjo përpjekje do të shkonte me vështirësi. Është e njohur çështja se në Gjermani krijohet feja gjermane, ndërsa në Bashkimin Sovjetik feja përndjekjet, si në njërin shtet po ashtu edhe në tjetrin ka më shumë interesa nacionale e sociale.
Shpërngulja përbën masën më radikale, veçmas shpërngulja në Turqi. Shpërngulja në Shqipëri do ta rriste popullsinë e shtetit shqiptar dhe përforcimin e lëvizjes irredentiste, i cili atje vetëm se ekziston e të cilin e nxitë pushteti shtetëror shqiptar dhe propaganda e huaj. Ai element shqiptar i cili shpërngulet në Turqi për kombin shqiptar llogaritet si element i humbur përfundimisht. Për këto arsye plani për shpërngulje në Turqi përbën zgjidhje më me fat të këtij problemi.
Qeveria e Turqisë i ka dhënë detyrë vetvetes që elementin e huaj nga territori i saj ta largoj dhe ta zëvendësoj me elementin turk përkatësisht mysliman nga vendet ballkanike. Qeveria turke konsideron se me marrëveshjet për paqe pas luftërave ballkanike e botërore janë shndërruar në krijimin e kufijve të pastra etnografik me çka mbeturinën e elementit jomysliman duhet detyrimisht larguar dhe përmes asaj rruge të bëhet një vend tërësisht homogjen. Pas luftës së suksesshme me Greqinë, i tërë elementi grek nga territori turk përveç Stambollit, është i përndjekur. Përveç grekëve ka krahina si Thrakia ku përmes përndjekjeve dhe formave tjera më të ndryshme janë detyruar të shpërngulen 15.000 bullgarë. Meqenëse se Thrakia është eksponuar dhe e cila në aspektin strategjik përbën një krahinë shumë me rëndësi për republikën turke, prandaj qeveria turke bënë përpjekje që këtë krahinë ta nacionalizoj dhe populloj. Sot, në Thraki nëse mund të ketë disa qindra grek me 600 bullgarë në Llozengrad dhe Edrene dhe numër të parëndësishëm të hebrenjve. Qeveria turke favorizon popullzimin e elementit mysliman nga vendet ballkanike. Dy viteve të fundit numri më i madh i të ardhurve ka qenë nga Rumania pastaj nga Bullgaria, ndërsa më i vogli nga vendi ynë. Qeveria turke në buxhetin e këtij viti ka paraparë shumën prej 1 milion lirave për vendosjen e ardhacakëve në Thraki. Përveç arsyeve nacionale-ushtarake të përmendura më lartë qeveria turke përpiqet që ta rris numrin e popullsisë së vet, sepse konsideron, se me rritjen e numrit të popullsisë rritet edhe autoriteti i saj ndërkombëtar.
Kur ekziston një disponim i tillë te qeveria turke, atëherë kjo tash përbën momentin e volitshëm që përmes rrugës së negociatave të ngritet kjo çështje. Qeveria turke do ta pranonte me kënaqësi propozimin tonë në këtë drejtim, aq më tepër, nëse kjo shpërngulje të shkohej përmes një plani të caktuar dhe me ndihmën tonë materiale. Çështjen do të duhej ta ngrenim sa më parë, që mos të ngelim prapa rumunëve dhe bullgarëve, të cilët gjithashtu janë të interesuar për këtë çështje. Sipas mendimit të Konsullatës së Përgjithshme çdo myslimani në Serbinë Jugore i cili dëshiron ta lëshoj territorin tonë dhe të shpërngulet në Turqi duhet t’i lejohet ta shesë pasurinë e tij të tundshme e të patundshme. Njëkohësisht duhet lejuar që me vete t’i bart edhe parat e fituara. Gjithashtu duhet vazhduar afati i nenit 55 të Ligjit për shtetësi edhe për pesë vjet. Rruga më e rëndësishme për shpërngulje do të ishte rruga detare Selanik – Stamboll. Kjo rrugë për person kushton 300 dinar të cilën shumë do ta paguante shteti ynë. Me shumën prej 1 milion dinarësh do të shpërnguleshin mbi 3.000 vetë. Përveç kësaj shpërnguljen mund ta realizonim edhe përmes transportit hekurudhor Selanik-Dedeagaç-Edrene. Kjo rrugë do të ishte diç më e shtrenjtë, sepse kjo rrugë është hekurudhë klasike orientale nga e cila është vështirë të reduktohet.
Konsulli i Përgjithshëm”