Vuçiqi kërcënon Kosovën nëse s’lejon organizimin e zgjedhjeve të Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërcënuar Kosovën dhe Malin e Zi me “pasoja afatgjate” nëse nuk lejojnë që brenda territoreve të tyre të organizohen zgjedhjet e Serbisë së 3 prillit.

Duke folur para takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi, Vuçiq në një tubim elektoral të hënën ka thënë se mund të pritet gjithçka në botë, duke aluduar edhe në qëndrimet e Kosovës dhe të Malit të Zi për të mos lejuar organizimin e zgjedhjeve të Serbisë.

“Prisni gjithçka, sot Qeveria e Malit të Zi ndaloi votimin në Beranë dhe disa vende për zgjedhje tona. Qeveria e Kurtit ka kërkuar ta njohim pavarësinë e Kosovës për të organizuar zgjedhjet. Kurti do të marrë përgjigjen, e dini se çfarë përgjigje do të marrin. Përgjigje nga njerëz seriozë dhe të përgjegjshëm, por do të ketë pasoja afatgjate”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiqi s’ka përjashtuar mundësinë për zgjerim të konfliktit që tashmë ka nisur në Ukrainë pasi Rusia nisi pushtimin. Sipas tij, “ka njerëz që po presin rastin për të provokuar luftë”.

Në takimin e së martës në Këshillin Kombëtar të Sigurisë në Serbi do të diskutohet për vendimin e Kosovës për të refuzuar organizimin e zgjedhjeve në prill brenda territorit të Kosovës. Qeveria e Kosovës tashmë ka bërë të qartë se serbët mund të votojnë me postë ose te zyra ndërlidhëse, raporton Koha.net.
Ndërkaq

Kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike e konsullore të Kosovës, tha se “nuk dëshirojmë t’ia pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.

“Ndaj të dyjave do të sillemi me përgjegjësi”, u shpreh kryeministri Kurti duke shtuar se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it.

Leave a Comment

Your email address will not be published.