Nis procedura ndaj eprorëve të Policisë së Kosovës që u takuan me Vuçiqin

Inspektorati Policor i Kosovës ( IPK ) ka konfirmuar se është duke shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku u diskutua për vendimin e Qeverisë e Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka.

“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar zyrtarisht për këtë çështje dhe se në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me Presidentin e Serbisë”, ka thënë ai.

Ndryshe, mbledhja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Serbi, është mbajtur më 22 mars, ndërsa pas mbledhje u raportua se Vuçiq ka takuar edhe pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Në media qarkulluan emrat se në takim shin: Shefi i Hetimeve Rajonale në Mitrovicën Veriore, Nenad Simiq, Komandanti i stacionit policor në Mitrovicën Veriore, Goran Zivkoviq, Igor Vukadinoviq nga Stacioni policor në Leposaviq, komandanti i stacionit policor në Zubin Potok, Zvezdan Milivojeviq si dhe Shefi i Hetimeve në Zveçan.

Pas raportimeve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), gjatë të mërkurës, kishte reaguar pas raportimeve se në takimin me presidentit e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka marrë pjesë kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.

Leave a Comment

Your email address will not be published.