Gruri serb s’na del as për 1 muaj, shpjegim për pazarin Rama-Vuçiç

Me fillimin e luftës me dy vendeve kryesore që prodhojnë dhe eksportojnë drithë në gjithë botën, përveç frikës së rritjes së madhe të çmimit, nisi shqetësimi për mungesën e drithrave në treg. Shumë qeveri të Europës, pro edhe të Ballkanit, blenë me fondet e Buxhetit rezerva të konsiderueshme që zgjasin deri në 3 muaj, që në ditët e para të konfliktit.

Qeveria shqiptare e nisi me lehtësinë e zakonshme. Jo vetëm që nuk mori asnjë masë, por edhe deklaroi se do ia linte tregut gjithçka, gjetjen e furnizimit dhe rritjen e çmimeve. Të pyetur nëse kanë rezerva shtetërore për produktet bazë, ministrat deklaronin se ky është sekret, ndërsa nuk merrnin asnjë masë për të blerë rezerva. Deri kur nisën protestat, kur u detyruan të kontrollojnë abuzimet dhe të marrin masa të pjesshme.

Ishte koha kur Edi Rama u detyrua të linte pushimet në Dubai dhe të kthehej në zyrë, kur kuptoi se mund të mos kishte as furnizim. Ishte vonë për të blerë rezerva, çmimet ishin rritur në bursë dhe malli ishte porositur tashme. Atëherë siç bën gjithmonë, publikisht ose privatisht, iu drejtua mikut të tij Alexandar Vuçiç.

Presidenti serb, sapo kishte ndërprerë importet e mallrave ushqimorë, bazë, përfshirë edhe grurin.

Pa marrë akoma një përgjigje definitive, Rama u deklaronte importuesve të grurit se ia kishte kërkuar Vuçiç si një detyrim që lind nga ‘Open Balkan’.

“Nëse jemi në Ballkanin e hapur ky është momenti ta tregojmë”, tha Rama në formë shantazhi. Një shantaz që tingëlloi sikur ‘Open Balkan’ ishte i Serbisë dhe Beogradi duhet të bënte diçka që Shqipëria të vazhdojë të qëndrojë.

Ajo që ndodhi më pas ishte premtimi publik i Vuçiç se nuk do t’i bllokonte eksportet për vendet e Ballkanit dhe do të respektonte kontratat e mbyllura. Sipas kontratave, edhe Tirana edhe Beogradi, konfirmuan se në Shqipëri duhet të vinin 20 mijë tonë grurë. Dukej sikur Rama ia doli edhe këtë herë, që paaftësinë e tij ta mbulojë me ndihmën e një miku. Kështu bëri me vaksinat 1 vit më parë, kur, u vonua të bënte porosinë tek Pfizer dhe shkoi tek Erdogan për të marrë 1 milion vaksinat kineze, që i përdori më shumë për zgjedhjet se për pandeminë.

Vetëm se këtë herë, nuk është e njëjta gjë. Vuçiç ia plotësoi kërkesën, madje sot vendosi ta llastonte, duke i shtuar edhe 10 mijë tonë grurë, duke e çuar në 30 mijë tonë sasinë që do të eksportojë. Problemi mbetet, jo tek mbulimi i paaftësisë së Ramës me ndere okulte, jo te varësia nga Serbia dhe legjitimi i saj si fuqia kryesore e Ballkanit, por te pamjaftueshmëria.

Shqipëria importon rreth 480 mijë tonë grurë në vit. Të paktën kaq ka qenë shifra e vitit 2020. Kjo do të thotë se çdo muaj shqiptarët konsumojnë rreth 40 mijë tonë. Kjo nuk i plotëson nevojat, pasi çdo muaj importohen edhe 3 mijë tonë miell, edhe pse i gjithë importi i grurit bëhet miell.

Kjo do të thotë se sasia e siguruar nga Serbia, mjafton vetëm për tre të katërtat e muajit, ose 23-24 ditë. Çfarë do të ndodhë pas 24 ditësh? A ka rezerva Shqipëria? A do t’i kërkojë Rama përsëri Vuçiçit grurë apo do të shkojë edhe një herë tek Erdogani? E sigurtë është që do vazhdojmë të vuajmë pasojat e një qeverisjeje të papërgjegjshme, që për të fshehur paaftësinë bën koncesione të paligjshme me shtete të tjera. Këtë herë edhe për bukën e gojës./Dosja.al

Leave a Comment

Your email address will not be published.