Kosova nuk ka pasur varësi për import të grurit nga Ukraina, por nga Serbia. Por, tashmë ka marrë përgjigje pozitive nga shtetet perëndimore dhe nga SHBA-të për mundësinë e importit të grurit nga këto shtete. Kosova shumë shpejt mund të jetë blerës i ardhshëm i grurit amerikan.
Duke parë rrezikun e përshkallëzimit të mëtejmë të luftës në Ukrainë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë përgjigje pozitive nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket importit të grurit në të ardhmen edhe nga SHBA-ja.
“Kosova nuk ka pasur varësi për import të grurit nga Ukraina, por nga Serbia. Por, fatmirësisht kemi marrë përgjigje pozitive nga shtetet e perëndimore dhe nga SHBA-ja për mundësinë e importit të grurit nga këto shtete. Pra, Kosova mund të jetë blerës i ardhshëm i grurit amerikan”, tha ajo gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi të martën.
Hajdari shtoi se vendi duhet të përgatitet për rritjen e rezervës shtetërore.
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, ka kërkuar raport të veçantë për rezervën shtetërore nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Shala ka kërkuar raport për rezervat shtetërore, dhe siç tha ai për shpenzimet e shumës prej 10 milionë euro të ndara nga Qeveria.
Hajdari të martën nuk ishte në gjendje të raportojë lidhur me këtë çështje, por premtoi se në një mbledhje të ardhshme do të raportojë për rezervën shtetërore, që sipas saj, është sekreti shtetëror i përcaktuar me ligj.
Ajo ka treguar se gjatë vitit 2021, numri i ankesave të konsumatorëve është rritur për “200 ose 300 për qind krahasuar me vitin paraprak”.
Ndërkohë tha se gjatë vitit të kaluar, niveli i eksporteve të mallrave të Kosovës është rritur për 62 për qind.
Hajdari shtoi se gjatë vitit 2021, investimet e huaja kanë qenë gati 500 milionë euro.
Ajo ka njoftuar anëtarët e Komisionit për projektligjet e miratuara nga Kuvendi dhe projektligjet që janë në proces të miratimit. Hajdari po ashtu ka thënë rreth 80 për qind e masave të MSA-së janë finalizuar nga kjo ministri gjatë vitit që shkoi./Monitor.al