Blerim Isufaj është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit. Me 11 vota pro Blerim Isufaj është nominuar për kryeprokuror të ri të Shtetit. Këtë e ka komentuar shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili ka thënë se janë të zhgënjyer dhe habitur nga veprimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës pas nomimit të Isufajt.
Përmes një postimi në Twitter, Szunyog ka thënë se përkundër thirrjeve të BE-së për të siguruar një përzgjedhje të drejtë, transparente dhe të bazuar në merita, KPK ka shpërfillur këto parime.
“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të BE-së për të siguruar një përzgjedhje të drejtë, transparente dhe të bazuar në merita të Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës përfundoi procesin e përzgjedhjes duke shpërfillur këto parime. Të habitur dhe të zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, ka thënë ai në Twitter.
E me këtë konstatim të Szunyog është pajtuar edhe ambasadori gjerman Rohde. Ky i fundit në një reagim në Twitter ka shkruar se kjo është vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës.
“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e GLPS kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, ka shkruar ambasadori Rohde.
Pas votimit dhe aprovimit të prokurorit Blerim Isufaj nga Këshilli Prokruorial, emri i tij do të shkojë tek Presidentja e vendit për dekretim. Në rast se presidentja e voton këtë kandidat atëherë, i njëjti emërohet si Kryeprokuror i ri i Shtetit. E në rast se ndodh e kundërta, atëherë procesi përsëritet.
Në bazë të rezultatit të intervistimit: Blerim Isufaj është vlerësuar si kandidati më pikët me të larta, me 98 pikë. I pasuar nga Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë si dhe Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.
Në bazë të rregullores për emërimin e kryeprokurorit të shtetit, pas votimit dhe shpalljes së rezultateve, atëherë votimi për emërimin e kryeprokurorit të shtetit duhet të aprovohet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial. Rregullorja përcakton se kandidati që merr më së shumti vota në këtë rast kandidati Blerim Isufaj, duke kaluar me vota të përgjithshme, mbi 3% kandidatin e dytë, atëherë emri i këtij kandidati shkon për votim dhe aprovim në këshill.
Në rast se kandidati nuk merr votat e shumicës së të pranishmëve të anëtarëve të KPK-së, atëherë rishpallet konkursi.
Të mërkurën tri organizata të shoqërisë civile i kanë kërkuar presidentes të mos e dekretoj Isufajn për kryeprokuror të vendit.
Në një raport të publikuar më 24 mars 2022 nga Koalicioni i OJQ-ve, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, ky koalicion ka rekomanduar të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri.
Po ashtu edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte kërkuar kthim në pikën zero të këtij procesi. Blerim Isuafj, i cili ishte zgjedhur në dhjetor 2019 kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, ishte denoncuar më herët nga ish-prokurori Elez Blakaj për ndërhyrje në rastin e fryrjes së listës së veteranëve.
Blakaj, e akuzonte Isufajn për presion që të mos e fuste në aktakuzë, ish-ministrin e FSK-së, Rrustem Berishajn.
“Më vjen keq edhe për z. Blerim Isufi për të cilin kam pas respekt, por thjeshtë dua t’ja bëj me dije se provat ishin ato të cilat nuk më lejonin ta hiqja nga aktakuza z. Rrustem Berishen, përkundër insistimit të tij!”, kishte shkruar Blakaj, në letrën e dorëheqjes.
Në anën tjetër, Agjencia Kundër Korrupsion kishte ushtruar kallëzim penal kundër Blerim Isufajt, sa ishte kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. Sipas Agjencisë, Isufaj dyshohet se ka bërë deklarimit të rremë të pasurisë, përkatësisht ka rënë ndesh me nenin 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit”, thuhet në paragrafin 2 të nenit 430 të Kodit Penal.
Kallëzimi penal ndaj Isufajt ishte në prag të garës për Kryeprokuror të Shtetit.