Çka do të ndodhë me Twitterin pasi e bleu Elon Musk?

Elon Musk arriti një marrëveshje për ta blerë Twitterin për rreth 44 miliardë dollarë.Shefi ekzekutiv i kompanisë “Tesla”, i cili është gjithashtu personi më i pasur në botë, ka theksuar më parë se dëshiron të blejë këtë rrjet social sepse mendon që është një platformë që e kufizon “fjalën e lirë”. Ai beson se Twitter duhet të transformohet si një kompani private në mënyrë që të krijojë besim me përdoruesit.

“Liria e fjalës është themeli i demokracisë dhe Twitteri është një treg digjital ku diskutohen çështje jetike për të ardhmen e njerëzimit. Unë gjithashtu dua ta bëj Twitterin më të mirë, duke e përmirësuar atë me veçori të reja, duke bërë algoritme besimi me burim të hapur, duke mposhtur robotët dhe duke e konfirmuar autenticitetin e gjithë njerëzve. Twitter ka potencial të madh – mezi pres të punoj me kompaninë dhe komunitetin e përdoruesve për ta hapur atë,” shkroi Musk.

Biznesmeni i cili e gëzon një pasuri prej 276 miliardë dollarësh i ka premtuar një seri ndryshimesh, duke filluar nga lirimi i kufizimeve të përmbajtjes e deri te fshirja e llogarive.

Pas lajmit të arritjes së marrëveshjes për blerjen e Twitterit, një numër i madh i personaliteteve të famshme reaguan në këtë rrjet social, duke i shfaqur pakënaqësitë e tyre, raportoi të martën portali “NME”. Në mesin e tyre ishin: Ellie Goulding, Jameela Jamil, Scooter Braun, Kevin Jonas, Questlove, Ice Cube dhe të tjerë.

Organizatat dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësimin se mungesa e moderimit dhe menaxhimit të përmbajtjes do të çojë në një rritje të gjuhës së urrejtjes në rrjetin social Twitter. Përveç kësaj, shumë përdorues të Twitterit po pyesin nëse llogaritë e pezulluara më parë në Twitter do të riaktivizohen. Aktualisht, personi më i famshëm që është bllokuar në Twitter është Donald Trump, ish-presidenti amerikan, shkruan Bloomberg.

Musk ka qenë shumë i zëshëm në të kaluarën në pikëpamjet dhe kritikat e tij ndaj politikës së Twitterit për moderimin e përmbajtjes, duke theksuar se platforma duhet të jetë forumi kryesor për fjalën e lirë.

A do të largohen përdoruesit nga Twitteri?

Musk vuri në dukje se ai shpreson që edhe kritikët e tij më të mëdhenj do të qëndrojnë në platformë “sepse kjo është ajo që do të thotë liria e fjalës”. Megjithatë, disa përdorues kanë kërcënuar se do të largohen nga Twitteri, ndërsa disa e kanë bërë tashmë.

Aktorja britanike Jamila Jamil, e cila njihet më së shumti për rolin e saj në serialin “The Good Place”, theksoi se pret që platforma të “bëhet një hapësirë ​​me akoma më shumë paligjshmëri, urrejtje, ksenofobinë, fanatizëm dhe mizogjini”.

A do të kthehet Trumpi?

“Nuk do të kthehem, edhe nëse ma zhbllokojnë llogarinë”.

Llogaria e Donald Trumpit në Twitter u mbyll përgjithmonë vitin e kaluar, pas trazirave në Uashington. Megjithatë, edhe nëse ndalimi në rrjetin social hiqej, Trump theksoi se nuk kishte në plan të kthehej në Twitter. Në vend të kësaj, ai do të përdorë platformën e vetë Truth Social.

“Unë nuk do të kthehem në Twitter, do të qëndroj në Truth Social. Shpresoj që Elon të blejë Twitterin sepse dëshiron ta përmirësojë atë dhe është një njeri i mirë, por unë do të qëndroj në Truth Social”, shpjegoi Trump.

Jack Dorsey, bashkëthemelues i Twitterit, i cili është ende anëtar bordi, ka thënë se ishte i lumtur që platforma do të vazhdonte të shërbente për diskutime dhe biseda publike, pavarësisht se nuk besonte se dikush duhet të garantojë për pronarin ose të drejtojë Twitterit.

“Megjithatë, duke zgjidhur problemin e Twitterit si një kompani e pavarur, Elon është zgjidhja e vetme që besoj. Unë besoj në misionin e tij për të zgjeruar praninë e vetëdijes”, ka thënë Dorsey.

Drejtori i Twitterit, Parag Agraval, iu drejtua punonjësve të kompanisë, duke u thënë se e ardhmja e kompanisë është e pasigurt.

“Pasi të përfundojë marrëveshja e blerjes, ne nuk e dimë se në cilin drejtim do të zhvillohet platforma”, ka theksuar Agraval.

Leave a Comment

Your email address will not be published.