Scholz hedh poshtë “Open Balkan”, i jep prioritet Procesit të Berlinit

Njohja e Kosovës nga Serbia në fund të një marrëveshje mes dy shteteve, Procesi i Berlinit si prioritet dhe mbështetja për liberalizimin e vizave për Kosovën ishin disa prej mesazheve kryesore të Kancelarit gjerman Olaf Scholz gjatë konferencës së përbashkët që pati me kryeministrin Albin Kurti.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se i japin prioritet Tregut të Përbashkët Rajonal kur u pyet për iniciativën rajonale të Open Balkan.

Scholz tha se Procesi i Berlinit është forumi që i çon në BE vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Sa i përket Open Balkan, dua ta them të qartë se ne prioritet të madh i japim Tregut të Përbashkët Rajonal që mendojmë se duhet të përparojë dhe çështjet brenda tij mund të realizohen dhe të çohen përpara”, tha ai.

Tutje kancelari Scholz tha se shtete që duan të anëtarësohen në BE duhet t’i ndjekin rregullat e lirisë së lëvizjes.

“Të gjithë duan të shkojnë në BE atje edhe ashtu ekzistojnë dhe janë të vlefshme rregullat e lirisë së lëvizjes dhe kushdo që dëshiron t’i bashkohet BE-së duhet t’i ndjek ato”, u shpreh Scholz.

Kancelari gjerman Olaf Scholz nga Prishtina i ka dërguar mesazhe të qarta Serbisë se nuk mund të bëhet shtet anëtar i BE-së pa i pasë të gjitha qëndrimet e njëjta me Unionin. Ai tha se s’duhet të ketë dyshime mbi vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë për të dënuar agresionin e saj në Ukrainë.

“Kush bëhet anëtar i BE-së duhet të pranojë gjithë regjimin që vjen, po flas për rregullat e përbashkëta, të cilat i kemi zhvilluar. Duhet t’i pranojë të gjitha, legjislacionit, demokracinë, hapjen, transparencën dhe një politikë të përbashkët kundrejt vendeve të tjera. Këtu bën pjesë edhe regjimi i sanksioneve që BE i ka vendosur ndaj Rusisë dhe kjo duhet të pranohet nga një vend që synon BE-në. Nuk duhet të ketë iluzione sa i përket kësaj”.

Ndërkaq, kryeministri kosovar Albin Kurti, tha se natyrisht që Ukraina është në qendër të vëmendjes dhe zemrën e të gjithë për atë që po kalon, por tha se krahas saj në vëmendjen të BE-së duhet të jetë edhe Ballkani Perëndimor.

“Jemi për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Ajo është në vëmendjen dhe zemrat e të gjithëve që duan paqen dhe demokracinë. Nnatyrisht është fokusi të Ukraina, por unë besoj që duhet të jenë të dyja edhe Ukraina dhe Ballkani Perëndimor, do të doja që të shkojë gjithçka më shpejt. BE është fati ynë, duam një Kosovë europiane, një Ballkan europian”.

Ai përmendi gjithashtu një konferencë që do ta organizojë për “Procesin e Berlinit”.

“Dëshiroj që së bashku me partnerët tanë ne kuadër të Procesit të Berlinit, ta rijetësojë atë këtë vit, dhe një vjeshtë do të ftojë për një konferencë në Berlin”, ka thënë Scholz.

Duke folur për liberalizimin e vizave, Scholz tha se Kosova ka plotësuar kushtet dhe tani shtetet evropiane duhet të binden ashtu siç është bindur Gjermania.

“Unë e kam thënë edhe më herët ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt pasi që kushtet janë plotësuar dhe për këtë flasim me të gjithë partnerët në Evropë dhe ata të binden siç jemi bindur ne që moti”, tha Scholz.

Kjo ishte vizita e parë e Olaf Scholz në Kosovë si kancelar i Republikës Federale të Gjermanisë. Scholz e ka nisur me Prishtinën turin e tij dy ditor ballkanik, ndërkaq pasdite ai udhëton për në Beograd.
Kancelari gjerman do ta vizitojë edhe Shkupin e Sofjen për ta përmbyllur me Selanikun ku do të marrë pjesë  Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Në Greqi, do të marrë pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe do të jetë e pranishme në një darkë të përbashkët me Kancelarin Scholz.

Leave a Comment

Your email address will not be published.