Nëse dialogu me Serbinë qenka përcaktuesi kryesor i procesit euro-integrues të Kosovës, dhe nëse Serbia ka qasje bllokuese ndaj Kosovës, atëherë si duhet të sillet BE? Çka duhet të ndërmerr Brukseli që kjo qasje e Beogradit të mos vazhdojë deri në pafundësi, ndërkohë që e ardhmja evropiane Kosovës të varet, jo nga anagazhimet e saj për të ndërtuar shtet ligjor, me të gjitha kapacitetet demokratike, por nga teket e Serbisë
Shkruan Mehmet PRISHTINA
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shënuan një hap të rëndësishëm në procesin eurointegrues, pas fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Ky është një lajm tepër i veçantë për gjithë rajonin, sidomos për shqiptarët, sepse vlerat evropiane tash e tutje marin një kuptim më thelbësor, mu në kohën kur kërcënimet e jashtme dhe të brendshme për destabilizim të Ballkanit Perëndimor janë më evidente se kurdo herë më parë.
Një përfituese e tërthortë i këtij procesi gjithsesi është edhe Kosova, për shkak se hapen mundësitë që edhe vendi ynë të jetë më afër axhendës evropiane për zgjerim, por edhe për shkak se tash e tutje reflektorët e BE-së do të përqëndrohen më tepër tek çështjet e pambyllura me Serbinë.
Megjithatë, nëse i referohemi gjendjes momentale do të shohim se procesi i dialogut me Serbinë duket të jetë pengesa e Kosovës për shumë procese, përfshi edhe përfitimin e statusit të vendit kandidat për BE dhe liberalizimin e vizave.
Ndonëse, kryeministri Albin Kurti është zotuar se brenda këtij viti Kosova do të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kjo nuk është kurrfarë garance që shteti ynë mund ta marrë statusin e kandidatit pa e përfunduar dialogun me Serbinë.
Pra, gjithçka është e varur nga Serbia, gjegjësisht nga vullneti i saj për të demonstruar konstruktivitet në raport me Kosovën, gjë që tani për tani nuk po ndodhë.
Në një situatë të tillë kur Serbia nuk është gjithaq e interesuar të jetë pjesë e BE-së dhe ka qasje bllokuese ndaj Kosovës, si duhet të sillet Brukseli?
Çka duhet të ndërmerr BE që kjo qasje e Beogradit të mos vazhdojë deri në pafundësi, ndërkohë që e ardhmja evropiane e Kosovës të varet, jo nga anagazhimet e saj për të ndërtuar shtet ligjor, me të gjitha kapacitetet demokratike, por nga teket e Serbisë.
Nëse i hedhim një sy procesit nëpër të cilin ka kaluar Maqedonia e Veriut, dhe sidomos stagnimit të saj për shkak të problemeve që i ka shkaktuar Bullgaria lidhur me çështjet identitare maqedonase, do të vërejmë se qasja e BE-së erdhi duke evoluar në favor të një zgjidhjeje kompromisi, ku e fituar doli sërish Maqedonia e Veriut.
Fillimisht Bullgaria ishte tepër rigjide në qëndrimet ndaj Maqedonisë së Veriut, duke e kushtëzuar atë të heq dorë nga disa elemente qenësor të identitetit nacional, siç janë gjuha, historia, heronjtë kombëtarë etj.
Në shikim të parë fitohej përshtypja se asnjëherë nuk do të tejkalohet hendeku bullgaro-maqedonas, mirëpo ndodhi ajo që edhe skeptikët nuk e kishin parashikuar. Bullgaria e hoqi veton, kurse Maqedonia e Veriut u zotua se do t’i përfshijë bullgarët në preambullën e Kushtetutës së saj. Për rrjedhojë u hapën negociatat për anëtarsim në BE.
Në rastin e Kosovës në raport me Serbinë, analogjia e mësipërme mundet të përdoret si model, por edhe të bëhen disa përjashtime.
Fillimisht cilat janë ato përjashtime dhe ku nuk mund të vie në shprehje analogjia:
E para, Serbia nuk është anëtare e BE-së dhe nuk është në pozitën e Bullgarisë që t’i vendos veto Kosovës dhe të nxjerr kushte sipas kutit të saj;
E dyta, në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka çështje të pazgjidhura identitare dhe për pasojë procesi eurointegrues nuk mund të mbahet peng i këtyre çështjeve;
E treta, Bullgaria nuk kishte kurrfarë pretendimi juridiko-kushtetues ndaj Maqedonisë, siç ka aktualisht Serbia, e cila ende nuk e ka hequr Kosovën nga Kushtetuta e saj dhe e ka mohuar kategorisht njohjen e saj si shtet;
Brukseli, siç ka pohuar edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, po punon për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, por ende nuk është definitive nëse njohja e Kosovës do të jetë pjesë e dialogut në Bruksel. Sipas Lajçakut, Kosova e Serbia duhet të dakordohen nëse do të ketë apo jo njohje reciproke në procesin e dialogut.
Krerët shtetëror dhe intitucional, si dhe spektri i gjerë politik-opozitar e shoqëror i Kosovës duhet të ndërtojnë një platformë e cila do të saktësonte shumë çështje dhe do të mbyllte disa dilema sa i përket problemeve me Serbinë që po paraqiten si pengesë për procesin eurointegrues të shtetit tonë.
Së pari kjo platformë duhet ta ketë një formulim të qartë se Kosova duhet të dialogojë me Brukselin e jo me Beogradin sa i përket temave mbi pakicat dhe konform standardeve europiane të merr zotime për mbylljen e këtyre temave.
Së dyti, nëse Serbisë i lejtohet të ketë qasje paternaliste ndaj serbëve të Kosovës, atëherë me automatizëm një e drejtë e tillë duhet t’i njihet edhe Kosovës sa i përket shqiptarëve në Jug të Serbisë.
Platforma e re e Kosovës, e cila do të saktësonte shumë tema dhe do të përmbyllte disa dilema, duhet t’i përmbajë patjetër këto elemente të qenësishme, sepse tryeza e bisedimeve me Serbinë do të ngelte e mangët nëse nuk shtrohet çështja e reciprocitetit edhe në trajtimin e minoriteteve në shtetet përkatëse.
Kjo platformë gjithashtu duhet të jep sqarime shtesë edhe sa i përket pozicionit të Kosovës në kontekstin rajonal e evropian, duke e afirmuar aspiratën e saj properendimore, si garancë e ruajtjes së baraspeshave gjeopolitike, ndërkohë që Serbia vazhdon të mos iu bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
Këto dhe çështje të tjera duhet t’i thuan më zëshëm zyrtarët e Kosovës, të cilët po i shohim shpesh në Bruksel, por edhe në takimet me diplomat të rëndësishëm amerikanë e botërorë.
Këto duhet t’i thuan edhe përfaqësuesit e opozitës, të shoqërisë civile si dhe të botës akademike e intelektuale.
Në shtypin ndërkombëtar mungojnë autorët nga Kosova, të cilët do të argumentonin më gjithanshëm dritë-hijet e raporteve me Serbinë. Kjo ka shumë rëndësi, sepse ende në një pjesë të diskursit publik evropian ekziston perceptimi i gabueshëm mbi cënimin e të drejtave fetare të serbëve ortodoksë në Kosovë, përfshi edhe Manastirin e Deçanit, i cili në hartat e Europa Nostra figuron si trashëgimi fetare gjoja e rrezikuar.
Është i pakuptimt madje absurd ky pasivitet i autorëve të Kosovës, të cilët gabimisht e kanë kuptuar se mbrojtja e atdheut nga propaganda e keqe është vetëm detyrë e qeverisë dhe intitucioneve shtetërore.
Për të painformuarit që jetojnë në Londër, në Bruksel, në Paris, në Berlin etj. perceptimi mbi Kosovën krijohet mbi atë çka thotë propaganda serbe dhe ata do të vazhdojnë të ngelin të painformuar dhe të dezinformuar nëse autorët e Kosovës nuk e paraqesin anën tjetër të medaljes, e cila mund të jetë komplet e ndryshme nga tymnaja serbe që hidhet mbi qiellin e kthjelltë të Kosovës.
Prishtinë, 20 korrik 2022