Posa ka dalur nga shtypi libri “SHKUPI, VETË HISTORIA E KOSOVËS”, i autorëve Skender Asani, Mehmet Prishtina e Albet Ramaj. Këtë libër e ka botuar ITSHKSH në Shkup dhe vjen në kohën kur argumentimi shkencor e autentik kalon kufijtë e interesimit të ngushtë, dhe intrigon vëmendjen e studiuesve, vëzhguesve e diplomatëve të huaj.
Për të dëshmuar autoktoninë e pandërprerë të shqiptarëve në qytetin e Shkupit e trevat verilindore dhe për ta argumentuar këtë tezë, ka qenë e domosdoshme që të hulumtohet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Sidomos raportet dhe vështrimet historike që janë bërë për historinë e trevave verilindore ( Shkupit dhe Kosovës ), nga Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë z.A.Stranieri dhe konzulli i Italisë në qytetin e Shkupit, Giani , i cili ushtroi detyrën e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Libri me dokumente, dëshmi për shqiptarësinë e Shkupit e të Kosovës, “ Shkupi, vetë historia e Kosovës “ është një libër që mëton të vë një gjurmë në kohën në të cilën jetojmë, një libër që për më tepër, synon të rifreskojë të kaluarën tonë historike, nëpër të cilën kaluan fatet tona njerëzore.
Rëndësia e këtij libri qëndron në faktin se në të pasqyrohet realiteti historik, demografik e hapësinor si në aspektin strategjik të qytetit të Shkupit, ashtu edhe në aspektin e “problemit bullgaro-maqedonëve që mbeten brenda kufirit të Shqipërisë së Re. Shkup shqip, është kryeqyteti moral, politik dhe ekonomik i Kosovës. E gjithë jeta e shqiptarëve të Kosovës është e lidhur ngushtësisht me ngjarjet historike të këtij qyteti dhe ende sot ato organizata të mbetura, që tolerohen prej qeverisë së Beogradit, e kanë selinë e tyre në Shkup. Kosova pa Shkupin nuk ka as një domethënie morale e as politike. Pastaj përveç kësaj ndodhet në një pikë, ku bashkohen të gjitha rrugët e hyrjes dhe e bëjnë të pasur me një nyjë rrugore dhe prandaj është vetë shpirti i ekonomisë së vendit. Në këtë qytet shquarësisht shqiptar depërtimi sllav ka qenë intensiv dhe veçanërisht pas aneksimit e deri në ditët tona. Përpara Luftës ballkanike elementi bullgaro-maqedon ka qenë ~ mbizotërues kundrejt elementit serb (20% mbi popullsinë gjithsej), tashti elementi serb përbën shumicën, gjithnjë kundrejt elementit bullgaro – maqedon”, thuhet ndër të tjera në këtë libër.
Thelbi i librit përbëhet nga studimi i Augusto Stranierit, i cili fillimisht ka punuar si konsull i Italisë në Shkup gjatë vitit 1908, ndërsa gjatë vitit kur dorëzon studimin ai ushtron postin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Italisë. Në këtë studim përmblidhen rezultatet kërkimore të ministrit rreth argumenteve të rëndësishëm në kohën e qëndrimit të tij si konsull në Shkup dhe ky studim ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë trajton etnitë dhe kombësitë në vilajetin e Kosovës nga pikëpamja etnike, fetare dhe statistikore, pjesa e dytë është për Kushtet shoqërore, ekonomike, intelektuale dhe politike për të tre elementët kryesorë të popullsisë në vilajet: bullgarët, serbët dhe shqiptarët.
Duke ofruar një material të bollshëm nga terreni, libri jep edhe të dhën gjeografike për Vilajetin e Kosovës: “Vilajeti i Kosovës ndahet në mënyrë natyrore në dy pjesë, që dallohen mirë prej vargmaleve të Sharrit e të Karadakut, të cilat nuk kanë rëndësi të madhe vetëm nga pikëpamja gjeografike, por edhe nga ana etnografike. Sharri nga njëra anë dhe Karadaku nga ana tjetër, në të vërtetë shënojnë gjithë kufirin verior të sanxhakut të Shkupit, duke përbërë ndarjen më të qartë ndërmjet rajonit maqedon dhe territoreve të tjera, Serbisë së Vjetër dhe sanxhakut të Novi Pazarit, rrjedhimisht, është ndarja etnografike më e drejtë ndërmjet etnive të Maqedonisë (bullgarëve dhe grekëve) dhe etnive të rajoneve në veri të tyre (serbë e shqiptarë)”.
Me botimin e kësaj vepre të rëndësishme, opinionit të gjerë, përgjithësisht, dhe studiuesve të historiografisë, demografisë dhe diplomacisë, në veçanti, po i dhurohet një thesar të çmuar burimesh e referencash mbi një realitet të studiuar mirë nga kronisti i asaj kohe, diplomati Italian Augusto Stranieri i cili e fakteve e zhveshi nga çfarë do lloj subjektivizmi dhe njëanshmërie. Është për t’u admiruar përkushtimi për të evidentuar një mal referencash e të dhënash demografike, gjeografike e administrative, të cilat marrin kuptim pas sistemimit që bën ai në përshkrimin autentik të gjendjes në terren.