Panairi i Botimeve Albanologjike – dritare botimesh të tri institucioneve

Janë tri institucione nga Prishtina, Tirana e Shkupi që janë bërë tok, në prezantimin rezultateve të tyre shkencore, nëpërmjet botimeve të prezantuara në të parin Panair të Botimeve Albanologjike, i hapur të martën në kryeqytet. Vjen si nismë për të hapur dritare të re të botimeve albanologjike, shteg projektesh e aktivitetesh të përbashkëta Aktiviteti vazhdoi me promovimin e librit “Shkupi, vetë historia e Kosovës (raporte të diplomatëve italianë)”, të autorëve Skënder Asani, Mehmet Prishtina dhe Albert Ramaj. Lidhur me këtë libër, para të pranishmëve ka folur njëri prej autorëve, Mehmet Prishtina. Ai ka thënë se vepra synon të kthjellojë të kaluarën historike të Kosovës. “Libri me dokumente, dëshmi për shqiptarësinë e Shkupit e të Kosovës, ‘Shkupi, vetë historia e Kosovës’ është një zë i fuqishëm argumentues që mëton të vë një gjurmë në kohën në të cilën jetojmë, një libër, që për më tepër, synon të rifreskojë të kaluarën tonë historike, nëpër të cilën kaluan fatet tona njerëzore”, ka thënë Prishtina. Ndër të tjera Prishtina u ka thënë se “rëndësia e këtij libri qëndron në faktin se në të pasqyrohet realiteti historik, demografik e hapësinor si në aspektin strategjik të qytetit të Shkupit, ashtu edhe në aspektin e “problemit bullgaro-maqedonas që mbeten brenda kufirit të Shqipërisë së Re”.

 

Janë nëntëdhjetenjë vëllime që Instituti Albanologjik i Prishtinës ka arritur t’i botojë në tre vjetët e fundit, pavarësisht pengesave dhe vështirësive që ka shkaktuar pandemia COVID-19. Këto vepra kanë strukturë të ndryshme nga njëra-tjetra, përfshirë revista shkencore, monografi, përmbledhje materialesh albanologjike, përmbledhje punimesh studimore, fjalorë, si dhe kompletin e veprave të profesor Anton Çettës.

Të gjitha këto së bashku edhe me botimet e fundit të Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Shkupit janë ekspozuar në hollin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, në edicionin e parë të Panairit të Botimeve Albanologjike, nismë e këtyre tri institucioneve.

“Pa u bërë një vit nga takimi i përbashkët i të tri institucioneve shkencore albanologjike të hapësirës shqiptare, kemi nisur të jetësojmë idetë e bashkërendimit të aktiviteteve dhe të projekteve që janë me interes të përbashkët”, e ka nisur fjalimin hyrës Hysen Matoshi, drejtor i IAP-it.

Të tri këto institucione përballen me vështirësi të shumta, të cilat nuk është se kanë ndonjë dallim nga njëri institucion te tjetrit. Për t’i minimizuar ato, tri institucionet kanë nisur krijimin e rrugëve të përbashkëta të cilat çojnë drejt një bashkëpunimi më të thellë dhe më serioz.

“Krahas identifikimit të sfidave të veçanta, me të cilat përballen institucionet kërkimore-shkencore të sferës së albanologjisë, e përbashkëta më e madhe kishte të bënte me kërkimin e rrugëve më të mira dhe më frytdhënëse duke pasur për objektiv makro-projekte shkencore të përmasës gjithëkombëtare, aktivitete shkencore e veprimtari të përbashkëta kërkimore, kryesisht të tilla që lidhen me punën në terren; këmbimin e literaturës, ndihmën e ndërsjellë profesionale, me prezantimin e rezultateve shkencore në mbarë hapësirën tonë kombëtare e të tjera”, është shprehur Matoshi

Nisur nga kjo, tri institucionet erdhën në përfundim të krijimit dhe themelimit një panairi të studimeve albanologjike i cili gjatë viteve do të sillet në rotacion midis tri vendeve.

“Pas konsultimeve intensive u arrit një marrëveshje trepalëshe, e cila parashihte veç të tjerash një agjendë të përbashkët vjetore të aktiviteteve. Sivjet krahas konferencës shkencore, ‘Një komb një gjuhë’, e cila do të mbahet për nder të Kongresit të 50-vjetorit të Drejtshkrimit, është paraparë edhe organizimi i edicionit të parë të Panairit të Botimeve Albanologjike”, ka thënë Matoshi.

Ndërkaq në këtë panair që Matoshi e ka quajtur eksperimental, meqenëse është edicioni i parë e edhe nuk ka marrë formën e duhur, përveç ekspozimit janë bërë edhe përurime të vëllimeve të botuara nga të tri institucionet.

“Kemi rënë dakord që të kemi të ekspozuara botimet e tre vjetëve të fundit, ngaqë në këtë periudhë kanë munguar aktivitet përuruese të librit edhe për shkak të përhapjes së pandemisë. Krahas ekspozimit të librit, kemi paraparë edhe mundësinë e përurimit pjesë të korpusit albanologjik që do të prezantohet në ambientet e Institutit Albanologjik”, ka shpjeguar ai.

Pas fjalimeve përshëndetëse të Luan Përzhitës , rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, dhe Skënder Asanit, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, nisi përurimi i korpusit albanologjik të këtyre tri institucioneve albanologjike.

Sevdail Demiri, këshilltar shkencor i ITSHKSH-së, ka folur për “Ditët e Alfabetit” një manifestim i karakterit kulturor- shkencor i cili organizohet për çdo vit nga ky institucion, ndërsa këtë vit do të organizohet në muajin nëntor.

“Këshilli i Institutit, në mbledhjen e 144-të të mbajtur më 6 qershor 2019, vendosi që të organizohet manifestimi i përvitshëm kulturor – shkencor me emrin ‘Ditët e Alfabetit’. Kështu, deri më tani janë botuar dy numra të edicionit ‘Ditët e Alfabetit’ ndërsa në shtyp është edhe numri i tretë, i cili pritet ta shohë dritën e botimit këto ditë, dhe do të promovohet në ditën e parë të fillimit të edicionit të katërt të këtij manifestimi më 14 nëntor 2022”, ka bërë të ditur ai.

ITShKSh – ja e Shkupit për çdo vit organizon edhe konferenca të ballkanologjisë prej kah botohet edhe revista periodike shkencore “Ballkanologjia”.

Kjo nismë, sipas Sefer Tahirit, anëtar i ITShKSh-së, ka nisur duke pasur parasysh gjendjen në të cilën gjendet ballkanologjia e me këtë rast edhe krijimi i raporteve më të mira midis ballkanologëve.

Image
“Pa u bërë një vit nga takimi i përbashkët i të tri institucioneve shkencore albanologjike të hapësirës shqiptare, kemi nisur të jetësojmë idetë e bashkërendimi të aktiviteteve dhe të projekteve që janë me interes të përbashkët”, ka thënë Hysan Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës

“Donim t’i mblidhnim tok ballkanologët e ta thonë fjalën e tyre hapur për çështje të ndryshme që i preokupojnë ata. Mëtimi i këtij kuvendi të ballkanologëve është që, duke njohur më mirë njëri-tjetrin në takime të tilla me rezultatet që do të arrijë Seminari ynë, të kalojmë nga një ballkanologji vulgare e politike në një ballkanologji evropiane shkencore, që e ndriçon dhe e thotë të vërtetën, që e afirmon të vërtetën shkencore, që i afron gjuhët, kulturat e religjionet e popujve të Ballkanit e jo që i ndan”, ka shpjeguar Tahiri.

Po ky institucion këtë vit ka nisur edhe botimin e revistës shkencore-kulturore “Drita e Gonxhës”, e cila i kushtohet Gonxhe Bojaxhiut, përkatësisht Nënës Terezë.

“Nga sivjet ITSHKSH-ja starton me revistën e re shkencore-kulturore, ‘Drita e Gonxhës’, si pjesë e strategjisë për studimin dhe afirmimin e figurës së Nënës Terezë. Duke qenë e para në botë e këtij lloji, kjo revistë me një mënyrë është edhe organ i Departamentit për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nëna Terezë dhe synon të sintetizojë mendimin intelektual e shpirtëror mbi këtë figurë të madhe, e cila doli nga Shkupi si shqiptare dhe u bë ‘pronë pa kombësi’ e gjithë njerëzimit”, ka bërë të ditur Emin Azemi nga ITShKSh-ja

Ndërkaq institucioni nikoqir, Instituti i Albanologjisë në Prishtinë, në këtë ditë ka bërë edhe promovimin e “Vjetarit” përgatitur nga Nuridin Ahmeti, Valon Shkodra dhe Faton Krasniqi. Ky libër, i cili pritet të vazhdojë edhe me numra të tjerë, përfshin në strukturën e vet të dhëna të rëndësishme të aktiviteteve të Institutit Albanologjik të Prishtinës që përfshijnë një periudhë dhjetëvjeçare, 2010-2020.

“Ky botim është konceptuar në këtë format, ku përveç parathënies në gjuhën shqipe e angleze dhe hyrjes, janë prezantuar në kapituj të veçantë edhe: aktivitetet, duke përshirë, veprimtaritë shkencore, si përurimet e ndryshme të veprave, tryezat shkencore, sesionet, simpoziumet, konferencat shkencore, pjesëmarrja e studiuesve tanë në aktivitet shkencore ndërkombëtare, aktivitete hulumtuese në terren, arkiva e të tjera”, ka thënë Nuridin Ahmeti, bashkëpunëtor i lartë shkencor në Degën e Historisë në Institutin Albanologjik në Prishtinë.

Ndërkaq për botimet e Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë ka folur Valter Memishaj, zëvendëssekretar i Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Memishaj ka bërë të ditur se që nga themelimi i saj më 1 mars të vitit 2008, Akademia e Studimeve Albanologjike ka botuar rreth 600 tituj shkencorë. Në pika të shkurtra ai ka shpjeguar edhe për përbërjen dhe fushën e studimit të mbi 40 vëllimeve të reja të këtij institucioni.

Dita e dytë dhe e fundit e Panairit të Botimeve Albanologjike ka sjellë përurimet e disa veprave nga fusha e historisë dhe gjuhësisë. Përderisa “Dardanët” sjell të dhëna mbi ecejaket e kësaj hapësire gjeografike që nga parahistoria deri në mesjetë, “Shkupi, vetë historia e Kosovës” vjen edhe si dëshmi se Kosova, ose Vilajeti i Kosovës ishte një epiqendër e rëndësishme e zhvillimeve rajonale. Të tjerë tituj të përuruar të mërkurën në Institutin Albanologjik të Prishtinës kanë qenë edhe “Fjalori frazeologjik i arealeve shqipe të Maqedonisë së Veriut” dhe revistat “Gjuha shqipe” dhe “Gjurmime albanologjike”

Një vepër që pasqyron periudhën e antikitet në këto anë, atë të dardanëve dhe Dardanisë, një tjetër që nxjerr në pah historinë e mëvonshme të popullit të kësaj pjese kur Kosova ishte Vilajet e Shkupi qendër, bashkë me një fjalor dhe revistat tradicionale janë përuruar në ditën e dytë të ngjarjes që është mbajtur për herë të parë në Prishtinë.

Aktivitetet e Institut Albanologjik të Prishtinës, Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Shkupi kanë vazhduar edhe të mërkurën në kuadër të Panairit të Botimeve Albanologjike.

Autorë, recensentë, njohës e studiues të arkeologjisë, gjuhësisë e studimeve albanologjike folën për veprat “Dardanët”, “Shkupi, vetë historia e Kosovës”, “Fjalori frazeologjik i arealeve shqipe të Maqedonisë së Veriut” dhe revistat “Gjuha shqipe” dhe “Gjurmime albanologjike”.

Në edicionin e parë të këtij Panairi, Akademia e Studimeve Albanologjike promovoi librin “Dardanët” të rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës, Luan Përzhita.

Ai u vlerësua si libër i cili sjell plot risi në fushën e arkeologjisë, por edhe të historisë së jetës, dokeve dhe zakoneve të njërit prej fiseve më të mëdha ilire, dardanëve.

Punën e Përzhitës, recensenti i kësaj vepre, profesori universitar Arben Hajdari e ka konsideruar si shumë të vlefshme dhe përplot dokumentime të cilat janë të bazuara në burime të shumta.

“Studimi monografik ‘Dardanet’ është një kontribut i çmuar për njohjen e ecejakeve socio-politike, ekonomike dhe kulturore të dardanëve dhe Dardanisë ndër shekuj. Studimi është mbështetur në ndërthurjen e burimeve te shkruara antike, atyre epigrafike, si dhe rezultateve të gërmimeve arkeologjike”, ka thënë Hajdari. Sipas tij, me një vepër si kjo studiuesit dhe profesionistët e fushës do të kenë në dispozicion “një studim në ambientet e tyre për debate shkencore, kurse studentët dhe mësimdhënësit një monografi të rëndësishme për Dardaninë, ku do të mund të gjejnë të sintetizuara me mjaft kujdes, të dhëna mbi ecejaket e kësaj hapësire gjeografike që nga parahistoria deri në mesjetë”.

Më pas ai ka folur edhe për strukturën e kësaj vepre, duke ngjallur te publiku kërshëri e cila nxit leximin e saj.

“Për sa i përket strukturës së punimit, ai është konceptuar në pesë kapituj, shoqëruar me një numër domethënës hartash, planimetrish dhe fotografish të cilat fusin lexuesin në kontekstin e përmbajtjes së librit. Studimi mbështetet në një bibliografi të pasur prej qindra zërash dhe në të dhënat e një numri autorëve antikë”, ka shpjeguar ai. Ka sqaruar se kapitujt si “Rreth origjinës së Dardanëve”, “Mbretëria Dardane (shekujt IV-I para Krishtit)”, “Dardanët dhe Roma”, “Nga Konstandini te Justiniani”, “Dardanët dhe Perandoria Bizantine shek. VI-IX” rrumbullakojnë historinë e kësaj ane nëpërmjet dëshmive të shumta.

Për këtë libër ka folur edhe studiuesi Aurel Plasari. Sipas tij, kësaj vepre nuk ka diçka që i mungon, duke pasur parasysh thuktësinë dhe çështjet e shumta që trajton ajo.

“Bibliografia ‘Dardanët’ është vërtet libër i pasur dhe po të kërkosh çfarë i mungon është shumë vështirë t’i gjesh diçka që mund t’i mungojë. Gjatë leximit kuptohet se autori paska 40 vjet që mundohet t’i afrohet këtij libri. I afrohet nëpërmjet rrugëve të vjetra, kështjellave, hulumtimeve nën tokë, botimeve studimore në shqip, në gjuhë të huaj, pra fitohet një siguri që kemi të bëjmë me studiues jo vetëm të përgatitur, por vepra nuk është një moment i çastit, por një përgatitje 40-vjeçare”, ka thënë Plasari.

Në ndërkohë ai ka folur edhe për disa nga çështjet më të rëndësishme që trajton ky botim.

“Meqë jemi midis specialistëve, ata e dinë që Perandoria Romake ishte multietnike, por Perandoria nuk ishte multikulturore. E në këtë libër kjo është një nga çështjet më interesante që mund të lexohet edhe kur flitet për zërat e perandorëve dardanë, edhe për ata ilirë, edhe kur flitet për të dhënat e jetës së popullsisë, dokeve dhe zakoneve të tyre”, ka vlerësuar ai.

Pas kësaj, aktiviteti vazhdoi me promovimin e librit “Shkupi, vetë historia e Kosovës (raporte të diplomatëve italianë)”, të autorëve Skënder Asani, Mehmet Prishtina dhe Albert Ramaj.

Lidhur me këtë libër, para të pranishmëve ka folur njëri prej autorëve, Mehmet Prishtina. Ai ka thënë se vepra synon të kthjellojë të kaluarën historike të Kosovës.

“Libri me dokumente, dëshmi për shqiptarësinë e Shkupit e të Kosovës, ‘Shkupi, vetë historia e Kosovës’ është një zë i fuqishëm argumentues që mëton të vë një gjurmë në kohën në të cilën jetojmë, një libër, që për më tepër, synon të rifreskojë të kaluarën tonë historike, nëpër të cilën kaluan fatet tona njerëzore”, ka thënë Prishtina.
Mund të jetë një imazh i 1 person dhe në këmbë

Ndër të tjera Prishtina u ka thënë se “rëndësia e këtij libri qëndron në faktin se në të pasqyrohet realiteti historik, demografik e hapësinor si në aspektin strategjik të qytetit të Shkupit, ashtu edhe në aspektin e “problemit bullgaro-maqedonas që mbeten brenda kufirit të Shqipërisë së Re”.

Për këtë libër ka folur edhe historiani dhe studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Sylë Ukshini. Sipas tij, “Shkupi, vetë historia e Kosovës (raporte të diplomatëve italianë)” dëshmon për faktin se Kosova luante një rol të rëndësishëm në zhvillimet rajonale.

“Libri i përgatitur nga Asani, Prishtina dhe Ramaj parqet një dokument me vlera të veçanta historike dhe demografike e kulturore dhe një dëshmi se Kosova, ose Vilajeti i Kosovës ishte një epiqendër e rëndësishme e zhvillimeve rajonale. Ky fakt gjithsesi është argument përse Kosova ishte në fokusin e qarqeve diplomatike evropiane, në këtë kontekst edhe të diplomatëve italianë”, ka vlerësuar ai.

Kjo vepër synon ta zbulojë dhe dokumentojë të kaluar e Kosovës dhe Shkupit bazuar në shkresat e dy konsujve italianë që shërbenin në Shkup.

“Të gjitha këto zhvillime dhe karakteri etnik shqiptar i qytetit të Shkupit dhe të trevave verilindore të Kosovës janë dokumentuar në raportet dhe vështrimet historike të dy konsujve italianë në Shkup, Augusto Stranieri dhe Ghigi, përmes të cilave lexuesi i atëhershëm italian dhe tani ai shqiptar mësojnë se Vilajeti osman i Kosovës ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane dhe pjesë e pandashme e historisë së Evropës”, ka bërë të ditur Ukshini

Po në këtë ditë, në Institutin Albanologjik të Prishtinës u promovua edhe vepra “Fjalor frazeologjik i arealeve shqipe të Maqedonisë së Veriut” e gjuhëtarit Qemal Murati.

Sekretari shkencor i ITShKSh-së, Zeqirja Ibrahimi, këtë libër e ka konsideruar si një ndër më të rëndësishmit e fushës së frazeologjisë.

“Vepra ‘Fjalor frazeologjik i arealeve shqipe të Maqedonisë së Veriut” nga autori Qemal Murati, që është botuar në vitin e kaluar, është ndër veprat më të rëndësishme të fushës së frazeologjisë që është botuar kurdoherë nga cilido autor në Maqedoninë e Veriut. Për dikë mund të duket ekzagjerim, por ky është konstatim që e them me kompetencë si gjuhëtar dhe si njohës i mirë i bibliografisë linguistike shqiptare në Maqedoninë e Veriut”, ka vlerësuar ai.

Para publiku, Ibrahimi ka shpalosur edhe përmbajtjen dhe strukturën e këtij fjalori.

“Fjalori sjell 2300 njësi frazeologjike, për të cilat autori me korrektësi shkencore na njofton se vijnë nga tri burime të mëdha, si: mbi 1200 njësi janë nxjerrë nga vepra ‘Fjalor i fjalëve dhe shprehjeve nga trojet e shqipes në Maqedoni’ (Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, 2015); rreth 1130 njësi janë nxjerrë nga vepra ‘Fjalor i fjalëve dhe shprehjeve të Kosovës’ (Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2018) dhe pjesa tjetër, jo e më e vogël e njësive frazeologjike, vijnë për herë të parë”, ka bërë të ditur ai.

Ndërkaq vetë autori i librit, Qemal Murati, ka thënë se ky fjalor serbisht-shqip, me një fond prej rreth 1500 njësish idiomatike bazë të serbishtes dhe mbi 3500 ekuivalente shqipe, është i pari i lloji të tillë në fjaloristikën shqiptaro-serbe, që pritet të finalizohet vitin e ardhshëm.

Në fund të ditës Instituti Albanologjik ka bërë edhe prezantimin e dy revistave që nxjerr dhe përgatit vetë ky institucion: “Gjurmime Albanologjike” dhe “Gjuha shqipe”.

“Në vitin 2020 u mbushen 50 vjet të daljes së revistës ‘Gjurmime albanologjikë’ në tri seri: Filologji, Histori dhe Folklor e Etnologji. Në historinë e periodikut shkencor shqiptar revista shkencore ‘Gjurmime albanologjike’, organ i Institutit Albanologjik të Prishtinës, zë vend të veçantë jo vetëm pse mbush moshë mbi gjysmëshekullore të daljes së saj në dritë, jo vetëm për konceptin dhe rëndësinë e saj që ka për albanologjinë shqiptare, po sidomos për ndikimin e saj në zhvillimin e mendimit shkencor e kritik brenda dijes albanologjike në përgjithësi dhe asaj në Kosovë në veçanti”, ka thënë Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Ndërkaq për revistën “Gjuha shqipe” në pika të shkurtra ka folur kryeredaktori i saj, Abdurrahim Maxhuni.

“Numri i parë i revistës ‘Gjuha shqipe’ doli më 1982, një vit pas simotrës së saj në Tiranë, ‘Gjuha jonë’. Që nga themeli i revistës e deri më sot janë botuar 85 numra. Gjatë kësaj kohe, në faqet e kësaj reviste kanë botuar mbi 300 autorë me mbi 1500 studime, artikuj, kronika, materiale, recensione e të tjera”, ka bërë të ditur Maxhuni.

Me këto sesione ka përfunduar edhe edicioni i parë dhe dyditor i Panairit të Botimeve Albanologjike. Vitin e ardhshëm është paralajmëruar që Panairi të organizohet në Shkup.

Leave a Comment

Your email address will not be published.