Për shkak të mungesës së punëtorëve, Kosova po merr punëtorë nga Turqia dhe nga India. Kështu po deklaron Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Berat Mustafa.
“Ka që i kanë marrë nga Turqia, ka edhe shumë kërkesa nga India. Për shkak se ka shumë fuqi punëtore, por edhe janë shumë të trajnuar, të specializuar dhe kryejnë shumë punë”, u shpreh Mustafa në RTV21.
Ai tha se nuk do të thoshte se ka mungesë të punëtorëve në Kosovë, por sipas tij nuk ka punëtorë të kualifikuar, duke theksuar se kompanive të mëdha iu kushton trajnimi i tyre.
Xhevat Muqa, ndërmarrësi që u kthye nga Zvicra në Kosovë, foli për tregun e punës dhe mungesën e fuqisë punëtore në vend.
Ai në RTV21 u shpreh se e gjithë kjo është për shkak të mos liberalizimit të vizave.
“Po të kishte qenë liberalizimi i vizave para një dekade kjo nuk kishte me ndodhë sot, sepse të rinjtë e Kosovës kishin pas mundësi me shiju Evropën dhe me pa se çka është e vërteta. Gjithë qytetarët e Kosovës janë me një hamendje t’u jetu në Kosovë”, tha ai.