Gjatë 45 viteve të regjimit komunist, një nga manitë e pakuptueshme të asaj kohe ishte ruajtja e sekretit ushtarak. Dhjetëra njerëz janë dënuar për nxjerrje sekreti e shumë të tjerë ndiqeshin si zbulues të shërbimeve të huaja. Sigurisht që kjo gjë nuk ishte krejt e panevojshme në kohën e luftës së ftohtë por nuk duhet harruar që si për amerikanët ashtu edhe për rusët, të cilët kishin në përdorim satelitë ushtarakë, shumë informacione mund të merreshin shumë lehtë nga jari.
Më poshtë po japim një raport të qendrës amerikane për analizat ushtarake-detare i vitit 1987, i cili ishte produkt i një simpoziumi të organizuar prej tyre, ku ata vlerësonin fuqinë dhe aftësinë e dy flotave ushtarake detare në Adriatik, asaj jugosllave dhe flotës detare shqiptare.
Me interes në këtë raport janë jo vetëm numrat dhe detajet që amerikanët japin për flotën tonë, por po ashtu edhe vlerësimet për gjendjen e saj, aftësitë dhe mundësitë e ndërveprimeve luftarake. Ky raport shumë realist e hedh poshtë mitin e flotës madhështorë shqiptare gjatë periudhës së komunizmit, e sidomos në fundvitet 1980. Kohët e arta të armatimeve moderne të viteve 1960-1970 kishin përfunduar edhe për flotën ushtarake detare.
***
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë Sekret
Ministria e Punëvetë Brendshme Ekzemplar nr. 1
Drejtoria e Tretë
Nr. 174 Tiranë, më 9.7.1987
Informacion
Qendra amerikane për analizat ushtarako-detar, në një simpozium të organizuar në vitin 1986 mbi “Flotën ushtarako-detare të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera komuniste”, në kapitullin “mbi flotat ushtarako-detare komuniste në Adriatik”, ndër të tjera bën këto vlerësime:
“Deti Adriatik ka rëndësi të konsiderueshme për NATO-n për shkak të pozitës së tij gjeostrategjike në raport me Evropën Qendrore e Mesdheun. Jugosllavia dhe Shqipëria zotërojnë gjithë bregdetin lindor të Adriatikut. Të dyja vendet formojnë një pykë midis Italisë dhe anëtarëve të tjerë të NATO-s në Krahun Lindor të saj.
Jugosllavia ka një kufi tokësor prej 1068 milje në vendet e Traktatit të Varshavës. Rruga më e shkurtër nga Mesdheu për në zemër të Evropës Qendrore nga Gjiu i Triestes në drejtim të Grykës së Lubjanës. Territori jugosllav gjithashtu ofron rrugët më të shkurtra ajrore prej Evropës Lindore të dominuar nga sovjetikët në drejtim të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore.
Shqipëria kontrollon njërën anë të kanalit me rendësi strategjike jetike të Otrantos, e vetmja dalje nga Adriatiku për në Mesdhe.
Jugosllavia dhe Shqipëria kanë qenë dhe aktualisht janë objektiva të kërkesave këmbëngulëse të Moskës për të krijuar një pikëmbështetje të qëndrueshme në Mesdhe. Duke shfrytëzuar portet jugosllave e shqiptare sovjetikët do të ishin në gjendje të dislokonin nëndetëse me një numër më të madh se sa kanë deri tani në Mesdhe, mbasi do tëevitonin kalimin e kushtueshëm dhe me humbje të kohës së nëndetëseve nga flota e veriut dhe e Baltikut për të operuar në rajonin e Mesdheut.
Përdorimi lirshëm i territorit jugosllav nga sovjetikët do t’u krijonte mundësi forcave sovjetike të dislokuara në Hungari të kalojnë pengesa nëpërmjet tokës në drejtim të bregdetit të Adriatikut, që është faktor i rëndësishëm për të siguruar mbështetjen logjistike të flotës në portet jugosllave. Përveç kësaj, duke siguruar të drejtën për të hyrë në aerodromet jugosllave, sovjetikët do të ishin në gjendje t’i japin mbështetje të fuqishme ajrore forcave të tyre ushtarako-detare në Mesdhe.
Flotat ushtarako-detare jugosllave dhe shqiptare janë forca kryesisht mbrojtëse të bregdetit të tyre. Por, nëse njëra nga këto dy vende lidhet me Traktatin e Varshavës, kryesisht flota jugosllave, do të rriste forcën detare sovjetike në rajon.
Shqipëria zotëron bregun lindor të Kanalit të Otrantos. Kështu pozita strategjike e Shqipërisë në Adriatik është shumë më e rëndësishme se e Jugosllavisë. Megjithatë Shqipëria disponon një flotë shumë të vogël. Flota me 3000 vetë është më e vogla prej tre shërbimeve të forcave të armatosura shqiptare. Flota shqiptare aktualisht përbëhet prej afro 60 anije luftarake (pothuaj të gjitha të vogla) dhe 25 anije ndihmëse e shërbimi. Mjetet më të mëdha luftarako-detare të flotës janë dy nëndetëse ish sovjetike të tipit “WHISKEY”, por që kanë mungesa në pjesë këmbimi. Që nga viti 1976 një nëndetëse e këtij tipi, sipas disa burimeve, shërben si mësimore për stërvitje.
Forca ofensive e flotës shqiptare përbëhet nga 6 kanoniera të tipit “Shangai” dhe 32 torpendiere 45 tonëshe të tipit “Huhuan”. 12 anije torpendiere ish sovjetike të tipit P-4 ka të ngjarë të mos jenë në shërbim aktiv.
Komponenti i flotës për luftë kundër nëndetësve konsiston vetëm në dy anije 300 tonshe sovjetike të vjetëruara të tipit “Kronshtadt”.
Forca e luftës me mina përfshin një dragaminë oqeanike ish sovjetike të tipit T-43, 4 të tipit T-301 dhe rreth 8 anije të tipit Po-2. T-43 dhe T-301 mbahen në rezervë. Në fakt, vetëm 2 prej T-301 kanë qenë në gjendje pune e aktivitet që nga vitit 1979. PO-2 gjithashtu janë përdorur si anije me funksione të përgjithshme.
Forca e anijeve ndihmëse përfshin dy cisterna ish sovjetike, 2 tanker “YARD” dhe 2 anije transporti.
Flota ushtarako-detare shqiptare mund të mbështetet nga 30 MIG-15 e MIG-17 gjuajtës bombardues dhe 50 MIG-19 e MIG-21 gjuajtës-kapës që operojnë në forcat ajrore. Megjithatë vetëm pak gjuajtës reaktivë janë të përdorshëm për shkak të mungesave të mëdha të pjesëve të këmbimit.
Flota ushtarako-detare nuk komandon njësitë e mbrojtjes bregdetare, por ushtria shqiptare thuhet se ka tre batalione artilerie të dislokuara afër bazave detare dhe porteve tregtare. Gjatë gjithë bregdetit shqiptar, në disa vende në interval 300-600 fut janë ndërtuar bunkerë.
Në ndryshim nga bregdeti jugosllav, bregdeti shqiptar prej 250 milje i gjatë, është i ulët, i sheshtë dhe i hapur, me përjashtim të sektorit në skajin jugor midis Vlorës e Sarandës, ku vargmali i lartë deri 3660 fut shtrihet vetëm 1,5-3 miljenga bregu i detit. Bregdetit shqiptar i mungojnë ishujt dhe për rrjedhojë nuk ka mbrojtje natyrale. I vetmi ishull është Sazani. Limani i Vlorës është strehimi më i mirë natyral gjatë gjithë bregdetit shqiptar.
Baza kryesore e flotës ushtarako-detare shqiptare është Vlora. Sovjetikët kanë pas ndërtuar në ishullin e Sazanit një bazë ku strehoheshin jo më pak se 16 nëndetëse në strehimet e nëndheshme. Ishulli i Sazanit është i fortifikuar rëndë dhe i mbrojtur nga një numër i madh topash 122 mm dhe 88 mm. Bazë tjetër e madhe ushtarako-detare është Durrësi, që përdoret kryesisht për anijet e shpejta sulmuese dhe dragaminat. Baza të vogla ushtarako-detare ka në Sarandë, Shëngjin dhe Pasha Liman. Disa anije patrullimi të Liqenit të Shkodrës janë bazuar në Shkodër.
Flota ushtarako-detare shqiptare si dhe dy shërbimet e tjera të forcave të armatosura administrativisht varet nga Ministria e Mbrojtjes Popullore në Tiranë.
Nga ana operative flota ushtarako-detare shqiptare është e organizuar në: një divizion nëndetësesh në Pashaliman; brigada e mbrojtjes detare në Sazan; brigada e mbrojtjes detare në Durrës; komandat e porteve dhe qendrat e përgatitjes sëkuadrive (shkolla “Mujo Ulqinaku” në Durrës dhe Shkolla e Lartë e Marinës “HysniKapo” në Vlorë). Të gjitha mjetet luftarako-detare të mbiujshme dhe ato ndihmëse, me përjashtim tënëndetëseve, i janë dhënë njërës nga komandat e mbrojtjes detare. Përveç këtyre në Liqenin e Shkodrës është dislokuar një detashment i vogël i anijeve patrulluese të kufirit dhe një i tillë ka mundësi të jetë edhe në Liqenin e Ohrit.
Përgatitja e flotës ushtarake detare shqiptare është shumë e pamjaftueshme, sepse stërvitjet në det bëhen në mënyrë sporadike dhe kjo për mungesë të madhe të pjesëve të këmbimit… Fakti që pothuaj gjithë nëndetëset dhe anijet e mbiujshme janë marrë nga sovjetikët apo kinezët gjithashtu vështirëson përgatitjen. Mbas ndërprerjes së marrëdhënieve me Moskën në vitin 1961, Shqipëria u mbështet kryesisht tek Kina për ndihma ushtarake për një periudhë rreth 15 vjetësh. Bashkëpunimi shqiptaro-kinez u ndërpre në vitin 1976 si rezultat i mosmarrëveshjeve ideologjike mes dy vendeve. Që nga ajo kohë Shqipëria nuk ka marrë ndihma ushtarake as nga Moska e as nga Pekini.
Detyrat kryesore të flotës luftarako-detare shqiptare në kohë paqe janë: mbikëqyrja dhe mbrojtja e bregdetit dhe e ujërave territoriale; mbrojtja e peshkimit ne ujërat territoriale dhe parandalimi i kontrabandës.
Roli dhe detyrat e flotës do te ndryshojnë ne mënyrë te konsiderueshme ne kohe lufte. Koncepti shqiptar i mbrojtjes është i bazuar në doktrinën e luftës popullore. Shqiptarët deklarojnë se elementi kyç i mbrojtjes kombëtare dhe i fitores është njeriu dhe jo arma, ndërgjegjja revolucionare dhe jo teknologjia ushtarake. Ky koncept i imponuar nga Partia duket se është pranuar nga të gjithë ushtarakët për deri sa u vërtetuan shumë spastrime të udhëheqësve ushtarakë në vitet 1970-të. Por lufta popullore është koncepti ushtarak sundues dhe ai nuk përcakton ndonjë rol të rëndësishëm për flotën detare ushtarake. Detyrat kryesore të flotës në kohë lufte do të jenë: të mbrojë bregdetin në bashkëveprim me dy shërbimet e tjera të forcave të armatosur të vendit; të parandalojë afrimin në bregdet të nëndetëseve armike; vendosja e shtrirja e minave; të interceptojë forcat armike gjatë bregdetit. Përveç kësaj flota është parashikuar të përgjigjet për organizimin dhe mbrojtjen e vijave të komunikacionit detar. Për shkak të zhvillimit të varfër ekonomik dhe politikës autarkike Shqipëria nuk varet pothuaj aq shumë sa Jugosllavia nga lidhjet e pandërprera me vendet përtej detit. Marina tregtare shqiptare përbehet vetëm nga 20 anije prej 55,900 GRT. Porti më i madh është Durrësi, i cili zë rreth 80 për qind të volumit tregtar të vendit. Porte të tjera që përdoren nga anijet oqeanike janë Vlora, Shëngjini dhe Saranda. Megjithatë Shqipëria do të ketë nevojë të mbrojë të paktën trafikun e vet bregdetar në kohë lufte.
Konkluzione:
Flotat ushtarako-detare tëtë dy vendeve komuniste në Adriatik paraqesin dallime. Në krahasim me flotën shqiptare flota jugosllave është shumë më e madhe e më moderne dhe një forcë shumë më efektive. Për arsye se pothuajse të gjitha anijet e saj janë projektuar e montuar në vend, ajo gjithashtu është më e vetëmjaftueshme…
Problemet e flotës shqiptare janë më serioze për shkak të prapambetjes dhe izolimit tëvetimponuar të vendit. Gatishmëria luftarake e flotës shqiptare është shumë më e dobët për shkak të mungesave të stërvitjes, problemeve të mirëmbajtjes teknike dhe furnizimit me pjesë këmbimi. Kjo forcë reale e flotës do të vazhdoje të zvogëlohet në vitet e ardhshme. Kjo tendencë mund të marrë drejtim të kundërt nëse regjimi në Tiranë ndryshon në mënyrë radikale politikën e tij të tanishme (një perspektivë e pabesueshme) dhe synon të afrohet me ish padronët e tij, Moskën ose Pekinin, ose nëse u drejtohet për ndihmë ushtarake disa vendeve neutrale perëndimore madje edhe Italisë”.
Minstri
Hekuran Isai
Burimi:
https://www.voxnews.al/histori/si-e-vleresonin-amerikanet-floten-detare-shqiptare-gjate-periudhes-se-ko-i23507