Një patrullë e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës është vendosur mbi urën mes Mitrovicës Veriore dhe asaj Jugore. Pjesëtarët e Njësisë Speciale po kontrollojnë çdo automjet që del dhe futet në Lagjen e Boshnjakëve.
Zbatimi i këtij vendimi do të bëhet në tri faza, që fillimisht parashihen vërejtjet, ndërsa pas tri javëve edhe gjoba për ata që nuk e zbatojnë kërkesën.
Duke nisur nga 1 nëntori e deri më 21 nëntor masa do të jetë ajo e qortimit, pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes.
Nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjera, pas të cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë më targa ilegale në qarkullim.
Besohet se në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, qarkullojmë afër 10.000 targa të lëshuara nga Serbia, me akronime për qytetet e Kosovës sikurse PZ, PR, KM e të ngjashme.
Vendimi për targa, fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por ishte shtyrë për një muaj, pasi serbët lokalë e kundërshtuan atë dhe ngritën barrikada në veri të Kosovës.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë publike fletëqortimin që do të marrin vozitësit e automjeteve me targat ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.
Sipas Policisë, në rastin e shqiptimit të masës qortuese, nga vozitësit do të kërkohet që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.
Fletë qortimet, sipas Policisë do të aplikohet nga zyrtarët policorë në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në pikat e kalimit kufitar.
Këto fletëqortime do të përmbajnë emrin dhe mbiemrin e shoferit, numrin personal, datëlindjen, datën kur është ndalur, orën kur është ndalur, mjetin që po voziste dhe targat e mjetit.
Ministria e Punëve të Brendshme i ka bërë thirrje prapë qytetarëve që automjetet që i kanë të regjistruara në targa ilegale t’i kthejnë në RKS.
MPB ka thënë se në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve do të vazhdojë regjistrimi i mjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022.