Mediat serbe e kanë keqpërdorur sot videon e dhunës ndaj të moshuarës në një Shtëpi të Kujdesit për të Moshuar për propagandë anti-Kosovë.
Mediumi “ALO” që njihet si një prej mediave të afërta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe që haptas shpreh urrejtje ndaj shqiptarëve, e ka paraqitur viktimën, nënën e dëshmorit Taulant Nura, si një grua të moshuara serbe.
Ky medium e ka publikuar raportimin me një rrenë të madhe me titullin “Dhuna në shtëpi të pleqve – Një infermiere shqiptare godet me shuplakë dhe keqtrajton një plakë serbe”.
“Në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, e cila së fundi është privatizuar, një punonjëse dhunoi fizikisht një grua të moshuar. Në video shihet se si punonjësi sulmon plakën, ndërsa të tjerët regjistrojnë ngjarjen. Dëgjohen edhe të qeshura”, shkruan ky medium.
“Shqiptarja godet me shuplakë një plakë serbe në Pejë me mbështetjen e kolegëve të saj”, thuhet në një titull.
Ndërkohë, në foton e fundit duken një person me emrin Dr. Branimir Nestoroviq, i cili shkruan se në Pejë, infermierja “shiptare” e torturon plakën serbe në spital, ndërkohë që koleget e saj qartazi e mbështesin dhe qeshin.
Këto delirime që vijnë nga Serbia nuk janë aspak rast i izoluar dhe keqkuptim, por një metodë e zakontë e propagandës, metodë përmes së cilës është ngritur gjithë narracioni historik se Kosova është origjina dhe themeli i shpirtit të kombit serb, e se ky shpirt serb është mpakur nga shqiptarët.
Këto narracione ngrihen, sigurisht, përmes viktimizimit, siç duket në rastin më të fundit, ku edhe gruan e moshuar shqiptare nga Peja, e cila për më tepër është nëna e dëshmorit për liri Taulant Nura, i vrarë pikërisht nga forcat serbe, e bëjnë serbe dhe këtë e përdorin për të forcuar idenë e gënjeshtërt se serbët në Kosovë dhunohen, e në këtë mënyrë duhet të mbrohen nga shteti serb, pse jo edhe përmes futjes së ushtrisë serbe në Kosovë.
Të njëjtin narracion të gënjeshtër manipulues e ka përdorur edhe diktatori serb, krimineli i luftës Sllobodan Millosheviq, i cili kreu spastrim etnik në Kosovë me ushtrinë serbe në emër të mbrojtjes së serbëve në Kosovë, të cilët, sipas propagandës së shtetit serb po dhunoheshin nga shqiptarët.
Shihni me kujdes të gjithë narracionin e gënjeshtër që po ngrihet në Serbi për rastin e të moshuarës në Pejë. Njëlloj ndërtohet gjithë historia e rreme e “luftës së shenjtë” serbe, të cilët “duhet” të mbrohen dhe shpëtohen nga shqiptarët.