Përfaqësuesit e listës serbe në të gjitha institucionet e Kosovës kanë vendosur të largohen detyra, pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.
Serbët përfaqësohen me një ministër në Qeverinë e Kosovës, dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës, me kryetarë komunash në ato qytete ku shumicë janë qytetarët serbë, si dhe në gjyqësor, polici. Të gjithë këta do të largohen nga institucionet e Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Dy eprorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun kanë zhveshur uniformën, si akt i parë i largimit nga institucionet.
Në këtë takim, u tha se ky vendim vlen deri në një njoftim, siç e quajtën ata, të arsyeshëm të Prishtinës për të respektuar marrëveshjet e Brukselit.
Kreu i Listës Serbe Goran Rakiq ka njoftuar se kanë marrë vendim për të dalë nga institucinet e Republikës së Kosovës.
Rakiq gjithashtu ka thënë se jep dorëheqje edhe nga poizita e ministrit që mban në Qeverinë e Kosovës.
Ky vendim ka ardhur pas takimit që kanë mbajtur me të gjithë ata që punojnë në institucionet e Republikës së Kosovës.
Ai shtoi se këto vendime për largimin dhe pezullimin e institucioneve mbeten në fuqi deri në momentin që “Prishtina të fillojë të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e dakorduara në Bruksel”.
Rakiq ka kërkuar pezullimin e vendimit për targa dhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“Kjo konkretisht do të thotë – derisa ai (Albin Kurti) të tërheqë vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojë Asociacionin e Komunave Serbe në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura në këtë çështje në dialog”, tha Rakiq.
Zhvillimet në Serbi
Ndërkohë Qeveria e Serbisë ka zhvilluar një mbledhje të shtunën për të diskutuar, siç është thënë, rreth situatës në Kosovë.
Në këtë mbledhje ka qenë prezent edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë pas takimit se, Serbia nuk do të heqë dorë nga “politika e përgjegjshme e paqes dhe stabilitetit”.
Ai i ka bërë këto deklarata në një postim në Instagram, duke shprehur mirënjohjen e tij për mundësinë që i është dhënë për të informuar Qeverinë për “situatën në të cilën është Serbia”.
Edhe pas takimit me ambasadoren kineze në Beograd, Chen Bo, Vuçiq ka përsëritur se “Serbia vazhdon të zbatojë politikën e paqes dhe stabilitetit” dhe se “vazhdon të jetë e përkushtuar në respektim të ligjit ndërkombëtar”.
Serbia llogarit në Kinën kur është fjala për statusin e Kosovës, e cila ka shpallur pavarësinë më 2008. As Serbia, as Kina nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.
Përmes mbështetjes së Rusisë dhe Kinës, zyrtarët serbë tentojnë të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Vuçiq pritet të takohet më vonë gjatë ditës edhe me ambasadorin rus në Beograd, Bocan Harchenko dhe me përfaqësuesit më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe.
Në ditë më parë, Vuçiq është takuar edhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.
Vetë Lajçak ka thënë më 5 nëntor se takimi ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por i drejtë. Sipas tij, palët janë pajtuar që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.
“Llogaris në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve, për të treguar përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.
Plani për targat
Qeveria e Kosovës ka nisur nga 1 nëntori që të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Vendimi kryesisht ka të bëjë për targat KM (Mitrovica e Kosovës) të cilat janë të paligjshme në Kosovë, por që deri më tani janë toleruar vetëm në komunat në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.