Takimi i thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me krerët e opozitës tashmë ka përfunduar. Ishte lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ai që i pari e braktisi këtë takim duke thënë se Kurti nuk përgjigjej se pse ka prishur raportet me Amerikën por u mbante ligjërata. Derisa nga takimi më vonë janë parë të dalin edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe i pari i PDK-së Memli Krasniqi.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se ia ka shprehur sot kryeministrit Albin Kurti përkrahjen e PDK-së në ndërmarrjen e veprimeve për ruajtjen e sigurisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Pas takimit me kryeministrit Kurti, në një paraqitje para mediave, Krasniqi deklaroi se ka kërkuar nga Kurti që të ruajë marrëveshjet që janë arritur deri më tani në dialogun në Bruksel.
“Edhe një herë ia shpreha qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës, se në këtë moment Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme, veprime të cilat ia ruajnë sigurinë dhe sovranitetin në secilin cep të Republikës së Kosovës. Unë sot dal nga ky takim jo shumë i sigurt që kryeministri e qeveria e dinë se në çfarë rruge kanë hyrë e si do të dalin prej kësaj rruge, duke e ruajtur tërësinë e shtetit”, tha Krasniqi.
“Qeveria i duhet të marrë veprimet që i takojnë edhe sa i përket ruajtjes së sigurisë dhe ofrimeve të shërbimeve dhe për këtë do ta ketë përkrahjen e PDK-së”, deklaroi kreu i PDK-së.
I pari i PDK-së konfirmoi se brenda takimit mes Kurtit dhe liderëve opozitarë, ka pasur biseda rreth propozimit franko-gjerman.
“Normalisht ka pasur diskutime edhe për propozimin franko-gjerman, por unë e kam thënë edhe herë të tjera, se në vend që ne të flasim për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, finale, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ne sot po flasim për tema shumë më sporadike dhe shumë më teknike”, deklaroi ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka vlerësuar se kryeministri i vendit Albin Kurti është pa plan për të dalë nga situate e krijuar së fundmi në vend.
Abdixhiku tutje ka shkruar se gjatë takimit me Kurtin nuk kuptuan diçka të re nga deklarimet publike deri më tani.
“Në këtë ftesë në kemi shprehur gatishmërinë çdo hap që synon koordinimin me aleatët tanë. Në këtë takim për pjesën më të madhe nuk kuptuam diçka më të re sesa deklarimet dhe nuk pamë ndonjë plan të ri dhe gatishmëri me aleatët tanë ndërkombëtarë. Kosova nuk duhet të bie pre e kurtheve të stabilizimit të vendit nga faktorët që janë në Beograd”.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, doli nga takimi me kryeministrin Albin Kurti, ku ishte ftuar të fliste rreth situatës në veri.
Pasi doli nga objekti i Qeverisë, Haradinaj shkroi në Facebook se u detyrua ta lëshojë takimin pasi sipas tij, Kurti po mbante ligjërata e nuk po sqaronte “pse i ka prishur raportet me Amerikën”.
Haradinaj tha se është se është e papranueshme që në raste të ndjeshme, të prishen raportet me aleatin kryesor të sigurisë.
Në takim me Kurtin ende gjenden Abdixhiku dhe Krasniqi.
“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre. Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”.