Kurti: Propozimi franko-gjerman të vendoset në tryezë një orë e më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi të mërkurën që plani i Francës dhe Gjermanisë, i përkrahur nga BE-ja, të vendoset në tryezë “një orë e më parë”. Ky plan, sipas raportimeve, është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk është koha për ambicie të vogla, është koha për hapa të mëdhenj”, tha Kurti në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë.

Ai tha se arsyeja kryesore pse ka shkuar në Bruksel, të hënën, është nisja e diskutimit për marrëveshjen finale mbi planin franko-gjerman, dhe jo diskutimi për targat.

Sipas tij, marrëveshja ligjërisht e obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, ishte pjesë e ftesës së BE-së, por që më pas “u braktis dhe u kalua vetëm te çështjet aktuale”.

Kurti tha se Kosova ishte gati që ta pezullonte fazën e dytë të vendimit për targa, e cila parasheh shqiptimin e gjobave për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa ilegale serbe, në mënyrë që të krijohet hapësirë për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, “e paraparë nga BE-ja që të arrihej deri në mars të viti 2023”.

“Afatin mars 2023 nuk e kam shkruar unë, e ka shkruar Brukseli. Unë kam kërkuar të jetë shkurti 2023… Por, në fund ata hoqën dorë”, tha ai, duke përmendur shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Madje, ai tha që në takimin që kishte me Borrellin në Forumin e Paqes në Paris, ai i kishte thënë që propozimi franko-gjerman “është propozim i BE-së, i mbështetur nga Franca dhe Gjermania”.

Ndërkohë, kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka folur pas takimit në të cilin është arritur marrëveshja për targat.

Ai ka theksuar se pas kësaj marrëveshjeje do të diskutohet për planin e Bashkimit Evropian e që mbështetet edhe nga Franca dhe Gjermania.

“Pas disa orëve diskutime, arritëm në një marrëveshje e cila tani ju hapë të gjitha dyert që të fillohet me biseda intensive rreth planit të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe me mbështetje të Gjermanisë dhe Francës”, ka theksuar Bislimi.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Korrigjimi i gabimit të Borrellit është i domosdoshëm

Ai ka theksuar se për këtë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, së shpejti do t’i ftojë në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Borrell do t’i ftojë shumë shpejt dy liderët që të fillojnë bisedat intensive rreth propozimit të tij, me mbështetje të Gjermanisë dhe Francës”, është shprehur Bislimi.

Kur është pyetur se çfarë nënkupton deklarata e Borrellit se “Kosova heq dorë nga të gjitha veprimet sa i përket riregjistrimit të veturave me targa ilegale”, Bislimi ka thënë se “kjo nënkupton që Serbia do të ndalojë regjistrimin e veturave, kurse Kosova do të pushojmë së vendosuri gjoba për targat ilegale”.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.