Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, kanë nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Nënshkrimi i saj u bë në një ceremoni zyrtare të organizuar në ambientet e Presidencës së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të dorëzojnë zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri shtoi se ka ardhur koha që statusin potencial për kandidatë që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat.
Kosova, duke u përballur me disa kundërshtime, këtë javë do të aplikoj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Proces ky i cili pritet të zgjasë me vite, nëse jo me dekada dhe që varet nga normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë,shkruan Reuters.
Sfidë tjetër mbetet edhe që Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Përveç kësaj, as pesë shtetet e Bashkimit Evropian, Spanja, Greqia, Rumania, Sllovokia dhe Qiproja, nuk e njohin shtetin e Kosovës.
Mirëpo, lajmin që Kosova, do të aplikoj këtë javë për t’u anëtarësuar në BE e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e së martës më 13 dhjetor.
Kryeministri kishte treguar se janë në kontakt edhe me shtetet mosnjohëse të BE-së.
Tutje, Reuters, ka raportuar se përpara çdo anëtarësimi të mundshëm, “Kosova duhet ta arrijë një marrëveshje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve”.
Të mërkurën e 14 dhjetorit, është shënuar edhe dita e pestë e bllokimit të rrugëve në Veriun e Kosovës përmes barrikadave të serbëve.
Ndryshe, deri më tani, Kosova ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Gjithashtu, Kosova, më 12 maj kishte dorëzuar edhe aplikimin për Këshillin e Evropës.
Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë. Ky institucion mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në shtetet anëtare.