Arrestohet një ish-polic serb në veri, dyshohet për krime lufte

Ish-polici i Kosovës i nacionalitetit serb me inicialet S. T., rreth 50 vjeç, është arrestuar mbrëmë në shtëpinë e tij në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se ai është arrestuar për shkak të dyshimeve për krime lufte në rajonin e Vushtrrisë.

Sipas këtyre burimeve, i arrestuari është nga fshati Novolan i Vushtrrisë, ndërsa ka shërbyer në Policinë e Kosovës – stacioni Mitrovicë Veriore – nga viti 2013 deri para disa ditësh kur ka lënë shërbimin.

Lista Serbe ka reaguar pas arrestimit të ish-policit Slajdan Trajkoviq duke thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti arrestoi dhe akuzoi Trajkoviqin për krime lufte pa pasur asnjë provë.

Në një postim në Facebook, Lista Serbe ka thënë se Kurti u kujtua të arrestonte ish-policin serb dhe të akuzonte për krime lufte pasi i njëjti u largua nga Policia e Kosovës.

“Synimi i dukshëm për të rrëmbyer një serb tjetër nga më të afërmit e tij dhe për të frikësuar serbët përmes dhunës institucionale reflektohet në faktin se Sllagjan Trajkoviq ishte polic i Kosovës për më shumë se 8 vjet, në veri të Kosovës dhe jetoi mbi më shumë se 20 vjet, dhe tani, ai u kujtua ta akuzone për krime lufte kur u largua nga Policia e Kosovës”, ka deklaruar Lista Serbe.

Lista Serbe ka cilësuar  se arrestimi i pabazë, siç pretendon ajo, është një hap tjetër drejt destabilizimit.

Leave a Comment

Your email address will not be published.