Ambasadorët e BE-së kanë miratuar sot tekstin e marrëveshjes për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Lajmin e ka bërë të ditur Presidenca çeke e BE-së, e cila ka thënë se me këtë e kanë çuar Kosovën një hap para në rrugën e saj drejt BE-së, transmeton Zeri.info.
“Ambasadorët e BE-së miratuan tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën përpara miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së. Presidenca çeke e çon Kosovën një hap më tej në rrugën e saj evropiane”, thuhet në njoftimin e Presidencës çeke.
Për këtë ka reaguar edhe njohësi i integrimeve evropiane, Demush Shasha, i cili e ka cilësuar këtë hap si “vulosje” të liberalizimit të vizave.
“Ambasadoret e BE-së sapo vulosën liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky është hap i fundit për këtë vit dhe hap i cili mbyll procedurën teknike për liberalizimin e vizave. Në muajt e parë të vitit tjetër mbetet vetëm votimi formal në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe Këshillin për Punë të Brendshme”, shkroi Shasha.
Ndryshe, sipas tekstit të miratuar, liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS dhe jo më larg se 1 janari i vitit 2024. /Zëri