Vjen në shqip shkrimi i javores “Der Spiegel, i botuar më 25 janar 1982, që flet për vrasjen e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës. Shkrimi me titullin “E tëra dukej si pas një ekzekutimi” merret edhe me atentatet ndaj kroatëve. Përkthimi është bërë nga Kushtrim Reçica, ndërsa më 2002 është botuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”.
Vrasës të panjohur i vranë në afërsi të Heilbronnit tre jugosllavë. Për autoritetet shtetërore gjermane kjo masakër është kulminacion i ri në luftën e fshehtë, në të cilën agjentë të sigurimit jugosllav dhe kundërshtarë të pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil, si duket, qeveria e Beogradit iu ka shpallur luftë të përgjakshme shqiptarëve në ekzil që vijnë nga Republika e Kosovës.
Kur ndalet vetura del një njeri nga një vend ndërtimi në anën e djathtë të veturës dhe gjuan nga një distancë tre metra në veturë. Një njeri i dytë gjuan gjithashtu dhe shikon pastaj në veturë për t`u bindur se a ia kanë arritur qëllimit. Fqinjë, të frikësuar nga krismat, i shohin dy burra duke ikur.
Ishte shqetësuese ajo që kanë parë banuesit e komunës së “Untergruppenbach”-ut te Heilbronni: Vetura vazhdonte të uturinte sepse shoferi e kishte këmbën ende në padalën e gazit. Pastaj ai e lëshon si duket friksionin dhe vdes, kështu që vetura vazhdon të ecën derisa i mëshon një garazhe përballë. Vetura ndalet, motori fiket dhe mjedisi qetësohet.
Policia ka gjetur në veturë:
Shoferin Bardhosh Gërvalla, 31- vjeç, jugosllav, i goditur nga 6 plumba, qëndronte i vdekur pas timonit,
Bashkudhëtarin e tij, Kadri Zekën, 28 vjeç, i vrarë nga 2 goditje me plumba në trup, dhe vëllain e shoferit, Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga 2 goditje me plumba.
Tri viktimat u identifikuan shpejt dhe gjithashtu shpejt u dit edhe drejtimi i tyre politik: jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare, nga provinca e Kosovës, në jug të shtetit ballkanik dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisë së Beogradit. Edhe për autorët e vrasjes pati shënime.
Në vendin e ngjarjes Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë: “Ka qenë UDB-ja”- policia sekrete jugosllave (Sluzba Drzavne Bezbednosti).
Është metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thotë snajperisti dhe instruktori i policisë nga Shtutgarti, Siegfried Hübner – duhet qëlluar me katër plumba “tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie dhe pastaj rigjuajtja e katërta – e domosdoshme dhe vdekjeprurëse”. Edhe kjo flet për UDB-në.”
Që shumë vite grinden shërbimi sekret jugosllav dhe kundërshtarët e regjimit në Botën e Jashtme. Në shumë raste, jugosllavët në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë së tyre. Beogradi reagonte në krim dhe terror gjithmonë me të njëjtën mënyrë. Skenë e “shoot-out”-it ballkanik ka qenë kohë pas kohe Republika Federale e Gjermanisë dhe policia ka qenë deri më tash e pafuqishme për t`i dhënë fund kësaj veprimtarie.
Ndërsa, përgjegjësit janë dalë në shesh. Beogradi ua ka frikën grupeve në ekzil, të cilat janë vatër trazirash në shtetin shumënacional – dhe i lufton ato. Sidomos kroatëve që janë jashtë ua kanë drejtuar pistoletat vrasësit e shërbimit sekret. Në shumë raste krimesh kundër kroatëve në ekzil është dëshmuar pjesëmarrja e Beogradit.
Për shembull: Kur shkëputet kroati Franjo Goreta nga shërbimi sekret jugosllav, me detyrë për vrasje në Republikën Federale Gjermane dhe e vranë një oficer udhëheqës, Beogradi e nis menjëherë një komando për ta likuiduar atë. Ende s’e kishte kryer dënimin Goreta, kur njerëz të UDB-së ndërmorën një atentat, në të cilin Goreta shpëtoi për pak.
Në procesin e këtij akti gjyqtari dërgoi një apel deri më tash të kotë drejt Bonit. “Nuk mund të lejohet që në vendin tonë të kryhen vrasje të shteteve të huaja për t`i zgjidhur problemet e tyre të brendshme”.
Në fakt, vetëm në Baden-Württemberg jetojnë diku 2000 shqiptarë, shumica prej tyre me strehim politik. Lidhur me aktivitetet e tyre shpeshherë u ankua konsullata e përgjithshme në Shtutgart.
Për shembull, në pranverën e 1981-shit demonstruan shqiptarët në një demonstratë jo të rëndësishme, në të cilën ata kërkuan ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia. Ndërkohë demonstruasit e diktuan se dikush nga një shkollë jugosllave po i fotografonte, hynë disa brenda dhe, pos fotografistit, ata e takuan edhe konsullin e përgjithshëm jugosllav, Branko Dimitrieviq. Ata ua morën filmin, të cilin më vonë u detyruan ta dorëzojnë në polici.
Gërvallajt kanë qenë të njohur në skenën e jashtme. Vëllai Jusufi, i cili para pak kohe ia kishte dhënë një intervistë një gazete ditore, në të cilën thoshte se ishte për luftën e armatosur kundër shtetit jugosllav, ka qenë, sipas njoftimeve të policisë, edhe redaktor i gazetës “Zëri i Kosovës” në ekzil.
Bardhosh Gërvalla kishte ardhur në Gjermani më 1974. Ai punonte si këshilltar për punëmarrësit jugosllavë, në Solitudestraße 44, në Ludwigsburg. Bardhoshi, i martuar, dy fëmijë, ka qenë aktiv sidomos në legjislacionin e punës për bashkëkombësit e tij.