Kërcënimi i radhës nga Serbia: Policia e Kosovës as të mos mendojë t’i heqë me forcë barrikadat

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha sot se nuk beson në një skenar në të cilin policia e Kosovës do t’i largonte barrikadat në veri të Kosovës.

Bërnabiq theksoi se policia e Kosovës as që duhet të mendojë t’i largojë ato me forcë, sepse ky sipas saj do të ishte sulm mbi serbët e Kosovës.
“Unë nuk besoj në një skenar të tillë. Ka mirëkuptim të mjaftueshëm nga ana e aktorëve ndërkombëtarë, mbi të gjitha KFOR-it”, tha Bënrabiq.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, paralajmëroi dy ditë më parë mundësinë e heqjes së barrikadave, nëse KFOR nuk vepron sa më shpejt, shkruan Reporteri.net.
Sveçla tha se po presin që KFOR-i të veprojë sa më shpejt, por shtoi se nëse kjo nuk ndodh, Kosova do t’i heqë vet.
“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që atë angazhimin e tyre ta realizojnë. Por pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në Jarinjë dhe Bërnjak, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Besoj që KFOR-i dhe faktori ndërkombëtar po angazhohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.
Në të njëjtën ditë, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, paraqiti kushtet për heqjen e barrikadave gjatë një proteste në Rudarë. Ai kërkoi që paraprakisht të lirohen serbët e arrestuar, të tërhiqen “listat sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se pas Krishtlindjeve do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do veprohet me barrikadat në veri të Kosovës.
Në një konferencë për media të shtunën, Kurti tha se Qeveria është në pritje që KFOR-i të veprojë, por “kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht”, sepse këto nuk janë barrikada civile, por “barrikada të njerëzve të uniformuar dhe të të armatosur”.
Grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës.
“KFOR-i ka kërkuar pak kohë. Por, sot, (24 dhjetor) janë bërë dy javë që nga vendosja e 11 barrikada në veri të lumit Ibër, që po pengojnë lirinë e lëvizjes”.
Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

Leave a Comment

Your email address will not be published.